Dënohet Dëshmitari Bashkëpunues Bllaca

Dëshmitari bashkëpunues i EULEX-it në dy procese të mëparshme gjyqësore është dënuar të premten nga Gjykata Themelore e Prishtinës me katër vjet e gjashtë muaj burg.

Bllaca është dënuar për veprën penale vrasje të rëndë, të cilën  e ka pranuar gjatë gjykimit, ndërsa i ka kërkuar falje në seancën e së hënës familjes së viktimës.

Bllaca akuzohej për vrasjen  e Ibush Kllokoqit.

“Nazim Bllaca ka vrarë Ibush Kllokoqin duke e qëlluar për vdekje me gjashtë plumba. Kjo ka ndodhur në Prishtinë më 6 gusht 1999”, thuhej në aktakuzën që e siguroi Gazeta Jeta në Kosovë.

Bllacës do t’i llogaritet në dënim koha e kaluar nën arrest shtëpiak prej 30 nëntorit të vitit 2009, deri më 29 nëntor 2010, ndërsa derisa vendimi të shpallet i plotfuqishëm, ai përsëri do të mbahet nën këtë masë sigurie, thuhet në një komunikatë të EULEX-it.

Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar vazhdimisht për proceset në të cilat Bllaca është përfshirë qoftë si dëshmitar, qoftë si i akuzuar.