Serbët Festojnë 624 Vjetorin e Vidovdanit (TV)

Në manastirin e Deçanit dhe në Graçanicë fillimisht janë mbajtur meshat kushtuar kësaj feste.

Në meshën e manastirit të Deçanit të pranishëm ishin edhe zyrtarë serbë ndër ta zëvendëskryeminstri Aleksandar Vuçiq,  zyrtari ndërlidhës në Prishtinë Dejan Paviçeviq, këshilltari i kryetarit të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Në Graçanicë, një numër autobusësh me vizitorë kishin ndaluar para manastirit të këtij qyteti, ndërsa vizitorët derisa hynin në brendi të kishës bekoheshin nga patriarku serb Irinej.

Ata më vonë i janë drejtuar Gazimestanit ku kanë marrë pjesë në ritualin e kësaj feste.

Rreth 20 autobusë disa prej tyre me regjistrim të Serbisë kanë arritur në Gazimestan.

Të rinj pjesëmarrës para fillimit të ritualit, me zë të lartë ndër të tjera brohorisnin thirrjen “Kosova është zemra e Serbisë”.

Për dallim nga viti i kaluar kur pjesëmarrësit ishin detyruar të heqin çdo shenjë nacionaliste, që mund të provokonte prishjen e rendit dhe qetësisë, këtë herë nuk janë parë fanella dhe parulla me përmbajtje nacionaliste.

Patriarku serb Irinej pas ritualit të pranishmëve u ka thënë se nuk duhet të harrohet Kosova.

“Mos ta harrojmë Kosovën dhe Metohinë, mos ta harrojmë këtë vend të shenjtë që është e mbuluar me gjak dhe që na përkujton një të vërtetë të madhe që na e kanë lënë se si njeriu duhet dashur popullin dhe atdheun e vet”, tha Patriarku Irinej.

Policia e Kosovës për ditën e sotme kishte përgatitur urdhër operativ për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e këtij manifestimi.

Forca të shumta policore kanë qenë të pranishme përgjatë magjistrales Prishtinë – Mitrovicë dhe rrugës Prishtinë – Graçanicë.

Policia e Kosovës rreth orës 16 ka njoftuar se pas përfundimit të manifestimit në Gazimestan rreth orës 14:16 është raportuar për një incident në fshatin Mazgit, ku janë thyer dy xhama dhe një pasqyrë e autobusëve, të cilët kanë qenë në kthim e sipër nga manifestimi i Gazimestanit.

Sipas policisë si pasojë e këtij incidenti një person ka pësuar lëndime kryesisht të lehta, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore.

Megjithatë, Policia e Kosovës thotë se ky incident nuk ka ndikuar në sigurinë e përgjithshme.