Viktimat Serboboshnjake të Luftës Padisin Shtetin

Nedeljko Mitroviq, kryetari i Organizatës së Ushtarëve të Rënë,  të Burgosurve dhe Civilëve të Pagjetur nga Republika Serbe e Bosnjës, i tha BIRN-it se padia do të dorëzohet në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg në fund të muajit.

Ai shpjegoi se kërkimi për 1.676 serbët e pagjetur të Bosnjës po “ngadalësohet qëllimisht nga zyrtarët boshnjakë” dhe se zyrat e prokurorisë në të gjithë vendin nuk kanë bërë sa duhet për të nisur rastet gjyqësore për krime lufte ndaj viktimave serbe.

“Tashmë kemi mbledhur dhjetëra ankesa dhe raste individuale të familjeve të viktimave. Krejt çfarë ka mbetur është që avokatët të kontrollojnë të dhënat dhe ta përgatisin rastin. Besojmë se padia do të dorëzohet në fund të këtij muaji, në Strasburg “, tha Mitroviq.

Të mërkurën, organizata e ushtarëve të rënë,  të burgosur dhe civilëve të pagjetur u takua me kryetarin e parlamentit serb të Bosnjës, Igor Radojiçiq, i cili i mbështeti rreth padisë në gjykatën europiane.

“Ne [parlamenti] do të mbështesim zyrtarisht këtë padi, pasi ajo është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe ky rast është ligjërisht i hapur. Këto janë raste të zhdukjes masive me forcë dhe në terminologjinë e Konventës Europiane dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara, ato janë akte kriminale”, u tha Radojiçiq mediave lokale.

Ai tha se Bosnja dhe Hercegovina si shtet e ka për detyrë të kërkojë të pagjeturit nga lufta dhe dënimin e krimeve të luftës, prandaj jemi të sigurt se padia do të jetë e suksesshme.

“Verdikti duhet të tregojë se Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka bërë atë që duhej dhe të ushtronte presion mbi institucionet për të përmirësuar kërkimin për personat e pagjetur dhe persekutimin e krimeve”, tha ai .

Mitroviq tha ndërkohë se Radojiçiq dhe autoritetet e Republikës Serbe të Bosnjës i kanë ndihmuar organizatën e tij për planifikimin e padisë ndaj shtetit.

“Kemi pasur mbështetjen e tij dhe të institucioneve tona që nga dita e parë. Ata na kanë ofruar avokatë dhe këshilla ligjore se si të procedohet “, tha Mitroviq .

Sipas të dhënave zyrtare, ka ende më shumë se 1,000 raste të hapura të krimeve të luftës në të gjitha nivelet në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice