Bllaca Përshëndetet me Medie
Procesi gjyqësor tashmë i pagëzuar si “Bllaca III” pritet të vazhdojë të mërkurën, ndërsa “protagonisti” i tij Nazim Bllaca që në të akuzohet për vrasje, u është drejtuar të martën medieve me një letër falënderuese lamtumirëse.
Bllaca në letër paralajmëron se duke qenë tash i pandehur, nuk do të jetë në dispozicion për deklarata, si më parë.
Bllaca në nëntor të vitit 2009, doli me letërnjoftim në duar para medieve afër ndërtesës së qeverisë, për të deklaruar se ishte pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës(ShIK), ndërsa akuzonte këtë strukturë për kryerje vrasjesh.
Nga atëherë janë kryer dy procese gjyqësore në bazë të deklarimeve të Bllacës, ndërsa në to shtatë persona janë shpallur fajtorë për vrasje ose vepra të ngjashme penale.
Në procesin e quajtur Bllaca I që përfundoi më 23 nëntor 2011 Fahredin Gashi, një ish-pjesëtar i UÇK-së u dënua me 18 vjet burg për vrasje, ndërsa Hysni Rama u dënua me gjashtë muaj burg me kusht për ndihmën e kryesit në fshehje të krimit.
“Bllaca III” pritet të vazhdojë ditëve të ardhshme…
Në letrën elektronike të martën, Bllaca, mediet që raportuan drejt për proceset e kaluara ku ai u përfshi, bashkë me veten i futi në luftën e përbashkët kundër së keqes.
“Tash ka ardhur koha që për një kohë ne të ndahemi. Që të mos mund të komunikoi me juve”, shkroi Nazim Bllaca në letër, duke premtuar më pas se gazetarëve përsëri do t’u nxjerrë punë.
Shtëpia e Nazim Bllacës u sulmua të shtunën e 29 qershorit gjatë natës me granatahedhës nga persona të panjohur.
Sulmi shkaktoi vetëm dëme materiale, ndërsa nuk lëndoi njerëz.
“Shpresoj se do të shihemi nëpër seanca gjyqësore me ju të nderuara media”, shkroi Bllaca në fund të letrës.