Projektligji Për Amnisti Përsëri në Lexim të Parë

Komisioni për Legjislacion i ka dhënë vizën Projektligjit për amnisti, cili  do të rishqyrtohet në lexim të parë  të enjten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në mbledhjen e së hënës Kryesia e Kuvendit vendosi që ky projektligj të qitet në votim në seancën e së enjtes. Projektligji si i tillë do të votohet për lexim të parë për herë të dyte me ndryshimet e bëra.

Edhe pse nuk ka qenë ne rend të ditës ky projektligj, me miratimin e anëtarëve të Komisionit për legjislacion është diskutuar si pikë e parë e rendit të ditës, për siç u tha rëndësinë që ka çuarja përpara e procesit të implementimit të marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, pjesë e së cilës është edhe Ligji për amnisti.

Ndryshimi i bërë në projektligj para se t’i dërgohet kuvendit është heqja komplet e nenit 3.

Ky nen, në seancën e javës së kaluar, nga ministri Hajredin Kuçi u premtua se do të ndryshohej edhe në qoftë se do të kalonte në lexim të parë.

Më këtë nen liroheshin prej 20 për qind të dënimit për veprat penale si disa lloje të vrasjeve, shtrëngimi, kanosja, pengimi i tubimit publik, vjedhja, uzurpimi i paligjshëm i pronës dhe vepra të tjera penale.

Deputeti Haki Demolil (LDK) anëtar në këtë komision duke shprehur mbështetjen për ta çuar përpara projektligjin tha se me ndryshimet që janë bërë, janë marrë në konsideratë shumica e vërejtjeve që subjekti i LDK-së i dha në seancën e javës së kaluar.

“Ky është një reagim pozitiv ndaj kërkesës tonë nga ana e Qeverisë” tha Demolli.

LDK-ja kishte kërkuar që të hiqej komplet neni 3 i projektligjit, që decidivisht në projektligj të ceket që të mos amnistohet asnjë vrasje dhe të mos amnistohen zyrtarët që kanë kryer vepër penale gjatë punës institucionale.

Por një kërkesë e LDK-së e në projektligj nuk është ndryshuar, që është mosamnistimi i pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

“Kjo kërkesë tani për tani nuk është implementuar” tha Demolli, i cili shtoi se ky ndryshim mund të bëhet gjatë rishqyrtimeve të radhës të projektligjit.

Deputeti Arsim Bajrami (PDK) është shprehur se qeveria ka reflektuar karshi kërkesave të deputetëve të seancës së javës së kaluar.

Bajrami tha se projektligji duhet të përkrahet.

“Nuk është ligj që ne e kishim dashtë në rrethana normale…Nuk është ligji më i mirë” tha deputeti Bajrami.

Deputeti i AAK-së Ardian Gjini ka kërkuar nga deputetët siç tha ai, që kjo çështje të konsiderohet me një nivel më të gjerë, e jo të shikohen segmentet.

“AAK mendon se krejt ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm… Nuk guxojmë me e humbë malin për shkak të pemës” është shprehur Gjini.

Projektligji është kundërshtuar nga deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila edhe ka dhënë votën kundër.

“Është rast i paprecedent sjellja e këtij projektligji” tha ajo.

Deputeti Armend Zemaj (LDK) ka kërkuar që Qeveria të jetë më e qartë në definimin e personave që amnistohen me këtë ligj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të merr guximin dhe të thotë se kjo amnisti po bëhet për strukturat ilegale për pjesëtarët serb” tha Zemaj.