Nuk i Durojnë Delet e Fqinjit (TV)

Muhamet Hyseni banor i lagjes “Arbëria“ të Gjilanit ankohet se fqiu Tefik Sylejmani me 500 delet e tij e ka dëmtuar parkun e lagjes, i cili tash sipas tij as që ekziston fare.

Ai thotë se është ankuar edhe në inspektorat, për erën e keqe, për mizat  dhe  rriqrat që sipas tij janë shumuar për shkak të deleve të fqinjit.

Hyseni pretendon se edhe uji nëpër bunarë është ndotur për këtë shkak dhe shton se delet edhe bëjnë zhurmë të madhe.

Muhameti ankohet se në këtë pronë të komunës ishin ndërtuar disa shtëpi, të cilat komuna menjëherëë i kishte prishur .

“E kur është në pyetje problemi i jonë komuna nuk ndërmerr asgjë”, thotë Muhamet Hyseni.

Edhe Hamit Fetinici banor i kësaj lagjeje tregon se pjesa e tokës në fjalë ka qenë pronë e shtetit.

“Ne kemi biseduar edhe me pronarin, por ai na ka thënë se nuk ka ku me i çu delet.  Vitin e kaluar edhe me tel e ka thurrur vendin , e cila është tokë e komunës” thotë Fetinici.

Ankesave të fqinjëve të vet u bashkohet edhe Tefik Toska, i cili thotë se një projekt për vazhdimin e  ndërtimit të parkut është ndërprerë, për shkak të mosmarrëveshjeve me fermerin Tefik Sylejmani.

E ky i fundit thotë se është i vetëdijëshëm që është duke i penguar fqinjët e tij.

“Por nuk kam ku t’i çoj delet. Le të ma bëjnë një zgjidhje dhe unë menjëherë do t’i heqi. Ndoshta [fqinjët]kanë të drejtë, por nuk mujnë me më largu se unë jam që 26 vite ktu. Para lufte kam mbajt dele ktu dhe prapë jena duke u marrë me këtë punë. 22 anëtarë të familjes jetojnë prej kësaj pune”, thotë ai.

Ai i akuzon fqinjët e tij se i kanë djegur disa duaj sanë dhe e kanë dëmtuar mbi 17 mijë euro, ndërsa shton  se ka aplikuar në Ministrinë e Bujqësië për t’i ndërtuar një stallë.

Edhe inspektorati i komunës së Gjilanit është i njoftuar me rastin .

Sylejman Selishta shef i sektorit të shërbimeve publike për komunikacion dhe ambient  në komunën e Gjilanit thotë se me 21 prill 2013 në Drejtorinë e Inspektoratit është regjistruar një ankesë nga disa qytetarë të lagjes “Arbëria“.

Një muaj më vonë Inspektorët kanë dalë në vend ngjarje.

“Inspektorët kanë konstatuar se Tefik Sylejmani ka të vendosur në pronën komunale dele, pula si dhe stallën me material të dobët ndërtimor, për strehimin e deleve dhe shpezëve”, thotë Selishta .

Por sipas tij, më vonë drejtoria e inspektoratit ka vërtetuar se nuk bëhet fjalë për pronë komunale, por për pronë që menaxhohet nga Agjensia Kosovare e Privatizimit.

Në një dokument të siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë shihet se ish-Kombinati Bujqësor Industrial “Agrokultura“ në Gjilan, me 16 tetor 2009 i kishte lëshuar një vërtetim Tefik Sylejmanit, me të cilin i mundësohej që të mbikëqyrë ekonominë e “Zabelit të Sahit Agës“  dhe të kullosë bagëtinë, përjashtimisht ngastrave kontestuese.

Vërtetimi i ishte lëshuar deri sa të privatizohet kjo ekonomi , e cila ishte në fazën e  privatizimit.

“Vërtetimi i lëshohet edhe për arsye se pjesës dërrmuese të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje u është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të procesit të privatizimit dhe se ngastra ka nevojë për mbikëqyrje të përhershme për shkaqe subjektive dhe objektive, të aspektit të tentimeve për uzurpime”, thuhet në vërtetimin e lëshuar nga KBI “Agrokultura”.

Ndërsa Naser Haliti zëvendësdrejtor i KBI “Agrokultura“, në Gjilan, thotë se nga Agjensioni Kosovar i Privatizimit kanë pasur një kërkesë për të përcaktuar- vërtetuar  se kujt i takon ngastra kadastrale numër 1642.

“Pas marrjes së shkresës kemi dalë në vendngjarje dhe kemi vërtetuar se kjo është pronë e komunës”, thotë Haliti.

Ai thotë se vërtetimi i është lëshuar Sylejmanit për t’i shfrytëzuar vendet e lira , pra në vendet jokontestuese dhe atë për sezonën 2009/2010, por jo edhe për ngastrën në fjalë.

“Për ngastrën 1642 nuk e kemi lëshuar lejen sepse nuk është pronë e jona , ajo është pronë e komunës.  Tefik Sylejmani  vërtetimin  e ka keqpërdorë për me pas një bazë, kinse nuk jam uzurpator”, thotë zëvendësdrejtori i KBI “Agrokultura”.

 Ai tha se në bazë të regjistrit gjegjësisht elaboratit  mbi pronat e KBI “Agrokultura”, kishin vërtetuar se kjo ngastër nuk evidentohet në librat pronësoro- juridike të kësaj ndërmarrjeje. 

Haliti po ashtu tregoi se me 16 tetor 2009 është bërë pagesa në shumën prej 400 eurosh nga Tefik Sylejmani në KBI “Agrokultura“ për marrjen dhe shfrytezimin e kësaj kullose për një vit.