Bllaca Mund të Dënohet Brenda Korrikut

Nazim Bllaca dëshmitari bashkëpunues i Prokurorisë Speciale të Kosovës në dy rastet që mbanin edhe emrat si Bllaca I dhe II, të mërkurën pas orës 17 e 30 u paraqit në objektin e Gjykatës së Apelit.

Nën masa të rrepta të sigurisë, ku objekti i gjykatës së Apelit ishte i rrethuar nga të gjitha anët me policë dhe me snajperistë në daljet emergjente të gjykatës dhe policia nuk lejonte askënd që t’i afrohet objektit të gjykatës, madje edhe kalimtarët e rastit duhej ta ndryshonin rrugën.

Ardhja e Nazim Bllacës nën shoqërimin e sirenave lajmërohej që nga larg. E gjithë mbrojtja e afërt e EULEX-it dhe Policia e Kosovës, ishte të veshur në antiplumb, ashtu siç ishte edhe Bllaca.

Në seancën e mbyllur për publik dhe media Nazim Bllaca dëgjoi aktakuzën që e ngarkon për vrasje të rëndë të Ibush Kllokoqit në 6 gushtin e 1999-së.

Nazim Bllaca në seancën e sotme kishte pranuar fajësinë për vrasjen e Ibush Kllokoqit, e për të cilën vrasje ai i kishte kërkuar falje familjarëve të Ibush Kllokoqit që kishin qenë prezent në seancë.

Avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare Osman Havolli për Nazim Bllacës, pas seancës tha “i akuzuari Nazim Bllaca e ka pranuar në tërësi veprën penale me të cilën është ngarkuar, vrasjen e Ibush Kllokoqit me 6 gusht 1999, duke u kërkuar falje familjes për vdekjen e tij me faktin se personalisht Ibush Kllokoqin nuk e ka njohur”.

“Pranimi i tij ka qenë vullnetar, i qëndrueshëm, pa kurrfarë hamendjeje edhe i vetëdijshëm për pasojat e mundshme dhe për dënimin që i kanoset”, shtoi avokati Havolli.

Gjykata ka caktuar 15 korrikun si seancë të radhës, ku pritet që të gjitha palët të japin fjalët e tyre përfundimtare dhe gjykata po atë ditë ose pas tre ditësh mund të shpallë edhe aktgjykimin.

Këtë e konfirmoi edhe avokati Havolli, kur tha se “atë ditë mund të ndodhë që të shpallet vendimi i gjykatës”.

“Nazim Bllaca ka vrarë Ibush Kllokoqin duke e qëlluar për vdekje me gjashtë plumba. Kjo ka ndodhur në Prishtinë më 6 gusht 1999”.

Kështu thuhet në aktakuzën e rastit Bllaca III të ngritur nga prokurori special i Misionit Europian për Sundim të Ligjit Maurizio Salustro.

Nazim Bllaca ka pasur dy nofka në periudha të ndryshme kohore. Gjatë viteve 1998-1999 ai është quajtur “Gjeografi” ndërsa prej 1999-ës deri më 2007 është quajtur “Seiko”.

“Fahredin Gashi është personi që ia ka dhënë Nazim Bllacës revolen “Scorpion”  për të vrarë Ibush Kllokoqin. Shpresim Uka ka pritur afër shtëpisë së viktimës derisa Nazim Bllaca, Sadik Abazi, Fahredin Gashi dhe Bekim Syla kanë trokitur në derën e shtëpisë së Kllokoqit. Kur viktima është paraqitur në derë Bllaca e ka qëlluar”, përshkruhet në aktakuzë mënyra si është vrarë Kllokoqi.

Sipas prokurorit, dy gjykimet — ai ku Fahredin Gashi është akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe tjetri, ku pesë persona janë gjykuar për vrasje –janë zhvilluar bazuar në deklaratat e Bllacës.

Në të dyja rastet, Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shpallur Bllacën dëshmitar bashkëpunues.

EULEX-i nëpërmjet një komunikate për medie të mërkurën konfirmoi seancën fillestare kundër Bllacës, duke njoftuar se Nazim Bllaca pranoi fajësinë për vrasje të rëndë.

Më shumë për rastin Bllaca këtu.