Nuk Miratohet Ligji Për Amnisti

Vërejtje të shumta projektligji, nga ana e deputetëve mori edhe gjatë pjesës së dytë të diskutimit, pas pushimit të drekës.

Deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija tha se shumë gjëra duhet të amandamentohen në ligj dhe shumë të tjera duhet të hiqen, ashtu që “ ky ligj të ngjajë në ligj për amnistinë”.

Ajo  përsëriti qëndrimin edhe të kolegëve të saj nga LDK-ja që ligji nuk duhet të amnistojë vrasjet dhe ata që kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Arsim Bajrami deputeti i PDK-së është shprehur se ligji duhet të amandamentohet thellësisht dhe duhet të përfshihen ekspertë në ndryshimet që do t’i bëhen.

Por ai shtoi se projektligji duhet të shihet nga këndëvështrimi i interesit të shtetit të Kosovës.

“Na duhet të shohim nevojat e Republikës së Kosovës sa i përket kësaj amnistie… Të bëhemi krejtësisht racionalë, të zhveshemi nga emocionet në këto debate”.

Edhe Burim Ramadani (AAK) shprehu shqetësimin për numrin e madh të veprave të amnisutara.

“ Besoj që vjedhja nuk mund të amnistohet…Shtrëngimi,-haraçet është totalisht e pakuptueshme”, tha ai.

Albin Kurti (VV) duke kundërshtuar projekligjin tha se Qeveria është duke bërë thirrje për harresë të krimeve.

“Ky nuk është projektligj për amnesti por është projektligj për amnezi” tha Kurti.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu ka thënë se amnsitia nuk duhet të lejohet me standarde të dyfishta duke kërkuar që ajo të vleje edhe për ish ushtarët e UÇK-së.

Por deklarimin e deputetes Musliu e kundërshtoi deputeti Visar Ymeri i VV-së që tha se ushtarët e UÇK-së nuk kanë se nga çka të amnistohen.

“Deputetja Ganimete Musliu duhet t’i thërret mendjes dhe ta dijë se çka po flet” tha Ymeri.

Fatmir Xhelili (PDK) ndonëse në parim tha se do ta votojë projektligjin për ta mbështetur qeverinë, edhe pse e theksoi se gjendja aktuale e projektligjit jep një mesazh shumë të keq.

Glauk Konjufaca (VV) tha se kundërshtimi i projekligjit nuk mund të shihet si çështje partiake.

“Kjo nuk është çështje partiake. Shumë organizata të shoqërisë civile kanë argumentuar që ky ligj nuk bën të votohet në parlament” është shprehur në kuvend Konjufca.

Kalimi i pojektligjit për amnisti u pamundësua, pasi për aprovimin në lexim të parë nevojitet votimi në favor të tij i 80  nga 120 deputetët e Parlamentit.

Kjo pasi pika 15 e nenit 65 të Kushtetutës së Kosovës përcakton që amnisitia me ligj mund të jepet, nëse merr miratimin e dy të tretave të votave të të gjithë deputetëve.

14:30 – Kuvendi vazhdon debatin e projektligjit për amnisti

Në seancën plenare të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, duke arsyetuar Projektligjin për amnisti që pritet të votohet për lexim të parë, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se me këtë ligj nuk po i amnistojmë burrat e mirë, por shkelësit e ligjit. Grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe AKR-së deklaruan përkrahjen në parim të projektligjit, me kusht që të merren parasysh vërejtjet e tyre gjatë leximit të dytë. VV-ja e kundërshtoi projektligjin. Debati në kuvend është duke vazhduar.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi gjatë arsyetimit të Projektligjit për amnisti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha se projektligji nuk bën ndarje rajonale dhe etnike, për të shtuar se ky projektligj respekton parimin  e parë të demokracisë dhe barazinë para ligjit.

Deputetja Muzejene Selmani që foli në emër të Grupit parlamentar të AKR, megjithëse tha se ky grup do ta mbështesë miratimin e projektligjit në parim, tha se projektligjit duhet t’i bëhen pastrime serioze.

“Ideja është që të jepet amnisti për atë pjese ku nuk ka pasur sundim të ligjit “ tha ajo duke shtuar se amnistia nuk duhet të vlejë për pjesët tjera të vendit ku funksionojnë gjykatat dhe policia si organe të rendit e ligjit.

Kuçi më pas tha se projektligji nuk amniston vrasjet dhe lëndimet, derisa Muzejene Selmani kërkoi që të fshihet tërësisht neni tre i projektligjit.

Në këtë nen është përfshirë lista e disa veprave penale që amnistohen, ndër to edhe vrasja e çastit dhe vrasja nga pakujdesia.

Në emër të Komisionit për legjislacion që e kaloi këtë ligj për lexim të parë në Kuvend më 1 korrik, foli Behar Selimi që tha se projektligji duhet të miratohet, por edhe duhet të amandamentohet.

Ai kërkoi që të dallohen strukturat ilegale nga ato kriminale në veri, edhe pse e pranoi se kjo është vështirë të bëhet. 

Në emër të Grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Halit Krasniqi i dha përkrahje në parim projektligjit, duke shtuar si kolegu i tij Selimi, se projektligjit duhet t’i bëhen ndryshimet e nevojshme.

Haki Demolli në seancë foli në emër të Grupit parlamentar të LDK-së, ndërsa kërkoi që projektligji të plotësohet me tri amendamente të cilat do të sqaronin  që “decidvidsht të mos amnistohet asnjë vrasje’; që të mos amnistohet asnjë zyrtar që ka kryer vepër penale gjatë punës institucionale dhe që neni 3 i projektligjit të fshihet në tërësi.

Ai megjithatë shtoi se edhe LDK-ja do ta mbështesë në parim projektligjin.

Projektligji për amnisti u kundërshtua ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet deputetes Albulena Haxhiu.

Aktualisht seanca e kuvendit po vazhdon, ndërsa në të deputetët e interesuar po thonë fjalët e tyre për projektligjin.