Kuvendi Kritikohet në Ditën e Demokracisë

Deputetë opozitarë pjesëmarrës në një aktivitet që diskutonte më shumë se dhjetë vjetët e parlamentarizmit kosovar, e akuzuan institucionin ku punojnë për nënshtrim ndaj qeverisë.

Forumi 2015, organizoi të hënën debatin me deputetë të subjekteve parlamentare kryesore për parlamentarizmin, të njëjtën ditë kur Kuvendi i Kosovës hapi dyert për vizitorët, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është 15 shtatori, ndërsa Kosova e festoi atë me një ditë vonesë, si për të treguar se ende ka nevojë për zhvillim demokratik.

Në debatin për parlamentarizmin, deputeti Ardian Gjini tha se në Kosovë qeveria kontrollon Kuvendin, ndërsa duhet të ndodhë e kundërta.

Këtë në të njëjtin debat, e pranoi edhe deputeti i pozitës Xhavit Haliti, duke i gjetur arsye kësaj anomalie. Haliti u arsyetua se Kuvendi paratë i merr nga buxheti i dhënë prej qeverisë dhe ky sipas tij është problemi më i madh i legjislativit.

Në të njëjtin aktivitet të Forumit 2015, Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) prezantoi analizën e titulluar “Mbi dhjetë vjet të parlamentarizmit në Kosovë”.

Kjo organizatë (KDI-ja) e themeluar në vitin 2005, ka monitoruar vazhdimisht punën e kuvendit.

Në analizën e tij, Instituti Demokratik i Kosovës e quajti sipërfaqësor kontrollin që kuvendi ushtron ndaj qeverisë.

Organizata përmblodhi historinë e kuvendit, duke u ndalur te sfidat e konstituimit të tij, veprimin nën kufizimet gjatë administrimit ndërkombëtar dhe mungesën e integritetit kur ky institucion, kur qeveria synon ta përdorë për legalizimin e vendimeve të saj.

Përveç Gjinit e Halitit, në debatin e Forumit 2015 morën pjesë edhe Visar Ymeri e Ismet Beqiri nga politikanët, ndërsa pjesëmarrës ishte edhe Agron Bajrami, si analist.