Memorial Për Viktimat e Luftës Ballkanike

Një kompleks me mbi 3 mijë metra katrorë në afërsi të fshatit Zajaz, do t’u dedikohet rreth 500 shqiptarëve  që u vranë në vitin 1913 gjatë Luftës së Dytë Ballkanike që disa besojnë se janë ekzekutuar nga forcat serbe.

Memoriali i madh do të përfshijë flamurin shqiptar në shtizë të lartë rreth 30 metra, një monument bronzi të lartë pesë metra , të quajtur “Nëna shqiptare” dhe  500 gurë varresh në formë cilindrike.

Komuna e Zajazit e cila dominohet nga shqiptarët vendas, planifikon gjithashtu ta shndërrojë në muze një ndërtesë aty pranë, dedikuar  viktimave për të cilat besohet se janë varrosur në nëntë varre masive të rajonit.

Ndërsa memoriali është planifikuar të përfundojë deri në fund të vitit, zhvarrimi i atyre që besohet të jetë varrosur në varre masive, mund të marrë vite për të përfunduar.

“Trupat e të gjithë luftëtarëve të rënë që janë varrosur në puse, male  e varre masive, do të transferohen në kompleksin përkujtimor. Ne nuk do të lëmë gur mbi gur deri sa nuk i gjejmë ata, ” ka thënë kohët e fundit Ali Ahmeti,  kreu i Bashkimit për Integrim, partisë partnere ne qeveri .

Fshati i Zajazit është vendlindja e Ali Ahmetit.

Vëllai i tij, Vedati, tha se sipas legjendave të fshatit, vetëm në shtëpinë e familjes së tij  mund të jenë varrosur  40 trupa.

“Mund ta imagjinoni se çfarë ka përjetuar  Zajazi [gjatë Luftërave Ballkanike] kur edhe gjashtë javë pas vrasjes, zona ishte e mbushur plot me nëna e gra që mbanin zi për të dashurit e tyre “, tha  Vedat Ahmeti për të përditshmen  Dnevnik.

Ndërtimi i kompleksit i miratuar nga ana e komunës, pritet të kushtojë rreth 200 mijë euro, që kryesisht do vijnë nga donacionet dhe bizneset lokale. Memoriali pritet të hapet në fund të vitit.

Intelektualët shqiptarë dhe serbë sot kanë pikëpamje të kundërta mbi atë nëse ushtria serbe dhe forcat paramilitare kishin kryer një seri masakrash mbi popullatën shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Vitin e kaluar Maqedonia lejoi një ceremoni të madhe shtetërore  të Serbisë të mbahej afër memorialit kushtuar luftës te kodra e Zebrnjakut, afër Kumanovës, duke shënuar përvjetorin e Betejës së Kumanovës në vitin 1912, ku ushtria serbe theu forcat osmane.

Presidenti serb Tomislav Nikoliq mori pjesë në ceremoni bashkë me zyrtarë shtetërorë të Maqedonisë. Megjithatë, asnjë përfaqësues nga partia shqiptare e koalicionit në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim,  nuk ishin i pranishëm.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice