Shtyhet Seanca e Rastit Zhugolli Kundër “Zërit”

Të enjten ishte paraparë që të zhvillohet seanca në departamentin ekonomik ku si palë figuronin kompania I&A e cila e kishte paditur të përditshmen “Zëri”. 

Kompania I&A me pronar Bejtush Zhugollin pretendon se e përditshmja Zëri, përmes shkrimit “Zëri paraqet faktet” të botuar më 27 maj 2012, ka shpifur ndaj saj duke i shkaktuar dëm prej 33 mijë e 688 eurosh.

Megjithatë seanca në fjalë nuk u mbajt sepse i autorizuari i “Zëri”, Bajram Sherifi,  i ishte drejtuar gjykatës me një shkresë për shtyrjen e seancës, meqë po i njëjti ka pasur një seancë tjetër në departamentin e krimeve të rënda.

Është hera e dytë që Bejtush Zhugolli padit gazetën “Zëri”. Herën e parë gazeta ishte paditur nga i njëjti njeri, për shkrimin e gazetares Arbana Xharra të titulluar “Baballarët e tenderëve në Kosovë”.

Xharra në atë artikull kishte shkruar se Bejtush Zhugolli si pronar i një kompanie tjetër të quajtur “Pejton”, ka financuar fushatën zgjedhore të PDK-së gjatë vitit 2009, duke u paditur nga Zhugoli për shpifje.

Zhugolli e humbi kontestin e parë gjyqësor me “Zërin” dhe gazetaren Arbana Xharra, në janar të këtij viti, kur përfundoi ky proces gjyqësor.
 
Por ai e paditi përsëri gazetën për një artikull tjetër të shkruar nga gazetarja Selvie Bajrami në maj të vitit 2012, duke kërkuar dëmshpërblim dhjetëfish më të vogël, sesa pretendimet fillestare për dëmet e shkaktuara.

Bajrami, artikullin “Zëri paraqet faktet”, për të cilin u padit nga Zhugolli, e shkroi derisa në Gjykatën Ekonomike po zhvillohej procesi gjyqësor Zhugolli kundër “Zërit” dhe Arbana Xharrës.

Në shkrimin e Selvije Bajramit të 27 majit të vitit 2012 thuhej se kompania tjetër e Bejtush Zhugollit, “I&A” ka fituar tenderë nga KEK-u, edhe pse sipas gazetares dhe gazetës, kompania ndodhej në listën e zezë të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës.

Padia për shpifje ndaj Bajramit është ngritur pikërisht për këtë fjali të shkrimit “Zëri paraqet faktet”.

Zhugolli pretendon se kompania e tij “I&A” nuk është në listën e zezë të KEK-ut dhe se kjo e pavërtetë i ka shkaktuar dëm kompanisë së tij.

Në padi thuhet se “për këtë artikull e paditura nuk ka dhënë sqarim se ku e ka marrë këtë burim” dhe se “nuk është e vërtetë se paditësja [I&A] gjendet në listën e zezë të KEK-ut”.

Padia vazhdon me fjalët se ky shkrim i gazetës “Zëri” ka ndikuar për keq në afarizmin e ndërmarrjes “I&A”.

Seanca e ardhshme e rastit Zhugolli kundër “Zërit” është caktuar në muajin shtator.