Faturat e KEK-ut me Tarifë të Lartë

E plotësuar

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Muhamet Mustafa të martën, në një konferencë për media ka prezantuar të gjeturat e raportit të këtij komisioni lidhur me faturimin e energjisë elektrike si dhe çështje tjera.

Regjistrimi i ri i njehsorëve dhe ndërrimi i tyre, gabimet në lexim dhe qasja e pamundur e lexuesit janë identifikuar si problemet kryesore në këtë raport.

“…mund të konstatohet lehtë se pjesa dërmuese e gabimeve është e natyrës njerëzore e lexuesve [të njehsorit] dhe regjistruesve” thuhet në raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Të gjeturat e raportit tregojnë se konsumatorëve të bllokut të tretë që shpenzojnë më shumë se 600 megavatë energji elektrike shpenzimet e rrymës u janë faturuar me tarifë mjaft të ngarkuar.

Mustafa ka përmendur se blloku i tretë i cili ka një çmim pre 10 cent për kilovatorë, krijon 60 për qind të të ardhurave të KEK-ut për tërë vitin.

Kurse vetëm  për muajin janar ky bllok kishte krijuar 74 për qind të të ardhurave të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Ky komision i cili u krijua pas inicimit të  debatit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas Mustafës kishte punuar për 3 muaj rresht.

Me këtë rast ishin  intervistuar 13 persona përgjegjës që kanë dhënë dëshmi tek komisioni, si dhe ishin mbajtur  rreth 12 mbledhje.

Deputeti i pavarur Muhamet Mustafa që ishte propozuar nga LDK-ja për të kryesuar këtë komision hetimor, iniciativën për të sqaruar të gjeturat e raportit në konferencë për media tha se e ka marrë, pasi që në debatin parlamentar të javës së kaluar qeveria raportoi vetëm për atë se nuk pati gabime teknike në faturim.

“Qeveria e ka marrë vetëm një fjali kur teknikisht nuk ka pas gabime dhe i ka injorua krejt këto konkluza” tha Mustafa.

Ai ka thënë se në procedurat e faturimit nuk janë gjetur shkelje sa i përket sasisë, ditëve kur duhet të lexohen faturat dhe as kohës se kur duhej të faturoheshin ato.

Sipas tij,  problemet janë grumbulluar vite me radhë dhe në janar kanë shpërthyer, pasi konsumi është më i lartë dhe tarifa e dimrit është më e shtrenjtë.

Raporti thekson se reformimi i thellë i strukturës tarifore është i domosdoshëm, ngase aktualisht konsumatorët e bllokut të tretë janë të stërngarkuar me tarifa të larta.

Mustafa ka thënë se konsumatori asnjëherë nuk është informuar për atë se çka në fakt është duke paguar.

Konsumatorët e bllokut të tretë paguajnë aktualisht ndër të tjera, tarifë në të cilën përfshihet subvencionimi i konsumatorëve tjerë, subvencionimi i humbjeve, subvencionimi i inefiçiencës në menaxhment dhe qeverisje.

“Konsumatori i bllokut të tretë është i stërngarkuar”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, duhet të vendoset çmim i arsyeshëm për të gjithë konsumatorët.

“Komisioni i ka rekomandu Rregullatorit që ta bëjnë një reformë të thellë në mënyrë që ato t’i përgjigjen standardit të jetës në Kosovë dhe strukturës së konsumit në Kosovë…që të evitohet shpërndarja në mes të familjeve. Çështjet sociale duhet me i mbulu qeveria, jo Rregullatori, jo KEK-u” ka thënë Mustafa.

Në kuadër të mostransparencës, Mustafa ka përmendur edhe çështjen e investimeve të konsorciumit turk Limak–Çalik, i cili ka marrë nën menaxhim Rrjetin e Shpërndarjes dhe Furnizimit me energji elektrike dhe që investimi i përmendur në këtë rrjet nuk i është sqaruar sa duhet publikut.

“Natyrisht që për 15 vjet do të investohen 300 milion, por këto nuk do të jenë investime të Limak-ut, do të jenë investime të KEDS-it- që i gjeneron në Kosovë me amortizim edhe me tarfia” tha ai.

Eksperti Naim Hoxha, ka kritikuar mosgatishmërinë e KEK-ut lidhur me shërbimet ndaj konsumatorëve për sa u përket ankesave.

Ai ka thënë se nga 3 mijë e 804 ankesat e evidentuara në muajin janar sa i janë dorëzuar komisionit për ankesa në KEK,  908 janë marrë në konsideratë dhe janë trajtuar.

Ndërsa sipas tij të aprovuara kanë dalë 438 ankesa dhe pjesërisht të aprovuara 542 raste.

Sipas tij problem mbetet mosgatishmëria e KEK-ut për të kryer shërbime.

“…nuk po i ndodhë hera e parë t’i ketë 3804 [ankesa], por  hera e pestë a gjashtë, aq ma tepër kur i ka ndërrua njehsorët, kur është ndërrimi i tarifave, është dashtë me pas një gatishmëri më të madhe për të bë shërbime më të mira” është shprehur Hoxha.

Si çështje tjetër që është evidentuar në raport, në kuadër të jotransparencës së KEK-ut,  janë orët elektrike.

Mustafa ka thënë që konsumatorëve asnjëherë nuk u është thënë se nuk bëhet fjalë për orë digjitale siç është  njohur projekti për vendosjen e këtyre orëve, por për orë elektrike.

Me këto orë sipas tij, nuk po evitohet gabimi  në lexim dhe regjistrim të tyre.

Ai po ashtu tha se rrjeti i shpërndarjes, ose furnizimit do të jetë më pak atraktiv në vitin 2015 kur do të liberalizohet tregu, sepse njerëzit me këto orë tha ai  “duhet me e angazhua një armatë të tërë lexuesish me shku derë për derë me i lexu ato dhe ajo e rritë koston”.

Por problem kryesor i këtij projekti sipas Mustafës është se nuk është bërë studim fizibiliteti për të.

“ I gjithë ky projekt që është më karakteristikja,  është bë pa studim fizibiliteti i cili do të tregonte koston e arsyeshmërinë ekonomike,  a është më mirë digjitale  a është më mirë elektronike,  sepse neve në KEK na kanë thanë po t’i kishim ba digjitale do të kushtonin ma shumë, por ne i kemi mbrojtë konsumatorët me orë primitive” tha ai.

Deputeti Mustafa, ka theksuar po ashtu reagimet institucionale që janë bërë në atë kohë.

Ai ka thënë se njerëzit më përgjegjës në struktura të caktuara kanë pasur lëshime dhe hyrje në deklarata, hyrje në veprime, të cilat kanë qenë jashtë autorizimeve dhe përgjegjësive të tyre.

Sipas tij ndërhyrjet e ish ministrit  për Zhvillim Ekonomik Besim Beqaj kanë tejkaluar kompetencat e tij.

“Ndërhyrjet e ministrit Beqaj kanë qenë që të infiltrohet në caktimin e përqindjes në ekuitet që nuk ka të drejtë. Është përgjegjësi e rregullatorit  që të deklarojë se nuk do të ketë rritje të çmimit që prapë nuk është përgjegjësi e tij… Ka kërku masa ndaj menaxhmentit të KEK-ut – e ajo është përgjegjësi e bordit të KEK-ut”, tha Mustafa.

Ai ka thënë se i është kërkuar kryeministrit të sigurohen që ministrat të mos infiltrohen në borde të ndërmarrjeve publike dhe në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Po ashtu Mustafa tha se është kërku që kuvendi të masë performancën e bordeve në ndërmarrje publike.

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me faturimin e energjisë elektrike të muajit janar 2013 , si dhe çështje të tjera të ndërlidhura me këtë temë, u themelua pas debatit  parlamentar që u iniciua nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas protestave qytetare që u iniciuan për këtë problematikë.

Komisioni mes tjerash i rekomandoi KEDS-it dhe ZRrE-së të marrin masat përkatëse për të përmirësuar komunikimin, kujdesin dhe transparencën ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike.

Po ashtu, raporti rekomandon që ZRrE  të bëjë një rishqyrtim të strukturës se tarifave dhe sidomos të blloqeve tarifore për të evituar rishpërndarjen e paarsyeshme të barrës dhe subvencionimin në dëm të konsumatorëve, që bëjnë pjesë kryesisht në bllokun tarifor III.