Politikanët Serbë Grinden Rreth Srebrenicës

Parlamenti i Serbisë gjatë shënimit të tetëmbëdhjetëvjetorit të Maskrës së Srebrenicës me një deklaratë “shprehu respektin më të thellë për viktimat e pafajshme boshnjake dhe ngushëllimet për familjet e tyre në përvjetorin e provës së rëndë të Srebrenicës”.

“Serbia dhe parlamenti i saj janë të përkushtuar përgjithmonë për të mbajtur gjallë kujtimin e viktimave të konflikteve të rënda të armatosura në ish Jugosllavi në vitet 90-ta”, thuhet në  deklaratën e lëshuar të enjten.

“Asambleja kombëtare gjithashtu shfaq keqardhje dhe ngushëllime për familjet e viktimave të pafajshme të nacionalitetit serb në konfliktin e Bosnjë e Hercegovinës”, thuhet më tutje në deklaratë.

Por Partia Liberale Serbe kritikoi deklaratën e parlamentit, pasi ajo sipas saj ia ul rëndësinë masakrës dhe “tregon mungesën e vullnetit të Serbisë për ta treguar të vërtetën rreth asaj që ndodhi tetëmbëdhjetë vjet më herët”.

Partia Liberale tha që qeveria duhet ta caktojë një seancë të posaçme për ta vërtetuar  “jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra” që anëtarët e saj nuk mbështesin më të dyshuar për krime lufte si Ratko Mladiq.

Edhe Partia Demokratike e Serbisë e Vojislav Koshtunica-s kritikoi deklaratën e parlamentit serb, duke thënë se edhe krimet tjera të luftës meritojnë deklarata parlamentare.

“Jemi të habitur pse parlamenti shpreh respekt vetëm për viktimat e pafajshme të Srebrenicës, ndërsa jo edhe për përvjetorët e ngjarjeve tjera, si për shembull për 7 prillin e vitit 1992 kur Bosnjë e Hercegovina u njoh nga ShBA-të dhe shtetet perëndimore, që ishte një lloj i krimit kundër paqes, nga i cili rrodhën të gjitha krimet e mëvonshme [gjatë luftës], tha deputeti Sllobodan Samargjiq në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit.

Në vitin 2010 Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë me të cilën dënohej masakra e Srebrenicës dhe u kërkohej ndjesë familjeve të viktimave për mosbërjen e të gjitha veprimeve të mundshme që të shmangej masakra. Por rezoluta nuk i përshkroi vrasjet si gjenocid.

Lidhja e Social-Demokratëve të Vojvodinës të enjten kërkoi që deklarata e parlamentit për masakrën e Srebrenicës të futej nëpër librat shkollorë të Serbisë.

Kjo lidhje kërkoi nga deputetët që të mos shfaqin mungesë respekti për viktimat në përvjetorin e vrasjes.

“Së paku sot, për respekt ndaj viktimave, mos u grindni rreth asaj se a ndodhën krime lufte, ose gjenocid në Srebrenicë, së paku sot pranoni që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë Masakrën e Srebrenicës e përcaktoi si gjenocid”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Social-Demokrate të Vojvodinës.

Ky shkrim është botuar në Balkan Transitional Justice