KDI: Tenderët e Shëndetësisë të Keqmenaxhuar

Merita Mustafa menaxhere e Projektit Transparenca në Prokurimin Publik thotë se Ministria e Shëndetësisë, përveç se ballafaqohet me një mungesë dhe kufizim të madh të fondeve për të siguruar shërbime të duhura dhe cilësore për qytetarë, buxhetin aktual nuk është duke e menaxhuar në mënyrën e duhur.

“ Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se buxheti nuk është shpenzuar me efikasitet, gjë që do t’u mundësonte qytetarëve që të marrin shërbime sa më cilësore me këtë nivel të fondeve që ka në dispozicion kjo ministri” ka thënë Mustafa.

Të gjeturat e raportit tregojnë po ashtu se problemet kryesore në sistemin e prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, paraqiten në fillim të procedurave të prokurimit, atëherë kur edhe bëhet hartimi i kritereve për tenderë. 

Raporti tregon se subjekt i këtij fenomeni është edhe hartimi i listës esenciale të barnave.

Gazeta  ka provuar të kontaktojë zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, për të komentuar të gjeturat e raportit, por ai nuk u është përgjigjur telefonatave.

Raporti i KDI-së tregon për një planifikim të dobët të shpenzimeve dhe nevojave të institucioneve shëndetësore, për të cilin ka ndikuar edhe mungesa e bazës së të dhënave në këto institucione.

Raporti kritikon edhe mungesën e hulumtimit paraprak të tregut, që sipas KDI-së e vë Ministrinë para rrezikut real për fiksim të çmimeve dhe marrëveshje nga ana e bizneseve, me çka buxheti mund të dëmtohet.

Të gjeturat tregojnë se  monitorimi i prokurimit publik në Ministri të Shëndetësisë është i dobët, pasi sipas KDI-së, aktualisht Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, nuk po kryen rolin e vet në mbikëqyrjen e kësaj Ministrie.

Edhe auditimi i brendshëm në kuadër të Ministrisë nuk është sa duhet efikas dhe ka nevojë të madhe për t’u përmirësuar, vlerëson KDI.

Kjo sipas tyre bën sistemin e prokurimit publik në këtë sektor të brishtë dhe të rrezikuar në vazhdimësi ndaj dukurive korruptive dhe sidomos keqmenaxhimit sistematik.

Isuf Zejna hulumtues i projektit, ndër rekomandimet që nxjerr raporti, ka përmendur që para hapjes të prokurimit të hulumtohet tregu që të ketë  pasqyrim të përafërt lidhur me ofertën që mund të kenë kompanitë për produkte të caktuara dhe për t’u mbrojtur nga fiksimi i çmimeve.