I Plagosuri: Nuk Dolëm Matanë Kufirit

I plagosuri me inicialet B. Sh, i shtrirë për shërim në QKUK, për Gazetën Jeta në Kosovë thotë versionin  e tij të ngjarjes së të dielës, kur gjashtë persona u plagosën me armë zjarri, ndërsa i shtati u lëndua duke ikur, pasi mes grupit që prenin dru dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe, shpërthyen të shtënat.

B. Sh thotë se ushtarë të armatosur na kanë rrethuar nga të tri anët dhe janë munduar të na fusin në zonën e Serbisë, ndërsa shton se drejt grupit të prerësve të pyllit të cilit i takonte, rreth 30 xhandarë kanë shtënë për më shumë se një orë me armë të ndryshme.

B. Sh thotë se ishin duke prerë dru në zonën neutrale, ndërsa për t’u larguar nga atje u kanë ndihmuar familjarët.

Komandanti i xhandarmërisë serbe Bratisllav Dikiq u tha medieve të atjeshme se të shtënat dhe plagosjet ndodhën kur grupi i shqiptarëve të armatosur sulmoi një patrullë të xhandarmërisë në fshatin Borovac, në anën serbe, në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Nuk kishte pasoja në mesin e pjesëtarëve të xhandarmërisë, ndërsa sipas informatave nga policia kosovare gjashtë shqiptarë janë plagosur”,  tha Dikiq për agjencinë e lajmeve “Tanjug”.

Sipas medieve serbe që citohen nga Balkan Insight kosovarët e armatosur kaluan ilegalisht kufirin me qëllimin për të prerë drunj.

Sipas Dikiqit një traktor dhe dy motosharra u gjetën në vendin e ngjarjes.

I plagosuri B.Sh e mohon këtë.

“Traktorin me të cilin kemi pasë me i bajt drunjtë e kanë lëvizur nga vendi i ngjarjes. Ata e kanë futur traktorin në zonën e Serbisë”, thotë B.Sh. 

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se gjashtë persona janë plagosur me armë zjarri dhe një tjetër është lënduar duke ikur nga vendi i incidentit në kufirin Kosovë-Serbi, kur disa persona  nga Kosova që shkuan për të prerë drunj, shkëmbyen zjarr me persona të tjerë nga Serbia. 

Drejtori i Qendrës Emergjente të QKUK-së Basri Lenjani tha se dy prej të plagosurve po mbahen në emergjencë, dy të tjerë në ortopedi, ndërsa i pesti në repartin e kirurgjisë torakale.

Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.