Ashton Inkurajon Miratimin e Ligjit për Amnisti

Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton  është shprehur të jetë e kënaqur me hapat e zbatimit të marrëveshjes, gjatë vizitës së saj në Kosovë, në  një konferencë për media.

“Që nga vizita ime e fundit deri më sot, këtu kanë ndodhur shumë zhvillime e ndryshime pozitive”, ka  thënë Ashton.

Baronesha Ashton ka thënë se përveç njoftimit nga afër me përparimet e bëra në zbatim të marrëveshjes, në Prishtinë ka ardhur edhe të paraqesë vendimin e Këshillit Europian për nisjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Ashton, pasi është pyetur nga gazetarët lidhur me Ligjin për amnisti, nuk ka komentuar përmbajtjen e tij, por ajo ka lënë të nënkuptoj se miratimi i ligjit është i rëndësishëm.

“Nuk dua të përfshihen në atë se si mendojnë qeveria dhe kryeministri t’i qojnë para çështjet që u takojnë atyre, mirëpo ajo që dua të sigurohem është se marrëveshja e arritur duhet të zbatohet dhe se besoj që zbatimi i ligjit do të jetë demonstrim i përkushtimit jo vetëm nga ana e Qeverisë por edhe e Parlamentit për punën që jemi duke bërë”, tha Ashton.

Ndërsa kryeministri Thaçi duke shprehur zotimin e qeverisë për obligimet që dalin nga marrëveshja, ka thënë se ligji është keqinterpretuar dhe keqkuptuar, për arsye politike dhe të tjera.

“Kosova zotohet se do t’i kryejë obligimet e veta duke përfshirë edhe ligjin për amnisti”, tha Thaçi.

Thaçi ka thënë se Kosova nuk është vendi i parë që po e miraton një ligj të tillë, duke shtuar se  këtë ligj e ka miratuar edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, e po ashtu edhe Serbia në vitin 2001.

 Ndërsa , baronesha Ashton ka thënë se zbatimi i marrëveshjes është i domosdoshëm për jetë më të mirë të banorëve të dyja vendeve, duke thënë se procesi teknik i transferit të vendimeve politike në praktikë nuk është i lehtë.

Të martën Ashton ka vizituar Beogradin ku është takuar me krerët e lartë të shtetit serb.

Projektligji për amnisti, i ndryshuar të premten e kaluar nga qeveria, pritet të votohet përsëri të enjten në Kuvend.