Pamje nga Suhareka | Foto: KALLXO.com

Asamblistët Dëmtojnë Buxhetin e Komunës

Asambleja Komunale e Suharekës, në shkurt të vitit 2012 kishte dhënë pëlqimin për të zhvilluar tenderim për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike përgjatë rrugës “Brigada 123” në Suharekë, për vendosjen e tabelave dhe panove reklamuese.

Nuhi LLugaxhiu, pronar i firmës NSH “EXPRESS”, kishte ofertuar me çmimin mujor më të lartë për marrjen në shfrytëzim të këtyre hapësirave, në shumën prej 421 eurosh.
 
Por, asambleja komunale e Suharekës, kishte zgjedhur si fitues ofertuesin me çmimin më të ulet të ofruar, NTSH “DHEH”, i cili kishte ofertuar me çmimin mujor prej 401 eurosh, përkatësisht 20 euro në muaj më pak se ofertuesi i parë.

“Asamblistët e komunës së Suharekës, të zgjedhur nga vota e qytetarëve, me vetëdije i kanë dëmtuar qytetaret. Se si ka ardhur deri te kjo zgjedhje e tyre, ata e din më së miri”, thotë Nuhi Llugaxhiu.

Edhe fituesi i ofertës Ramdan Limaj, thotë se asamblistët e dinë më së miri pse e kanë zgjedhur atë, e jo ofertuesin tjetër.

“Unë kam ofertuar në mënyrë të rregullt, asambleja më ka zgjedhur mua, nuk e di unë pse më kanë votuar mua, por sigurisht që i kam përmbushur kushtet e kërkuara, ndërsa duhet t’i pyesni asamblistët pse nuk kanë votuar për të parin”, tha Ramadan Limaj

Ramadan Limaj, dy vjet ka qenë truprojë e ish-kryetarit të komunës së Suharekës, tash kryetar i degës së LDK-së për Suharekë, prej vitit 2003 deri në vitin 2005.

314 euro më pak për lokalin

Asambleja Komunale e Suharekës, në maj të vitit 2012 kishte bërë ofertë publike për dhënien në shfrytëzim deri në 10 vjet të lokalit afarist në rrugën “Brigada 123”, me sipërfaqe 93.84 m2, pronë komunale.

Edhe në këtë rast, fiton ofertuesi me çmimin me të ulët, pasi asambleja komunale voton për Fitim Berishën, i cili kishte ofertuar me çmimin mujor prej 516 eurove, ose 314 euro më pak se ofertuesi me çmimin më të lartë.

Lulzim Shala, kishte ofertuar për marrjen në shfrytëzim të këtij lokali me çmimin 830 euro në muaj, ndërsa Fitim Berisha ishte renditur si ofertuesi i tretë sa i përket çmimit. 

“Nuk e di pse kanë votuar asamblistët për ofertuesin e tretë, por e di që më kanë dëmtuar mua dhe buxhetin e komunës”, tha Lulzim Shala.

I dyti në listën e ofertuesve për nga çmimi ishte Hysni Kuqi, këshilltar i Blerim Kuqit, kryetarit të Suharekës, i cili kishte ofertuar për marrjen në shfrytëzim të lokalit afarist, me çmimin prej 800 eurosh në muaj.

“Asamblistët e Suharekës kanë vendosur që të punojnë kundër votuesve të vet, ta dëmtojnë buxhetin e komunës, pasi që lokalin afarist ia kanë dhënë të tretit që ka ofertuar me 516 euro në muaj”, thotë Hysni Kuqi.

Sipas tij në këtë rast është votuar në baza partiake, pasi që sipas tij asamblistët e LDK-së, kanë qenë të organizuar dhe kanë votuar për ofertuesin e caktuar, ndërsa deputetët e PDK-së e kanë lëshuar seancën.

Por, Shefket Kolgeci, shef i grupit të asamblistëve të LDK-së thekson, se në LDK, mbizotëron pluralizmi dhe demokracia dhe askush askujt nuk ia imponon se për kë të votojë, ndërsa sipas tij për lokalin afarist kanë votuar për të tretin, pasi ai ka ofertuar edhe me një numër më të madh punëtorëve, se të tjerët.

“Kemi menduar që më mirë është të punësohet një punëtor më shumë, se sa ta marrë një person tjetër me çmimin me të lartë dhe mendoj që çdo gjë ka shkuar në mënyrë legale”, thotë Shefket Kolgeci.

Ofertuesi fitues Fitim Berisha kishte marrë pjesë në tenderin për fitimin e lokalit në hapësirën komunale me çmimin prej 516 eurosh dhe me planin për punësimin  e pesë personave.

Pesë persona kishte thënë se do t’i punësojë edhe Lulzim Shala që ofertoi me shumën më të madhe për lokalin, por nuk fitoi.

Ofertuesi tjetër Hysni Kuçi, tha se nuk ka përmendur punësim personash, por vetëm ka ofruar çmimin prej 800 eurosh për lokalin, pasi për ta marrë në shfrytëzim atë, sipas tij nuk ka qenë kusht punësimi i dikujt.

Në ofertën publike të komunës së Suharekës  me numër 03/2012 të datës 3 maj 2012 ceket se kriter për dhënien e ofertës është: “Oferta e përgjegjshme me çmimin më të lartë”, dhe askund nuk ceket numri i punëtorëve.

Asamblistët e PDK-së, në Suharekë, me rastin e votimit për dhënien në shfrytëzim të lokalit afarist, kanë lëshuar asamblenë në shenjë revolte ndaj  padrejtësive që janë bërë në dëm të ofertuesit të parë dhe në dëm të buxhetit të komunës.

“Grupi parlamentar i PDK-së, ka pasqyruar dhe reflektuar me kohë qëndrimin e vet karshi qytetarëve, në formë të largimit nga mbledhja e kuvendit komunal në shenjë pakënaqësie, sepse në raste të tilla të ofertave, duhet të votohet më vota të hapura dhe të fitojë ai i cili ka ofruar çmimin më të lartë”, thotë Murtez Zekolli, shef i grupit të asamblistëve të PDK-së.

Ai thotë se po të votohej hapur do të ishin publik emrat e atyre që sipas vlerësimit të tij dëmtuan me dashje buxhetin e komunës.

 “Për derisa ka fituar ofertuesi i tretë për nga çmimi, atëherë le të kuptohet se kanë votuar në vijë politike”, thotë Zekolli.

AAK-ja ka votuar të dy ofertat, por edhe pse udhëheq me komunën prapëseprapë në këtë rast ka humbur me vota.

“Në rastin e parë kemi qenë për ofertën e dytë, por ka fituar oferta me çmimin më të ulët, pasi e njëjta ka marrë vota më së shumti”, thotë Nadire Hoxha, shefe e asamblistëve suharekas të AAK-së.

Kuvendi komunal i Suharekës përbehet nga 34 asamblistë, ku prej tyre Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 12 asamblistë. Numër të njëjtë asamblistësh ka edhe LDK-ja. Pas këtyre dy partive pozicionohet PDK-ja me 8 asamblistë, derisa AKR-ja dhe Vetëvendosja kanë nga një përfaqësues në kuvendin komunal të Suharekës.

Lidhja Demokratike e Dardanisë ka pasur dy asamblistë, por tani nuk e ka asnjë, ngase njëri prej tyre i është bashkuar AAK-së, ndërsa tjetri LDK-së.

AAK-ja e udhëheq komunën e Suharekës, në koalicion me LDD-në, e cila tash si parti i ka pushuar aktivitetit e veta dhe i është bashkuar LDK-së.