Mjekët Nuk i Licencon më Ministria (TV)

Në vitin 2006 ministria e shëndetësisë i lëshoi dr.Yusuf Sonmez-it, të njohur si “doktor vampiri”, licencë për të ushtruar veprimtari mjekësore në Kosovë. Turku, një nga të akuzuarit kryesorë në rastin “Medicus” të transplantimit ilegal të veshkave, është ende në arrati nga drejtësia kosovare.

Zyrtarët e ministrisë ishin pyetur, gjatë gjykimit që përfundoi këtë vit për një pjesë të të akuzuarve, në lidhje me licencat e përfshira dhe, operimin e klinikës.

Atëbotë, parashihej që edhe mjekët të licencoheshin nga ministria e shëndetësisë. Por ligji i ri i shëndetësisë, që hyri në fuqi më 22 maj 2013, e delegon këtë kompetencë në të ashtuquajturën Odë të Profesionistëve Shëndetësorë.

Oda si një organizatë e pavarur dhe profesionale do të prezantojë interesat e anëtarëve të saj dhe në kuadër të saj janë formuar oda e mjekëve, farmacistëve, stomatologëve dhe mamive. Mbikëqyrjen e punës së odës do e bëjë ministria.

Neurokirurgu Haxhi Avdyli thotë se “në këtë mënyrë lirohet ministria e shëndetësisë që të mund të merret me politika shëndetësore dhe strategji politike për zhvillimin e shëndetësisë”.

Po ashtu, tani ligji bën një riorganizim të sistemit shëndetësor të vendit duke krijuar Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të lidhur me shtatë spitalet rajonale. Kështu do të quhet QKUK-ja e deritashme.

Në kuadër të ShSKUK-së do të formohet një bord që do të ketë përfaqësues të institucioneve tjera si për shembull spitalet rajonale  të cilat më herët s’kanë qenë të përfshira në lidhjen direkt të QKUK.

Zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu thotë se kështu do të ketë koordinim shumë më të mirë të spitaleve rajonale dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Më herët ka pasur raste kur pacientët kanë mundur të operohen në spitalet rajonale dhe janë drejtuar në QKUK edhe pse i njëjti shërbim ka pasur mundësi të jepet në spitalin rajonal, kështu është mbingarkuar qendra emergjente”, thotë ai.

Faza e dytë e reformës shëndetësore parashihet të fillojë me hyrjen në fuqi të ligjit të sigurimeve shëndetësore, i cili ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim, me sugjerim të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Me këtë ligj, shërbimet i kryejnë ata që parapaguajnë sigurimin. Sipas statistikave të OBSH-së, edhe në vendet më të zhvilluara se Kosova, është dashur të kalojë një kohë prej 3-5 vjetësh minimum që të shfrytëzohen të mirat materiale të grumbulluara nga fondi.

Fak Hoti, zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë, thotë se më herët të liruar nga bashkë-pagesat kanë qenë kategoritë si invalidët e luftës, qytetarët nën asistencë familjare, fëmijët, studentët, të sëmuret nga kanceri, të sëmurët nga diabeti dhe qytetarët mbi 65 vjeç.

Me ligjin e ri nuk do të ketë shërbime falas. Për ata që lirohen, do të paguajnë institucionet përkatëse.
 
Kategoritë e qytetarëve dhe banorëve të liruar nga bashkë-pagesat do të jenë personat që kanë të ardhura më të ulëta se niveli zyrtar i ndjeshmërisë sociale i përcaktuar nga qeveria. Numri i familjeve që pranojnë ndihmë sociale në Kosovë është mbi 35 mijë. Për këtë kategori do të paguajë qever.

Kategori të tjera të cilat do të jenë të liruara nga bashkëpagesat janë edhe viktimat e trafikimit gjatë vitit të parë pas regjistrimit zyrtar, numri i të cilëve më 2012 ka qenë 54 e më 2013 është 31, pastaj banorët e përhershëm të vendbanimeve joformale në Republikën e Kosovës që nuk janë të regjistruar ose të cilët janë në proces të regjistrimit, personat e ri-atdhesuar numri i të cilëve deri në maj 2013 ishte 1646, të burgosurit të cilët janë në mbajtje të dënimit numri i të cilëve është rreth 1800, personat e zhvendosur me dhunë jashtë shtëpive të tyre si viktima të dhunës familjare.

Tani nuk ndalohet klonimi

Derisa ligji i vjetër ndalonte klonimin, ligji i ri nuk e ka paraparë një gjë të tillë.

Ministria e shëndetësisë tha se moscaktimi i një neni të tillë është rrjedhojë e skepticizmit që një teknikë kaq e avancuar do të mund të ndodhte në Kosovë. Megjithatë, tha ministria, ligji nuk është statik e si i tillë mund të plotësohet.

Pagat

Neni më i diskutuar para miratimit të ligjit ishte ai 41 që kishte të bëjë me “parandalimin e konfliktit të interesit” e sipas së cilit mjekëve nuk u lejohej puna paralele në dy sektorët, atë privat dhe atë publik.

Gjykata Kushtetuese këtë e kishte konsideruar rregullimin si të papërputhshëm me kushtetutën andaj disa pika të tij ishin hedhur poshtë, më 24 dhjetor 2014.

Megjithatë nga ky nen kanë mbetur disa paragrafe që ndalojnë konfliktin e interesit, gjegjësisht referimin e pacientit nga sektori publik në atë privat pa indikacione të qarta se një shërbim nuk mund të ofrohet në shërbimin publik.

“Nëse do ketë shkelje të tilla ministria përmes Bordit Etiko-Profesional do t’i propozojë komisionit marrjen e licencës ose shqiptimin e gjobave individuale për profesionistin shëndetësor si dhe për vetë spitalin të cilit mund t’i merret licenca”, tha zëdhënësi Hoti.

“Ligji lejon që mjeku i punësuar në sektorin publik ta përmbushë orarin e tij e pas punës me ligj e ka të lejuar që katër orë tjera të punojë në sektorin privat”, shtoi Hoti.

Ndërkohë, njëra prej pikave risi dhe më interesante do të jetë pagesa në bazë të performancës.

Me ligjin e ri, mjekët do të kenë një rrogë bazike nga buxheti i ministrisë, ndërsa do të kenë mundësi të marrin beneficione tjera gjegjësisht të paguhen në bazë të performancës, në rastet kur dëshmojnë se kanë punuar më shumë. 

Për shembull, një kirurg i cili ka bërë më shumë operacione sesa një tjetër, proporcionalisht do të paguhet për punën e vetë më tepër se kirurgu i dytë.

Hoti tha se për tremujorin e parë të këtij viti QKUK-ja ka pasur në dispozicioni 1.2 milionë euro me të cilat ka mundur ta stimulojë personelin e saj. Brenda vitit janë paraparë 4 milionë euro shtesë me të cilat synohen që profesionistët të paguhen më mirë për punën që bëjnë.

Ministria si risi krruciale veçoi atë se me ligjin e ri, mjekët gjegjësisht institucionet shëndetësore, në bazë të të hyrave që do të gjenerojnë, krahas buxhetit që u përcillet, do të munden që paratë t’i përdorin për të rritur performancën e mjekëve, duke i stimuluar ata ose stafin teknik.

Lidhur me risitë e këtij ligji, gazeta kontaktoi edhe organizatën joqeveritare PRAK e cila merret ekskluzivisht me të drejtat e pacientëve.

Drejtori ekzekutiv i PRAK-ut, Besim Kodra, tha se ligji i ri për shëndetësi më shumë është i orientuar në ristrukturimin e shëndetësisë kosovare.

Sipas Kodrës ky ligj bën reforma rrënjësore sa i përket riorganizimit, ndërsa do të jetë më i mirë për pacientin, pasi decentralizimi do ta lehtësojë qasjen e pacientit në shërbimet shëndetësore.

“Ajo që është e mirë sa i përket këtij ligji është fakti se mundohet të krijojë përgjegjësi më të mëdha për profesionistët shëndetësorë”, thotë Kodra.

Megjithatë ai tha se kritieteret e udhëheqësit e institucioneve të kujtesit tretësor shëndetësorë – që krahas kualifikimit specialistik duhet të kenë thirrje akademike të profesorit, doktorit të shkencave ose përgatitje të lartë profesionale – janë në kundërshtim me propozimet e Bankës Botërore që thoshte se drejtori duhet ta ndajë kohën mes menaxhimit dhe aktiviteteve profesionale dhe të ketë diplomë masteri.