Shpallen Fajtorë në Kosovë të Kërkuarit nga Drejtësia Maqedonase

Ditën e premte paneli gjyqësor i përbërë prej gjyqtarëve Havë Haliti, Florent Latifi dhe Afërdita Bytyqi, shpalli fajtorë të akuzuarit nga Maqedonia me etni shqiptare, Afrim Ismailoviqin dhe Alil Demirin.

Të akuzuarit u ngarkuan për veprën penale armëmbajtje pa leje, ku Afrim Ismailoviqit iu shqiptua një dënim prej dy vjetësh burg, kurse Alil Demirit prej dy vjet e gjysmë.

Kryetarja e kolegjit tha se pranimi i fajësisë nga ana e Ismailoviqit është marrë si rrethanë lehtësuese, andaj këtij të fundit i është shqiptuar dënim prej 2 vjetësh burg.

Po ashtu të akuzuarve iu shqiptua dënimi plotësues i konfiskimit të arsenalit të armëve, të cilin policia kosovare e kishte hasur në banesën që të akuzuarit e kishin marrë me qira.

Të akuzuarve u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e dënimit, kurse palët kanë të drejtën e ankesës prej 15 ditësh.

Ismailoviq e Demiri u kapën gjatë muajit mars nga policia e Kosovës, në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i thanë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë.

Banesat ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit, tash të akuzuar, policia gjeti një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i arsyetoi me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi sipas tij ndiqeshin nga shërbime sekrete.

Te Ismailoviqi e Demiri policia zbuloi dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

Për Maqedoninë, Ismailoviq dhe Demiri janë të dyshuar për vrasjen e shumëfishtë pranë hekuranës së Shkupit, të ndodhur në vitin 2012.

Atëherë qenë gjetur të vrarë 5 persona të etnisë maqedonase, ndërsa më pas ishte tensionuar gjendja në shtetin me probleme ndëretnike.

Kundër të dyshuarve për këtë vrasje të shumëfishtë në Maqedoni është duke u mbajtur proces gjyqësor, i njohur me emrin “Monstrum”.