Projekti “Shkupi 2014” Shkeli Ligjin

Komisioni komunal i ngarkuar me hetimin e financimit të projektit të riorganizimit të kryeqytetit “Shkupi 2014” theksoi në një raport preliminar se vetëm parlamenti ka të drejtë të aprovojë ndërtimin në shkallë të gjerë të memorialëve dhe monumenteve në Shkup.

Duke cituar pjesë nga Ligji mbi memorialët, komisioni tha që komunat mund të ndërtojnë vetëm monumente të rëndësisë lokale.

“Duke injoruar ligjin, autoritetet e komunës Qendër kryen projekte që nuk ishin nën juridiksionin e tyre”, tha kryesuesja e komisionit Slagjana Taseva.

Prej vitit 2007 deri në vitin 2013 qeveria transferoi te komuna Qendër 58 milionë euro, për të ndërtuar statuja të mëdha bronzi e mermeri, gjithashtu edhe dy ura përkujtimore që përmbajnë shumë statuja të figurave historike, thekson raporti.

“Qeveria qendrore, nëpërmjet Ministrisë së Kulturës inkurajoi veprimet antiligjore, duke dërguar nisma të shkruara te këshilli komunal për ngritjen e monumenteve”, shtoi Taseva.

Komisioni tha se ajo që çon më tej dyshimet se krime financiare kanë ndodhur, është mënyra se si janë porositur statujat.

Në një rast, sipas komisionit, statuja e revolucionarit të kohës otomane Nikola Karev, që duhej të ndërtohej nga mermeri, përfundoi e ndërtuar në bronz të lirë, edhe pse komuna  Qendër pagoi për mermer.

Komisioni detajet tjera do t’i publikojë në raportin përfundimtar, që pritet të hartohet për tre muaj.

Partia drejtuese e vendit VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit në reagimin e saj e hodhi poshtë raportin duke e vlerësuar të njëanshëm dhe arbitrar.

“Pasi nuk mundën të gjenin asgjë të paligjshme, dolën me një vlerësim arbitrar, pa precizuar saktësisht kush theu ligjin dhe si”, tha VMRO, në një komunikatë për shtyp.

Komisioni komunal i rishikimit u themelua në maj, pak pasi pushteti ndërroi në komunën Qendër, gjatë zgjedhjeve lokale.

Ndryshe nga ish-kryetari i kësaj komune Vladimir Todoroviq që mbështeste planin qeveritar të riorganizimit të Shkupit, duke pranuar miliona euo nga qeveria për ngritjen e statujave, kryetari i ri opozitar Andrej Zernovski është kundër projektit “Shkupi 2014”.

Gjatë fushatës zgjedhore Zernovski akuzoi kundërshtarët e tij politikë për pastrim parash dhe tha që do ta hetojë përfshirjen e komunës në projekt për të gjetur prova të krimit financiar.

Urdhri i parë i tij si kryetar ishte ndalimi i punëve të mëtutjeshme në projekt, në pritje të një hetimi.

Sidoqoftë ky vendim pati ndikim të vogël në terren. Ndërtimet vazhduan me të madhe nën përkujdesjen e organeve tjera qeveritare.

Që nga  hapja solemne, para më shumë se 3 vjetësh projekti “Shkupi 2014” ka ndarë ashpër opinionin publik.

Kundërshtarët e projektit kritikojnë stilin artistik, çmimin e veprave dhe mostransparencën e kontratave të dhëna për arkitektët dhe disenjatorët.

Mbështetësit thonë se projekti e bën më dinjitoz qytetin dhe i jep atij pamjen monumentale që e meriton.