Biblioteka e Re Zhvendos Biznesin (TV)

Më 11 korrik të viti 1980 Njazi Gashi, nga Suhareka kishte fituar të drejtën e shfrytëzimit të përkohshëm të pronës komunale për ndërtimin e objektit të servisimit të gomave dhe larjes e lyerjes së automjeteve,  sipas aktvendimit me numër 04- 553-50.

33 vjet pas këtij vendimi, komuna e Suharekës dëshiron ta rikthejë pronën e shfrytëzuar nga Njazi Gashi, duke planifikuar që në të të ndërtojë një bibliotekë.

“Ndërtimi i bibliotekës së re pritet të fillojë shumë shpejti. Kontrata është nënshkruar më 10 qershor  dhe si të plotësohen kushtet tjera ligjore, do të fillojë ndërtimi i saj”, thotë zëdhënësi i komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj.

Sipas Reshitajt objekti i bibliotekës do të kushtojë 450 mijë euro, ndërsa është financuar nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal.

Në projekt së bashku me bibliotekën janë paraparë të ndërtohen edhe salla e re e asamblesë komunale dhe një kinosallë, vlera e të cilave do të jetë 2 milionë euro.

Për kinosallën dhe asamblenë komunale ende nuk janë siguruar mjete materiale.

Familja Gashi nuk është kundër lirimit të kësaj prone, por kërkon që komuna t’ua gjejë një vend tjetër për vazhdimin e punës, se përndryshe do të detyrohen ta mbyllin biznesin që kanë.

 “Këtë biznes e ushtrojmë që 33 vjet dhe kemi vazhduar po në këtë vend, ku baba im e ka marrë në shfrytëzim nga komuna, ndërsa unë këtë biznes e kam trashëguar nga babai”, shpjegon për Gazetën Jeta në Kosovë, djali i Njaziut, Naim Gashi.

Objekti i bibliotekës shumë i nevojshëm për Suharekën

Agim Bytyqi drejtor i drejtorisë për Pronë e Kadastër në komunën e Suharekës, konfirmon se në pronën që do të lirohet nga Gashët, planifikohet të ndërtohet biblioteka e qytetit.

Komuna e Suharekës ka bibliotekë që nga vitet ’50, por ky institucion asnjëherë nuk ka pasur objekt të vetin.

Deri në vitin 2001 biblioteka ka qenë e vendosur në shtëpinë e kulturës, për t’u bartur pastaj në një barakë brenda oborrit të shkollës fillore “& Marsi”, ndërsa nga viti 2005 ndodhet në objektin e komunës, në një hapësirë prej 100 metrash katrorë.

Kësaj biblioteke asnjëherë nuk i kanë munguar lexuesit, edhe pse asnjëherë nuk ka pasur sallë leximi, shumë të nevojshme për studentët e shumtë të kësaj komune.

Gjatë vitit 2012 në bibliotekë janë regjistruar 1 mijë e 242 persona, ndërsa gjatë këtij viti, deri tash bibliotekës i janë shtuar edhe mbi 500 lexues të rinj.

Tahire Behluli, menaxhere e bibliotekës së qytetit në Suharekë, tregon se në vendin ku ajo ndodhet aktualisht nuk ka kushte të përshtatshme për punë, pasi në një hapësirë prej 100 metrash katrorë janë të vendosur 13 mijë tituj librash.

“Ndërtimi i bibliotekës është mëse i domosdoshëm…me ndërtimin e bibliotekës do të krijohen hapësira të mjaftueshme për punë, do të rregullohet edhe salla e leximit, që i ka munguar qytetit tonë”, thotë Behluli.

“Prona [ku do të ndërtohet biblioteka] duhet të lirohet patjetër, edhe pse nuk është interes i komunës që ta mbyll një biznes”, thotë zyrtari komunal Agim Bytyqi.

Familja Gashi kërkon zgjidhje për biznesin

Familja Gashi, pronare e biznesit që lidhet me makinat, ka marrë njoftim për lirim të kësaj prone më 12 prill të vitit 2013. 

Në njoftim kërkohej që lokali të prishet brenda 11 ditësh dhe gjatë kësaj kohe hapësira të lirohet plotësisht.

Pas marrjes së njoftimit për lirim të hapësirës komunale, Naim Gashi angazhoi një avokate që do ta përfaqësojë pranë komunës, për të gjetur zgjidhje rreth këtij problemi.

Avokatja Sabrie Syla u ankua më 2 maj me pretendimin se njoftimi për lirimin e tokës komunale brenda 11 ditësh, është në kundërshtim me ligjin.

“Nuk bëhet fjalë për ta larguar një tavolinë buke prej vendi në një vend tjetër, por për një lokal që është i ndërtuar me material prej betoni”, thotë avokatja Syla.

Në këtë lokal sipas Sylës ka edhe mjete të ndryshme pune të cilat duhet të barten drejt lokacionit të ri të cilin duhet ta sigurojnë të larguarit dhe aty ta ndërtojnë objektin e ri.

“Në këto raste minimumi 3 muaj përpara duhet të lajmërohet pala për lirimin e pronës”, shton avokatja.

Pas ankesës së saj, komuna e Suharekës ia ka zgjatur Naim Gashit afatin e largimit nga prona komunale, njëherë deri më 20 maj dhe pastaj në afat të pacaktuar.

“Ky biznes nuk do të bartet në rrugë, pasi komuna është duke bërë të pamundurën që t’i bëj një zgjidhje “, tha Agim Bytyqi pas vendimit të ri të Komunës.

Vendin bibliotekës ia lëshojnë edhe kompanitë publike

Përveç biznesit të Naim Gashit në zonën ku do të ndërtohet biblioteka një pjesë të depove e kanë edhe Hidroregjioni dhe Ekoregjioni. Objekte këto të ndërtuara pas luftës.

Bytyqi, drejtor i Drejtorisë për Pronë dhe Kadastër thotë se komuna është afër gjetjes së zgjidhjes së çështjes së këtyre dy kompanive.

Këtë e konfirmon edhe Haxhi Sallauka, drejtor i Hidroregjionit, i cili thotë se komuna u ka ndarë më herët një parcelë afër zyrave të Hidroregjionit te tregu i qytetit dhe se tash zyra dhe depoja do të jenë afër njëra-tjetrës.

Tahir Kolgeci, drejtor i Ekoregjionit thotë se kjo kompani është në pronësi të komunës dhe si e tillë komuna e ka për obligim t’i bëjë zgjidhje.

Drejtori i drejtorisë për pronë e kadastër po ashtu rrëfen se ka shumë hapësira komunale të dhëna në shfrytëzim, sikurse te rasti i biznesit të Naim Gashit, por rasti i  Gashit është i vetmi që pas 33 vjetësh i kërkohet të largohet.    

“Kërkoj që komuna të mos më qesë në rrugë, të më bëjë një zgjidhje, pasi me këtë biznes unë i mbaj 15 anëtarë të familjes dhe nëse më largojnë nga kjo pronë pa me ndihmuar me një lokacion tjetër, atëherë mjer për familjen time” ankohet Naim Gashi pronari i lokalit.

“Do ta bëjmë të pamundur që t’i japim afat shtesë, derisa të bëhet një zgjidhje e ligjshme”, thotë zyrtari komunal Agim Bytyqi.

Naim Gashi si arsye për t’i ndihmuar përmend edhe faktin se gjatë shfrytëzimit të pronës komunale rregullisht i ka paguar taksat.