Nderohen në Sarajevë Viktimat e Srebrenicës

Më shumë se dy mijë banorë të Sarajevës dhe anëtarë të shoqatave të viktimave të Srebrenicës u mblodhën në ndërtesën e presidencës boshnjake të martën për të pritur  kamionët që mbanin eshtrat e 409 viktimave të nxjerra nga një varrezë afër qytezës së Visokos.

Familjet e viktimave mbanin në duar jastëkë të qëndisur me emrat e të vrarëve dhe pllakate me foto të viktimave të masakrës së korrikut të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan Srebrenicën.

Mbetjet mortore të viktimave do të dërgohen  në qendrën përkujtimore të Potoçarit, pranë Srebrenicës, ku do të rivarrosen më 11 korrik me rastin e 18 vjetorit të masakrës.

Ceremonia u ndoq nga anëtarët boshnjakë dhe kroatë të presidencës tripalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq dhe Zheljko Komsiq, si dhe një numër i madh i politikanëve, ish gjeneralë të ushtrisë boshnjake dhe ambasadorë.

Izetbegoviq tha se është koha që të gjithë në Bosnjë dhe Hercegovinë e rajon të pranojnë krimet që kanë ndodhur në Srebrenicë 18 vjet pas gjenocidit.

“Çfarë mund të themi sot kur jemi duke shikuar konvojin që bartë eshtrat e bebeve dhe  baballarëve të fëmijëve tanë të vrarë… Shpresoj se ka ardhur koha që ta pranojnë të vërtetën në lidhje me këtë krim”, tha Izetbegoviq.

“Vetëm nëpërmjet të vërtetës mund të arrijmë pajtimin. Unë shpresoj se Bosnja në fund do të miratojë një rezolutë në lidhje me Srebrenicën, ashtu si vendet e tjera të qytetëruara “, tha ai.

Izetbegoviq iu referua faktit që Parlamenti i shtetit boshnjak ende nuk e ka miratuar ndonjë rezolutë që dënon masakrën, për shkak se ligjvënësit nga tre grupet etnike nuk janë pajtuar rreth përdorimit të termit gjenocid. Deputetët e serbëve të Bosnjës nuk janë pajtuar me këtë përshkrim të vrasjeve.

Ndërkohë, kryetari i Parlamentit të  Bosnjës, Denis Beqiroviq , tha se shpreson se të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera në Srebrenicë do të sillen para drejtësisë.

“Asnjë komb nuk është fajtor për krime, kriminelët janë individualë. Shpresoj që ne si shoqëri do të kemi  guximin për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që morën pjesë në këtë masakër, “tha Beqiroviq.

Tetëmbëdhjetë vjet më parë, forcat ushtarake e policore të udhëhequra nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Srpska, sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës, e cila ishte nën mbrojtjen e OKB-së dhe vranë rreth shtatë mijë burra e djem, ndërsa dëbuan me forcë rreth 30 mijë gra, fëmijë dhe pleq.

Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi, ICTY,  ka definuar krimet në Srebrenicë si gjenocid në disa prej vendimeve të tij.

ICTY dhe gjykata shtetërore boshnjake deri më tani kanë dhënë dënime me burg më shumë se 500 vjet për krime lufte në Srebrenicë.

Gjykime tjera për gjenocid po vazhdojnë ende, përfshirë gjykimin e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të Republika Srpska-s, Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit.