Bllaca Pret Vendimin Deri të Premten

Nazim Bllaca dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë Speciale të Kosovës në dy rastet që mbanin edhe emrat Bllaca I dhe II, të hënën u paraqit prapë në Gjykatën e Apelit (objektin e së cilës po e shfrytëzon Gjykata Themelore në Prishtinë).

Nën masa të rrepta të sigurisë, me makina të EULEX-it që vinin nga dy anët e rrugës, Bllaca arriti në gjykatë.

Ardhja e Nazim Bllacës nën shoqërimin e sirenave lajmërohej që nga larg. E gjithë mbrojtja e afërt e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, ishte të veshur me antiplumb, ashtu siç ishte edhe Bllaca. E për ta vrojtuar publikun që ishte kurioz të shihte se çfarë po ndodhte, policia dy herë nxori njerëz të mbrojtur nga makinat e tyre.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe ajo e EULEX-it më pas rrethuan objektin e gjykatës, duke mos lejuar askënd që të futej në këtë ndërtesë.

Në seancën e mbyllur për publik dhe media, gjykata dëgjoi argumentet e palëve lidhur me atë se cili ligj do të përdoret në rastin e Bllacës, tregoi pas seancës avokati Osman Havolli, mbrojtësi i Nazim Bllacës.

Ai tha se “gjykata për më shumë se një orë ka dëgjuar analizën ligjore se cili ligj duhet të përdoret, pasi që vepra është kryer në vitin ’99, e aktualisht kanë pësuar një mori ndryshimesh ligjore dhe është vendos që të aplikohet ligji më i favorshëm në kohën e kryerjes së veprës penale, e që ka qenë Ligji Penal i Kosovës”.

I njëjti po ashtu tregoi se prokurori në fjalën përfundimtare kishte kërkuar favore për Bllacën kur gjykata do ta matë dënimin, me arsyen se Bllaca ishte bashkëpunues me prokurorin dhe policinë.

Avokati Havolli më tutje tha se nuk i kishte mbetur shumë çka të deklaronte në gjykatë, pasi që të gjitha i kishte kërkuar prokurori. Ai tha se kishte kërkuar dënimin më të vogël, “nën minimum”.

“Minimumi i dënimit për këtë vepër penale është 10 vjet, e nëse aplikohen zbutjet e dënimit dhe njëkohësisht bashkëpunimi me prokurorinë dhe gjykatën, sigurisht do të jetë një vendim më i butë”, tha avokati Havolli pas seancës.

Nazim Bllaca akuzohet për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit në 6 gushtin e 1999-së.

“Nazim Bllaca ka vrarë Ibush Kllokoqin duke e qëlluar për vdekje me gjashtë plumba. Kjo ka ndodhur në Prishtinë më 6 gusht 1999”.

Kështu thuhet në aktakuzën e rastit Bllaca III të ngritur nga prokurori special i Misionit Europian për Sundim të Ligjit, Maurizio Salustro.

Nazim Bllaca ka pasur dy nofka në periudha të ndryshme kohore. Gjatë viteve 1998-1999 ai është quajtur “Gjeografi” ndërsa prej 1999-ës deri më 2007 është quajtur “Seiko”.

“Fahredin Gashi është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion”  për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë Bllaca e ka qëlluar”, përshkruhet në aktakuzë mënyra si është vrarë Kllokoqi.

Sipas prokurorit, dy gjykimet — ai ku Fahredin Gashi është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje –janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës.

Në të dyja rastet, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shpallur Bllacën dëshmitar bashkëpunues.

Vendimi për Blacën pritet të merret të premten.