Rriqrat Shqetësim për Banorët e Regjionit të Prizrenit

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se në kuadër të implementimit të një projekti për identifikim të problemeve të banorëve të regjionit të Prizrenit që implementohet nga KDI-ja, rreth pesë muaj më parë, një ndër shqetësimet kryesore ka dalë të jetë çështja e etheve hemorragjike.

“Pothuajse në të gjitha takimet që ne i kemi majtë në këtë regjion, po flas në të gjitha komunat, ka dalë që një ndër shqetësimet kryesore ose themelore është çështja e etheve hemorragjike”, tha Selmanaj.

Sipas tij, kjo ishte edhe arsyeja e organizimit të një tryeze diskutimi për këtë çështje.

Përfaqësues nga komunat që kanë këtë problematikë kanë treguar se si rriqrat janë bërë ankth dhe stres në jetët dhe familjet e tyre.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani në këtë tryezë tha se fokusi i zgjidhjes së kësaj problematike është në parandalimin e saj. Ai po ashtu, foli për aktivitetet që janë duke u realizuar në këtë drejtim.

“Jemi të përqendruar në parandalimin e saj dhe në gjetjen e mënyrave që ta çrrënjosim, duke e parandalu paraqitjen dhe në këtë aspekt mendoj se jemi në rrugë të mirë, ndonëse problemi është shumë kompleks”, tha ministri Agani.

Për sa i përket trajtimit, Agani ka thënë se është duke u bërë me standardet me bashkëkohore.

Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike përmendi faktorët që stimulojnë prezencën e rriqrave.

Sipas tij tokat e papunuara, livadhet dhe oborret e pakositura, vera e gjatë dhe e thatë, e me nxehtësi ekstreme, shkaktojnë rritjen dhe shumimin e popullatës së rriqrave në këtë regjion.

Në këtë tryezë është kritikuar ndarja e pakët e buxhetit në nivel qendror  për këtë problematikë.

 Doktor Haxhi Avdyli ka bërë apel te Qeveria për rritje të buxhetit që ndahet për këtë problem.

“Nëse me 170 mijë euro janë bë këto masa që janë bë, atëherë i propozoj që ta shtojë këtë buxhet dhe ta bëjë dhjetëfishin e këtij buxeti, i cili është sa gjysma e  1 kilometre të autostradës. Ta bëjë 2 milionë euro dhe me siguri ky numër i të vdekurve sot do të ishte shumë më i vogël dhe besoj që nga 9 ndoshta do t’i kishim dy ose asnjë”, tha Avdyli.

Deputeti Sali Morina anëtar në Komisionin parlamentar për bujqësi po ashtu  ka thënë se nuk është ndarë buxhet i mjaftueshëm.

“Ne kemi kërku, se nuk është bërë aq sa duhet dhe kemi theksu se nëse është në pyetje buxheti i Kosovës, ne e dimë që çdo investim kapital është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, por kur është në pyetje jeta e qytetarit, kur është në pyetje vdekja e qytetarit të Kosovës, më e rëndësishme është jeta e tij, sesa një investim kapital”, tha Morina.

Hashim Kastrati nga fshati Turjakë i Komunës së Malishevës, tha se jeta e banorëve të kësaj komune që një kohë të gjatë është shndërruar në stres.

“Fëmijët tanë e kanë të ndaluar që të konsumojnë pemë…Unë fëmijën tim që e kam me vonesë mbas 12 viteve nuk e lejoj me hangër pemë, për shkak të rrezikut të rriqrës”, tha Kastrati.

Kastrati ka kërkuar që deputetët të cilët vijnë nga komuna e Malishevës ta ngrisin këtë çështje në parlament.

Deputeti Halit Krasnqi ka thënë se shumë herë e ka ngritur këtë shqetësim në parlmanet.

“Vetëm sivjet që nga fillimi i vitit ka mbi dhjetë herë që e kam trajtuar çështjen e rriqrave. Edhe unë kam fëmijë dhe jetoj në Malishevë dhe jetoj midis rriqrave. Nuk kam mund të jem indiferent unë në këtë shqetësim të përgjithshëm, në qoftë se edhe s’do të kisha fëmijë, unë prapë nuk do të isha indiferent ndaj këtij shqetësimi të mijëra banorëve, jo veç të Malishevës, po edhe viseve tjera, që janë me epiqendër aty në zonën e Malishevës” tha deputeti Krasniqi.

Kryetari i Komunës së Malishevës Hisni Kilaj ka kërkuar që të bëhet strategjia nga niveli qendror për luftimin e kësaj gjendjeje.

“Nivelet lokale nuk mund të kriojnë këso strategji” tha Kilaj.

Kryetari Kilaj, sikurse edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë tryezë, ka thënë se spërkatjet selektive  që janë bërë deri më tash nuk do të mund ta përmirësojnë gjendjen në terren.

“Spërkatjet të cilat i kemi bë, spërkatjet selektive, nëse vazhdojmë me spërkatje të tilla, ne nuk kemi me e përmirësuar gjendjen”, tha Kilaj.

Nga nëntë qytetarët që kanë vdekur deri më tash nga ethet hemorragjike, 5 prej tyre janë nga komuna e Malishevës.