Votat Amnistuese

Projektligji për amnisti mund të aprovohet në leximin e parë vetëm nëse 80 nga 120 deputetët e Parlamentit votojnë në favor të këtij projektligji.

Kushtetuta e amendamentuar më 14 mars 2013 nga Parlamenti kërkon që projektligji të votohet me dy të tretat e votave.

“Kuvendi i Kosovës jep amnisti me ligj përkatës i cili miratohet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kosovës”, thuhet në pikën 15 të nenit 65 të Kushtetutës së Kosovës. 

Për shkak të këtij neni, projketligji nuk mund të kalojë pa të paktën edhe 19 vota të partive opozitare.

Aktualisht koalicioni aktual i përbërë nga Parta Demokratike e Kosovës, Aleanca për Kosovën e Re dhe partitë minoritare numërojn formalisht gjithsej 61 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dalë me qëndrim zyrtar lidhur nëse do të votojë  pro projektligjit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me kryetarin e saj Isa Mustafa, por ai ndodhet jashtë vendit. Pyetjeve nuk u është përgjigjur as kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Ndërkaq, partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mbështesë projektligjin kontravers.

“Në parim ne do ta votojmë ligjin, por gjithsesi do të kërkojmë të ndryshohen disa gjëra në këtë ligj”, tha Gjini.

AAK-ja, sipas Gjinit, kërkon që “zyrtarët publikë të mos jenë pjesë e aministisë, sepse ata kanë dhënë betim publik me i shërby popullit”.

Projektligji nuk e ka mbështetjen e Lëvizjes Vetvendosje. 

Deputetja Albulena Haxhiu, e cila ishte ndër të parët që përmes një emaili drejtuar mediave kishte kundërshtuar shqyrtimin e projektligjit nga komisioni për legjislacion, thotë se projektligji po shqrytohet me nxitim dhe kështu po shkelet rregullorja e punës së Kuvendit, tha Haxhiu.

Sidoqoftë, projektligji duket se ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.

Ambasadorja franceze Marsye Daviet thotë se projektligji duhet të aprovohet nga Parlamenti.

“Ne duam fuqimisht që ky projektligj të aprovohet nesër”, tha ajo.

Projektligji amniston shumë vepra penale. Aty amnistohen veprat penale të parapara me Kodin e ri Penal, ish-Kodin Penal dhe ish-Ligjin penal, e po ashtu edhe veprat e dënueshme me rregullore të UNMIK-ut dhe Kodin doganor. 

Fillimisht projektligji ka paraparë se do të amnistohen veprat penale që janë kundër jetës, trupit dhe pronës, pastaj vazhdon me amnistinë e tërësishme për veprat që janë kundër shtetit apo rendit kushtetues si dhe në fund edhe veprat kundër ekonomisë. 

Pas leximit të parë, për të kaluar në leximin e dytë, ai duhet të kalojë në katër komisione të Parlamentit për të shikuar nëse është në përputhje me Kushtetutën, me standardet europiane, me buxhetin e Kosovës dhe me të drejtat e komuniteteve.

Projektligji për amnisti i shkoi së pari për miratim komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës, të hënën. 

Komisioni e kaloi këtë ligj për lexim të parë në Kuvend, me katër vota pro, një kundër dhe dy abstenime, edhe pse anëtarët e tij nuk u pajtuan me të gjitha pjesët e këtij ligji. 

Haki Demolli, anëtar i komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se Ligji për amnisti fal shumë vepra penale. 

“Nuk e besoj që ka ndonjë ligj për amnistinë, që amniston kaq shumë vepra penale”, deklaroi Demolli, ndërsa kolegu i tij nga PDK-ja, Halit Krasniqi tha se ligji nuk duhet t’i amnistojë vrasjet. 

Të enjten tubim kundër projektligjit

Instituti i Kosovës për Drejtësi, IKD, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, dhe një grup qytetrarësh përmes një tubimi të vogël, kanë kundërshtuar të mërkurën projektligjin për amnistinë.

Kundërshtimet janë bërë një ditë para se Parlamenti i vendit ta hedhë atë në procedurën e miratimit.

Sipas IKD-së, projektligji përmban elemente të cilat sigurojnë dështimin e qëllimit politik të tij. 

“Shteti nuk ka asnjë të drejtë… që të falë vepra që janë kryer kundër një individi tjetër sepse në këto raste kemi të bëjmë me viktima dhe amnistia e këtyre krimeve cenon të drejtën për mjet efektiv ligjor që është parim i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Për KDI-në “amnistia e veprave penale që lidhen me krime ekonomike është mesazh tejet i dëmshëm dhe i rrezikshëm për shoqërinë”.

Projektligji është kundërshtuar edhe për faktin se nuk është diskutuar fare me qytetarë dhe me shoqërinë civile.

KIPRED ka bërë thirrje që projektligji të kthehet në rishqyrtim dhe të diskutohet përpara se të aprovohet.

Ndërkohë, të mërkurën mbrëma rreth orës 19:00 rreth njëqind qytetarë janë tubuar në sheshin Nëna Tereze për të kundërshtuar ligjn.

“Veprat penale janë të atilla që duket sikur politikanët e kanë vetë njëri-tjetrin se cilat vepra munden me i prekë ata”, tha Shpend Kursani, një nga organizatorët e tubimit.

Qytetarët e tubuar me një votim formal përmes ngritjes së dorës kanë vendosur që nesër në orën 10:00 të mblidhen përsëri përpara Parlamentit për të kundërshtuar projektligjin.