Ashton Vjen të Mërkurën

Të martën në pasditen e vonshme, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Catherine Ashton do të vizitojë Beogradin.

Zyra për Bashkëpunim me Medie e Qeverisë së Serbisë, sipas medieve serbe njoftoi se Ashton do t’i takojë krerët e shtetit serb në pallatin Srbija, në orën 18 e 30.

Ashton pritet të takohet me kryetarin Tomislav Nikoliq, kryeministrin Ivica Daçiq dhe zëvendësin  e tij Aleksandar Vuçiq.

Të hënën kur dështoi raundi i 13-të i dialogut në Bruksel, pasi nuk u arrit marrëveshje për telekomunikacionin dhe energjinë, Ashton tha se është arritur përparim, ndërsa marrëveshjet për këto fusha janë pranë finalizimit.

Ajo sot e nesër do të vizitojë dy kryeqytetet për t’i çuar deri në fund këto marrëveshje.

Ardhjen e Ashtonit në Prishtinë të mërkurën, e paralajmëroi nëpërmjet një deklarate Zyra e BE-së në Kosovë.

Kjo zyrë dha edhe agjendën e Ashtonit, ndërsa ftoi mediet ta ndjekin vizitën.

Ashton në Prishtinë pritet të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi, ndërsa do të mbajë edhe një konferencë për gazetarë.