Hoxhallarët Shkarkojnë Konkurrentin e Naim Tërrnavës

Xhabir Hamiti, i cili po e kundërshton rizgjedhjen e Naim Tërrnavës për herë të tretë në postin e Myftiut të Kosovës, është shkarkuar të martën nga kuvendarët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Hamiti, kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame, kundërshtoi futjen në rend dite të diskutimit për ndryshimin e kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës, një dokument që rregullon veprimtarinë e kësaj organizate fetare.

Resul Rexhepi, sekretar organizativ në BIK, kumtoi lajmin para gazetarëve. Ai tha se Hamiti u shkarkua pasi nuk dëgjoi kërkesat e kuvendarëve për ndryshime kushtetuese.

“Anëtarët ishin këmbëngulës që të futej në rend të ditës edhe një pikë që nuk ka qenë e paraparë në ftesën e dërguar kuvendarëve. Në pamundësi për me pranu atë pikë të rendit të ditës kryetari në mënyrë arbitrare e ka konstatuar përfundimin e mbledhjës”, deklaroi Rexhepi.

Bashkë me Hamitin nga mbledhja kishin dalë edhe pesë veta tjerë.

Ndërkaq 24 anëtarët e mbetur në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Bashkësisë Islame kërkuan mbajtjën e një mbledhje të jashtëzakonshme.

 “..23 vota pro dhe një abstenim vendosën për shkarkimin e kryetarit për shkak të mos përfilljës së kërkesës së tyre“, deklaroi Rexhepi.

Anëtarët po ashtu vendosën që më 29 gusht të mbahet edhe një mbledhje tjetër ku do të shqyrtohet drafti për ndryshimet kushtetuese në BIK.

“Në draft nuk është paraparë ndryshimi i këtij neni ( v.j që nuk lejon tri mandate të njëpasnjëshme). Nëse e shohin të arsyeshme në mbledhjën e ardhshme munden me ndryshu edhe këtë”, deklaroi Rexhepi.

Zgjedhjet për myfti të Kosovës pritet të mbahen pas 15 tetorit të këtij viti kur edhe mbaron mandati i dytë i Naim Tërrnavës.

Ndërkaq Hamiti që doli më herët para gazetarëve deklaroi se mbledhja kishte përfunduar dhe se nuk pajtohej me kërkesat e kuvendarëve.

 “Nuk ka ndodh asnëjherë në histrorinë të BIK-ut që kushtetuta të ndryshohet për hatër të një personi në momentin e fundit. Vetëm 2 muaj para zgjedhjeve” tha Hamiti.

Ai deklaroi se kuvendarët tentuan që ta fusin këtë pikë në rend dite në mënyrë jo legjitime.

“Nuk e kam lejuar dhe e kam përfunduar mbledhjen”, deklaroi Hamiti.