Ligji për Amnistinë Kushtetues

Gjykata Kushtetutese ka vendosur se përmbajtja e Ligjit kundërthënës për amnistinë i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik, është në pajtueshmëri me Kushtetutën. 

Ai është një ndër tre ligjet e rëndësishme që Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, nën pretendimin se ka pasur shkelje të Kushtetutës.

Fillimisht është dërguar parashtresa që ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes në mes të Serbisë dhe Kosovës, e dorëzuar më 4 korrik, ndërsa disa ditë më vonë, më 19 korrik, është dorëzuar Ligji për amnisti dhe më 1 gusht Kushtetuesja ka pranuar nga Vetëvendosja Ligjin për buxhet.

Lëvizja Vetvendosje ende nuk ka komentuar vendimet.

Ligji mundëson amnisti në tre raste, përkatësisht ndaj atyre që kanë kryer vepra penale kundër rendit kushtetues, atyre që kanë bërë thirrje për rezistencë dhe amniston edhe kryesit e veprës penale të huliganizmit. 

Disa prej veprave penale që do të falen janë veprat kundër rendit kushtetues, për kryengritje të armatosur, rrezikim të tërësisë territoriale, spiunazh, kalim të paautorizuar të kufirit, nxitje të urrejtjes, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe armëmbajtje pa leje.

Te veprat penale thirrje për rezistencë, përkundër faktit që parashihet një listë më e gjatë e veprave të tilla, ato do të falen vetëm nëse kanë rezistuar në thirrje për rezistencë.

Në një njoftim të publikuar të martën nga Kushtetuesja thuhet se Ligji për aministi që u miratua më 11 korrik përmes procedurës së përshpejtuar, është në pajtim me aktin më të lartë juridik të vendit, me përjashtim të disa neneve. 

Sipas Kushtetueses nenet të cilat ofronin amnisti për veprat penale që ndër të tjera kanë të bëjnë me asgjësimin ose dëmtimin e pasurisë, zjarrvënien, dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale dhe falsifikimin e dokumenteve, nuk janë në pajtim me kushtetutën.

Nuk kishte shkelje procedurale

Ligji qe kundërshtuar nga disa organizata joqeveritare dhe Lëvizja Vetëvendosje që organizuan protesta disaditëshe në afërsi të ndërtesës së Parlamentit.

Por, Kushtetuesja vendosi “me shumicë votash” dhe “jo njëzëri” për shpalljen e ligji si kushtetues.

Sipas praktikës së Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit që nuk pajtohen me shumicën, publikojnë “opinion mospajtues” përmes së cilit shprehin arsyet për kundërshtimin e vendimit. Kjo pritet të bëhet pasi të shpallet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese.

Ligji përveç përmbajtjes, ishte kundërshtuar edhe në aspektin procedural të miratimit.

Sipas Vetëvendosjes, deputetët kishin bërë shkelje të rregullores së punës gjatë procedimit të Projektligjit për amnisti. 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion ku duhej të kalonte ky ligj së pari, e caktuar po më 8 korrik, nuk ishte organizuar dhe mbajtur ashtu siç kërkohet me rregulloren e punës, sepse projektligji ishte sjellë në komision nga qeveria një ditë më herët dhe jo katër ditë më herët siç thotë rregullorja, sipas VV-së.

Mirëpo gjykatësit e Kushtetuesës nuk janë pajtuar me pretendimet e VV-së. 

Ata njëzëri kanë shpallur se “procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit për amnistinë…është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Nuk ndryshon buxheti i ndarë për komunat serbe 

Një ligj tjetër i kundërshtuar nga VV-ja ishte edhe ai për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013, i cili ndan një shumë të buxhetit të Kosovës për katër komunat serbe.

Sipas projektligjit të sfiduar në Kushtetuese, “të gjitha paratë publike të mbledhura prej mallrave të importuara nga bizneset e regjistruara në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq apo Zveçan… ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit që do të krijohet nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian  në Kosovë, në një Bankë Komerciale”.

Parashtresa për këtë ligj e dërguar në Kushtetuese më 1 gusht nuk është shpallur nga kjo gjykatë si e papranueshme. 

VV-ja kishte pretenduar se është shkelur kushtetuta edhe kur është miratuar Ligji për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës. 

Sipas saj, Kuvendi i Kosovës ka bërë shkelje procedurale, pasi ligji nuk përmbante dokumentacionin përcjellës dhe përmbajtësor.

Kur deputetët duan të paraqesin një projektligj në seancë gjyqësore, ai duhet të përmbajë shkresën shpjeguese për objektivat që synon t’i realizojë ligji, deklaratën për ndikimin buxhetor dhe deklaratën për përafrimin dhe për harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Deklarata buxhetore i ka munguar këtij projektligji bazuar në kërkesën e VV-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes. Ajo është e nevojshme, sipas tyre, sepse është e qartë që ligji do të ketë implikime buxhetore. 

Mirëpo, Kushtetuesja ka vendosur njëzëri se “se procedurat e ndjekura për miratimin e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes… janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Por ajo nuk ka shqyrtuar përmbajtjen e tij, për shkak se është jashtë juridiksionit të saj.

Vendimet e plota të Kushtetueses ende nuk janë publikuar. Ato do të shpallen në “kohën e duhur” sipas kësaj gjykate.