Ferizajt i Kushtojnë Shtrenjtë Projektet (TV)

Rruga që kalon përreth parkut dhe Xhamisë së Madhe të qytetit që zakonisht është një rrugë më e qetë e Ferizajt, tash ka shumë më shumë makina që qarkullojnë nëpër të.

Komuna e Ferizajt pranverën dhe verën e vitit 2013, i ka nisur me punë të njëkohshme në shumë rrugë, disa që vazhdojnë prej 2012-ës ose më herët, e të tjera që do të kryhen deri në vitin 2014.

Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj Muharrem Sfarqa thotë se këto projekte do të shkaktojnë ngërç komunikacioni.

“Verës kur të vijnë mërgimtarët ata që ishin buka e përditshme e Kosovës për shumë vjet nuk do të kenë mundësinë të lëvizin”, thotë Sfarqa. Njësoj mendon edhe Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje.

Drejtori i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim në komunën e Ferizajt, Ardian Ferizi e pranon se do të ketë vështirësi trafiku gjatë verës, por shton se vështirësi të tilla kur vijnë mërgimtarët Ferizaj ka çdo vjet, ndërsa projektet komunale synojnë ta bëjnë të kundërtën-zgjerimin e rrugëve, në mënyrë që komunikacioni në të ardhmen të zhvillohet normalisht.

“Ne kemi anuluar planin për rregullimin e rrugës nga stacioni i policisë te ETC-ja, për arsye se në këtë pjesë nuk ka rrugë alternative. Në vendet tjera ku po kryhen punimet, ka rrugë dytësore nga mund të zhvillohet komunikacioni”, thotë Ferizi.

Rregullimi i qendrës së qytetit

Komuna nisi rregullimin  e qendrës së qytetit në fillim të qershorit, duke mbyllur kështu për qarkullim automjetesh rrugën kryesore të qytetit.

Në pranverë të 2013-ës nisën edhe punimet për zgjerimin e rrugës “Rexhep Bislimi”, një rrugë gjithashtu e rëndësishme e qytetit që shkon në drejtim të magjistrales Ferizaj-Gjilan, në të cilën nuk do të ndërpritet qarkullimi i automjeteve përkundër punimeve. 

Në të njëjtën kohë, punimet nga viti 2011 në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës po zhvillohen edhe në rrugën “Epopeja e Jezercit” që lidh Ferizajn me Jezercin-fshatin e rezistencës së UÇK-së në luftën e viteve ’98-99. 

Një raport i INPO-s për punën e kryetarit të Ferizajt Agim Aliut gjatë vitit 2012,  vlerëson se i pari i këtij qyteti qeverisjen e tij po e bazon në platformën e trashëguar nga ish-kryetari Xhemaili, duke mos shfaqur ndonjë plan ose strategji për realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2012.

Projekti i rregullimit të qendrës së qytetit është përmendur që nga viti 2010, ndërsa pritet të realizohet sivjet brenda tre muajsh. Projekti do të kushtojë 1 milion e 100 mijë euro, ndërsa do të përfshijë hapësirën nga ish-hoteli Luboten deri te rruga “William Walker”.

Kjo hapësirë do të quhet bulevardi i qytetit dhe në të ardhmen në të pritet të mos qarkullojnë veturat, ndërsa mund t’i ngjajë sheshit “Nëna Tereze” të Prishtinës.

Zgjerimi i rrugës “Rexhep Bislimi”

Rruga “Rexhep Bislimi” nga magjistralja Prishtinë-Shkup deri te Kisha Katolike e qytetit, në vitin 2014 pritet të jetë me katër korsi. Zgjerimi i kësaj rruge konsiderohet projekti më i madh komunal, ndërsa gjatë dy vjetëve buxhetit do t’i kushtojë 1 milion e 800 mijë euro.

Punimet filluan në pranverë, ndërsa për to sipas Mustafë Graincës, drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, sivjet janë ndarë 650 mijë euro.

Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje këtë projekt e quan të pastudiuar mirë.

“Rruga me katër korsi ndoshta duket më bukur, por nuk e zgjidh problemin e komunikacionit, pasi ai bllokohet te hekurudha. Rruga gjithashtu dëmton bizneset”, thotë Topalli.

Ministria e Infrastrukturës rregullon rrugët hyrëse në Ferizaj

Përveç rrugës “Epopeja e Jezercit”, një projekti të përbashkët të komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës, që do të kushtojë 1 milion e 900 mijë euro, kjo ministri do të ndihmojë edhe projekte tjera infrastrukturore të Ferizajt.

Bëhet fjalë për rrugët “Astrit Bytyqi” dhe “Brahim Ademi”. E para lidh qytetin me magjistralen Prishtinë-Shkup, ndërsa e dyta lidh magjistralen Ferizaj-Prizren me atë Prishtinë-Shkup.

Kanalizimi në rrugën “Astrit Bytyqi” ka filluar këtë vit, edhe pse ishte premtuar nga viti i kaluar, për arsye se për të nisur punimet duhej të bëhej shpronësimi i disa parcelave private. Në këtë rrugë po zhvillohen edhe punimet e ujësjellësit, ndërsa më pas do të rregullohet edhe vetë rruga.

Mustafë Grainca, drejtor i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa në komunën e Ferizajt thotë se këto projekte po zgjerojnë rrugët në hyrje të qytetit.

“Kërkesa e kryetarit të komunës në bashkëpunim dhe bashkërendim me deputetin Elmi Reçica ka rezultuar me ndarjen e mbi 3 milionë eurove[për këto dy rrugë] nga Ministria e Infrastrukturës”-shprehet Grainca.

Komuna tejkalon buxhetin e planifikuar për projekte

Një raport i Organizatës Iniciativa për Progres INPO, lidhur me punën e kryetarit të Ferizajt, i publikuar në fund të vitit 2012 tregon se gati në të gjitha projektet e vitit të kaluar ka pasur tejkalime buxhetore në raport me buxhetin e planifikuar për këto projekte.

Tejkalimi i shumës së planifikuar për projektet, sipas raportit të INPO-s është e meta kryesore e Komunës së Ferizajt.

“Këto tejkalime të shpenzimeve nuk janë bërë duke planifikuar paraprakisht. Administrata dhe drejtoritë në disa plane veprojnë ad hock”, thotë drejtori ekzekutiv i INPO-s, Samir Reka.

Këtë e pohon edhe kryetari i LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa.

“Jemi të shqetësuar, sepse në analizën që i kemi bërë planit vjetor të kuvendit komunal për vitin fiskal 2012, nga 241 projekte në 78 prej tyre që janë projekte kapitale ka tejkalime enorme[të shumave të përdorura për to], në raport me planifikimin”, thotë Sfarqa. 

“Për shembull në 38 investime kapitale kemi një tejkalim të mjeteve të kontraktuara në raport me ato të planifikuara për 2 milionë e 615 mijë euro. Këto projekte nuk dihet a janë projekte kapitale, apo vepra penale”, vazhdon Sfarqa. 

Tejkalimin e mjeteve të planifikuara për projektet nuk e pranon drejtori i Financave Grainca.

“Ka projekte dyvjeçare dhe ne qysh nȅ fillim i pȅrcaktojmȅ se kȅto kanȅ financim dyvjeqar dhe ato financohen prej dy buxheteve. Pra kemi projekte qȅ marrin fonde edhe nga buxheti i vitit 2012 dhe nga viti 2013 dhe po ashtu projektet e reja tȅ kȅtij viti marrin pjesȅ edhe nȅ buxhetin e vitit tȅ ardhshëm”, thotë Grainca. 

INPO e akuzon komunën e Ferizajt edhe për keqplanifikim të buxhetit, derisa kreu i Vetëvendosjes për këtë komunë Faton Topalli thotë se në Ferizaj kurrë nuk dihet se kur fillon, e kur përfundon një projekt.
“Një investim i madh duhet pastaj me një investim tjetër të përmirësohet”, thotë Topalli.

Samir Reka nga INPO, nisjen e njëhershme të shumë projekteve rrugore nga komuna e lidh edhe me fushatën zgjedhore.

“Investimi në disa rrugë të cilat nuk janë planifikuar mund ta lë komunën pa mjete të mjaftueshme pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve”, thotë Reka.

Kryetari i LDK-së Sfarqa thotë se komuna po i ruan disa projekte të përfunduara për t’i përuruar më afër fushatës.

“22 projekte kanë përfunduar, por nuk janë inauguruar, ngase kjo do të bëhet më vonë për qëllime zgjedhore”, thotë Sfarqa.

Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit, Ardian Ferizi projektet e Ferizajt nuk i lidh me zgjedhjet, ndërsa thotë se ato janë paraparë më herët në bazë të kornizës buxhetore.

“Ne nga viti 2009 deri më tani i kemi kalu tri lloj zgjedhje me projekte të kanalizimeve e ujësjellësve, për të cilat kemi pasur edhe probleme gjatë realizimit dhe nuk kanë ndiku në rezultat, sepse projektet e tilla janë jetike për qytetarët”, thotë Ferizi.

Punë nëntokësore, pastaj mbitokësore

Komuna e Ferizajt gjatë tre vjetëve të mëparshëm(2009-2012) investoi më shumë në rrjetet e kanalizimeve dhe ujësjellësve nëpër shumë fshatra.

Gjatë inspektimeve të punimeve në fshatrat Mirosalë, Pojatë e Neredime e Poshtme dhe e Epërme, në qershor të vitit 2012, kryetari Agim Aliu e pranoi se ka probleme të furnizimit me ujë në disa fshatra edhe pas instalimit të rrjetit të ujësjellësit.

“Ujësjellësi askund nuk duhet të mbetet vetëm një sistem i gypave(tubave), por nëpër të duhet të rrjedhë uji”, tha atëherë Agim Aliu, derisa po në qershor të vitit 2012 gjatë një debati të kryetarit me banorë, një grup i organizuar i banorëve të fshatit Rahovicë u ankuan se herë kanë, e herë nuk kanë ujë.

Kryetari i Qendrës së Vetëvendosjes në Ferizaj, Faton Topalli thotë se në shumë fshatra është bërë ujësjellësi ose kanalizimi i ri, i cili ose funksionon pjesërisht, ose nuk funksionon fare.

Kryetari i LDK-së Muharrem Sfarqa është edhe më konkret. Përmend kanalizimin e Fshatit Sazli si një dështim të investimeve komunale.

“Në fshat [Sazli] ku është ndërtu një kanalizim që nuk funksionon, një kanalizim ku gjithçka që hyn brenda, del jashtë e kundërmon, një kanalizim që derdhet në oborr të shkollës…”, thotë Sfarqa.

Sipas vebfaqes së komunës kanalizimi fekal në fshatin Sazli ka kushtuar 150 mijë euro, ndërsa zyrtarët komunalë thonë se problemet me këtë kanalizim janë shfaqur në fillim, ndërsa tash janë eliminuar.
Banorët e fshatit nuk i janë ankuar Gazetës Jeta në Kosovë në lidhje me kanalizimin.

Komuna e Ferizajt nga 11 prilli 2012 ka kontraktuar kompaninë “Arch&Design”, për të mbikëqyrur projektet komunale të kanalizimit, derisa ato janë duke u kryer. Sivjet kjo kompani po mbikëqyr edhe projektet e ujësjellësve.

“Deri tash kemi mbikëqyrur rreth 30 projekte komunale”, thotë Mentor Ibishi, drejtor i kësaj kompanie.
“Kompania nuk ka kompetenca për të ndërprerë punimet[nëse ato nuk shkojnë si duhet], por vërejtjet e saj ia thotë kompanisë punëkryese dhe komunës, e cila si investitore mund t’i ndërpresë ato pastaj”, shton Ibishi.

“Objektivi im kryesor do të jetë ngritja e cilësisë së punimeve nga operatorët ekonomikë. Nëse nuk arrihet kjo, unë do të jem kryetari i parë që do të ndërpres kontratat për kompanitë të cilat janë të papërgjegjshme në realizimin e punëve të kontraktuara nga komuna”- tha Agim Aliu në qershor të 2012-ës, ende pa e bërë muajin e parë zyrtar në krye të komunës.

Komuna deri tash i ka kërkuar kompanisë “Arch&Design” të ndërhyjë vetëm në një rirregullim ujësjellësi. Këtë e pohon edhe Mentor Ibishi.

Kompania e tij ka ndërhyrë në një projekt të ujësjellësit në fshatin Greme, të financuar nga organizata CDF(Fondi për Zhvillimin e Komunitetit), duke e bërë këtë ujësjellës më funksional.

Angazhimin e kësaj kompanie komuna e ka paguar 35 mijë euro gjatë vitit 2012, ndërsa zyrtarët e planifikimit dhe financave nuk pajtohen se kjo shumë ka ngritur çmimin e projekteve.

“Me rritjen e kualitetit të punimeve, pagesa që i është bërë kompanisë mbikëqyrëse është arsyetuar plotësisht”, thotë Ardian Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Planifikimit. Njësoj mendon edhe drejtori i Financave Mustafë Grainca.

“Është një kosto, sepse ne duhet ta paguajmë këtë operator ekonomik, por kjo kosto e ka ngritur cilësinë e punimeve dhe ka ndikuar pozitivisht që veprat publike të kenë një jetëgjatësi më të madhe”, thotë Grainca.

Premtimet e kryetarit

Kryetari Agim Aliu, i ardhur në krye të komunës më 29 maj të vitit 2012, (pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të shkaktuara nga dorëheqja e Bajrush Xhemajlit që u përfshi në një aksident komunikacioni me fatalitet dhe dënim nga gjykata në vitin 2010), i bëri premtimet e veta gjatë fushatës.

Raporti i INPO-s për punën e kryetarit të Ferizajt, i përpiluar në fund të vitit 2012, thotë se Aliu premtoi qeverisje transparente, zhvillim ekonomik dhe punësim, rifunksionalizim të bifurkacionit (Bifurkacioni ȅshtȅ fenomen natyror ku lumi “Nerodimka” ndahet nȅ dy degȅ, njëra derdhet nȅ Detin Egje, kurse dega tjeter nȅ Detin e Zi), ndërtim të një stadiumi, investime të reja në arsim e shëndetësi.

Raporti thotë se Aliu është transparent vetëm medialisht, nëpërmjet kontaktit me medie, ndërsa gjatë 2013-ës mund të punësohen vetëm 300 persona duke pasur parasysh vështirësinë e sjelljes së investitorëve të huaj dhe pamundësinë e hapjes së bizneseve të reja.

Kryetari i LDK-së Muharrem Sfarqa thotë se punësimi i të rinjve është partiak.

“Punȅsimi ȅshtȅ bȅrȅ mbi baza partiake dhe kanȅ punȅsuar nȅ ndȅrmarrjet publike njerȅz qȅ madje nuk kanȅ as karrika ku tȅ ulen”, deklaron ai.

Rifunksionalizimi i bifurkacionit

Dy nga premtimet e kryetarit lidheshin me grantet e fituara nga Komisioni Europian, ato për rifunksionalizimin e bifurkacionit dhe për ndërtimin e stadiumit të ri.

Rifunksionalizimi i bifurkacionit ka kushtuar 400 mijë euro. Raporti i INPO-s thotë se komuna është treguar joserioze gjatë këtij projekti, pasi ka filluar punët e rregullimit të bifurkacionit me beton dhe gurë, ndërsa Ministria e Ambientit ka kërkuar që një punë e tillë të kryhet me mjete sa më natyrale.
 
Komuna pastaj e ka ridisenjuar projektin e bifurkacionit.

Ndërtimi i stadiumit të ri

Edhe ndërtimi i stadiumit të ri është premtim i kryetarit të Ferizajt gjatë fushatës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vitit 2012 që pritet të ndërtohet me mjetet e Komisionit Europian.

Punimet nuk kanë mundur të fillojnë me kohë për shkak të reshjeve të shumta të pranverës, por sipas drejtorit të Planifikimit, Ardian Ferizi, stadiumi i ri pritet të përfundojë këtë vit.

Shkollat

Shkollat fillore “Jeronim de Rada” në Ferizaj dhe “Jeta e re” në Greme që punojnë me tri ndërrime, pritet të dalin në objekte të reja nga shtatori i vitit 2013.  Në shtator gjithashtu pritet funksionalizimi i Qendrës së Kompetencës që është një premtim tjetër i kryetarit.

Rregullimi i Rrugës së Reçakut dhe rrethrrotullimit që lidh tri rrugë të qytetit është një premtim i realizuar.

“Premtimet janë mbajtur, por edhe mjetet janë keqpërdorur”, thotë kryetari i qendrës së Vetëvendosjes në Ferizaj Faton Topalli.

Ferizaj 2014-planet në sirtar

Ferizaj sivjet festoi 140 vjetorin e themelimit, një moshë pak më të madhe se mosha njerëzore, për dallim nga rrethinat e tij që kanë vjetërsi antike.

I themeluar për shkak të ndërtimit të hekurudhës në vitin 1874 dhe i shtrirë në të dy anët e saj, qyteti vazhdon ta ketë problem të vazhdueshëm hekurudhën.

Hekurudha do të jetë ende aty ku është, në mes të qytetit, pasi për ta futur nën tokë, ose për ta ngritur në shtylla, mungojnë mjetet.

“Secili projekt bazuar në një përllogaritje të përafërt, kushton nga 40 deri 50 milionë euro”, tha Qazime Vata, drejtoresha e Urbanizmit në komunë, gjatë muajit prill 2013 për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Në vitin 2014 pritet të kryhet fizibiliteti, ose të jepen plane ideore për një nënkalim që do të niste te Kisha Katolike në rrugën “Rexhep Bislimi” dhe do të hynte nën hekurudhë, për t’u lidhur me rrugën që çon drejt tregut dhe rrugët tjera”, thotë Ardian Ferizi, drejtor i Planifikimit. 

Një nënkalim i tillë ku nën hekurudhë do të qarkullonin edhe makinat, sipas Ferizit është i paraparë në bazë të planeve rregullative urbane të vitit 2011.

Ferizi, njësoj si drejtoresha e Urbanizmit Vata, thotë se ekziston edhe plani për ngritjen  hekurudhës në shtylla, i cili do të mundësonte zgjerimin e rrugës “Ahmet Kaçiku” dhe mbylljen për qarkullim komunikacioni nëpër qendër të qytetit.

Një plan i vitit 2014 parashikon ndërtimin e një parkingu nëntokësor në hapësirën e parkut të tashëm, ose në oborrin e shkollës fillore “Gjon Serreçi”.

Do të vazhdojë gjithashtu rregullimi i shtratit të lumit Nerodimka në drejtim të fshatrave Nerodime e Doganaj.

“E vetmja gjë që është duke bërë qeverisja komunale është vazhdimi me të vjetrën”, thotë drejtuesi i qendrës së Vetëvendosjes, Faton Topalli.

Qyteti i Ferizajt qȅ nga paslufta deri nȅ nȅntor tȅ vitit 2007 ȅshtȅ drejtuar nga LDK-ja, ndȅrsa tash e 6 vjet udhȅhiqet nga PDK-ja.

Kryetari i tanishëm Agim Aliu, është kryetar tash e një vit, pas konfirmimit tȅ dȅnimit tȅ Gjykatës Supreme të Kosovës ndaj Bajrush Xhemajlit, i cili ishte në krye të qytetit që nga nëntori 2007 deri në prill 2012.

Agim Aliu deri para kȅsaj kohe ishte, kryesues i Kuvendit Komunal nȅ Ferizaj qȅ nga viti 2009.

Ferizaj në regjistrimin e vitit 2011 doli si komuna e tretë me një numër prej 108 mijë e 610 banorësh.