KDI: Gjyqësori më i Korruptuari në dy Vjetët e Fundit (TV)

Hulumtimi i bërë në kuadër të Barometrit Global të Korrupsionit për vitin 2013 që publikohet nga Transparency International, ndër të tjera ka për qëllim të tregojë perceptimet e opinionit publik mbi sektorët më të korruptuar në vend, për efektivitetin e veprimeve të qeverisë në luftimin e korrupsionit si dhe gatishmërinë e qytetarëve për të kundërshtuar këtë dukuri.

Këtë barometër e prezantoi në Kosovë Instituti Demokratik i Kosovës(KDI).

Përfaqësuesja e KDI-së Merita Mustafa është shprehur se përgjigjet e dala nga sondazhi janë negative për vendin, ngase tregojnë rritje të nivelit të korrupsionit për dy vjetët e fundit.

Sondazhi po ashtu nxjerr në pah se veprimet e Qeverisë konsiderohen joefektive në luftimin e korrupsionit në vend.

“Përqindja më e lartë e njerëzve që mendojnë se korrupsioni është rritë, është në Kosovë dhe në Shqipëri, pra kemi 66 për qind të njerëzve që mendojnë se korrupsioni është rritë në këto dy vende, në dy vitet e fundit, ku pasohet nga Bosnja, mandej vjen Maqedonia, Kroacia, Serbia mbetet e fundit” ka thënë Mustafa.

Mustafa thotë se sondazhi i nxjerrë tregon që një përqindje e madhe e njerëzve janë të gatshëm t’u bashkohen protestave antikorrupsion si dhe të nënshkruajnë peticion kundër kësaj dukurie.

Vlerësimi i nivelit të korrupsionit në sondazh bëhet nga shkalla 1 deri në shkallën 5 që është niveli më i lartë i korrupsionit ose korrupsioni ekstrem.

Mustafa është shprehur se institucionet kryesore në Kosovës bazuar në këtë sondazh kanë nivelin e korrupsionit mbi shkallën 4.

“…Nëse i shini statistikat në Kosovë, e vërejmë se institucionet kyçe e kanë nivelin e korrupsionit përmbi shkallën 4 që domethënë janë afër nivelit ekstrem të korrupsionit që e thashë edhe njëherë është shumë brengosëse”, tha Mustafa.

Ajo tha se kjo do të duhej të ishte një alarm për të gjitha institucionet, e në veçanti Qeverinë, e cila është përgjegjëse kryesore për të hartuar politika dhe për të bërë veprime tjera të cila do ta ulin nivelin e korrupsionit.

Sipas Mustafës, bazuar në sondazh, shtetet tjera kanë numër më të vogël të atyre që mendojnë se korrupsioni është rritur, duke theksuar se në vendin tonë një gjë e tillë është kritike, pasi perceptimet për nivelin e lartë të korrupsionit tregojnë ngritje.

Mustafa thotë se pasurimi i shpejtë dhe i pashpjegueshëm i zyrtarëve institucionalë është një tregues që vërteton nivelin e korrupsionit në vend.

“Nëse i krahasoni të hyrat e tyre, shihet se nuk përkojnë me pasuritë që i kanë, por pasuria e tyre është shumë në pikëpyetje dhe ndoshta kjo mund ta konfirmojë më së miri këtë nivel të lartë të korrupsionit që po paraqitet sot në këtë sondazh” tha ajo.

Raporti i vjetor i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) për vitin 2012, ka nxjerrë në pah shpërpushje në mes të hyrave dhe pasurisë se deklaruar.

Rreth 300 zyrtarë të lartë deklarojnë vazhdimisht pasurinë që nga viti 2008 deri në vitin 2012.

Sipas AKK-së, 38 prej tyre janë identifikuar se kanë pasuri që nuk justifikon të hyrat që deklarojnë (http://gazetajnk.com/index.php?cid=1,1018,5204).

Sipas raportit të AKK-së del që shumica e shkeljeve të bëra u referohen shkeljeve të procedurave të prokurimit, ose në rastet më të këqija anashkalimit të këtyre procedurave, duke iu shmangur në këtë mënyrë transparencës dhe konkurrencës lojale.

Hulumtimi i prezantuar nga KDI-ja, është bërë që nga muaji shtator 2012 deri në shkurt të vitit 2013.
KDI  është degë  e organizatës globale kundër korrupsionit Transparency Intrnational e cila që nga themelimi i saj në vitin 2003 nëpërmjet anketimit analizon përvojat e njerëzve gjatë përballjes me korrupsionin.

Sondazhi Barometri Global i Korrupsionit bëhet në 107 vende të botës, gjatë të cilit intervistohen rreth 115 mijë njerëz nga të gjitha vendet e botës.