Berisha Nuk u Jep Shtetësi Kosovarëve

“Ky vendim u njeh të drejtën e shtetësisë shqiptare të gjithë shqiptarëve, përveç qytetarëve të Kosovës”, tha Berisha gjatë një mbledhjeje të qeverisë të mërkurën.

Oferta për shtetësi ishte veçanërisht tërheqëse për shqiptarët e Kosovës, sepse Kosova është I vetmi vend në Ballkan që nuk është I liruar nga regjimi I vizave për udhëtim në zonën Schengen.

Qytetarët kosovarë do ta kishin më lehtë të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, sikur ta kishin të drejtën e fitimit të shtetësisë shqiptare.

 “E di që qytetarët e Kosovës do të ndihen të lënduar nga ky vendim, por ata duhet ta zgjidhin çëhtjen e vizave drejt BE-së në përputhje me udhërrëfyesin e lëshuar nga Komisioni Europian për autoritetet e Prishtinës”, tha Berisha.

Premtimi fillestar i Berishës për shtetësinë shqiptare të shqiptarëve të Kosovës u bë gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në nëntorin e vitit të kaluar.

Premtimi për shtetësinë erdhi në vazhdën e deklaratave që zemëruan disa nga fqinjët, të cilët akuzuan Berishën se po lobon për “shqipërinë e madhe” që do të përfshinte në një shtet vendet përtej kufijve ku jetojnë me shumicë shqiptarët.

Si pasojë e luftërave ballkanike të viteve 1912-’13 dhe rirregullimit të kufijve në Ballkan, një numër i madh shqiptarësh jetojnë jashtë kufijve të shtetit shqiptar, në vendet fqinje Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Serbi.