Ferizajasit Ndryshojnë Lokalet për Duhanin (TV)

Inspektorët e Inspektoratit Komunal të Ferizajt nuk po nguten për të shqiptuar gjoba ndaj atyre që nuk respektojnë ligjin antiduhan.

Më 22 maj të vitit 2013 hyri në fuqi ligji që ndalon qind për qind konsumimin e duhanit nëpër të gjitha hapësirat e mbyllura publike kosovare.  Ligji gjithashtu ndalon ekspozimin  e këtij produkti nëpër marketet kosovare.

Enver Sopa, inspektor ferizajas për Gazetën Jeta në Kosovë tregon se ai dhe kolegët e tij ende nuk kanë shqiptuar ndonjë gjobë ndaj atyre që shkelin ligjin kundër duhanit.

“Nuk kemi dashur të shkojmë në formë ekstreme menjëherë me gjoba, por jemi duke u ofruar bashkëpunim bizneseve, sepse kështu zbatohet ligji më së miri”, tha Sopa. 

Ai më pas bëri me dije se do të shpërndahen edhe broshura me të cilat qytetarët do të njoftohen rreth zbatimit të ligjit kundër duhanit.

Përveç inspektorëve të inspektoratit komunal, zbatimin e këtij ligji duhet ta mbikëqyrin edhe inspektorët e tregut, të shëndetësisë, të arsimit dhe policia.

Me hyrjen në fuqi të ligjit antiduhan, disa nga pronarët e lokaleve të frekuentuara ferizajase kanë filluar t’i ndryshojnë ambientet e tyre, duke shtuar hapësira të hapura për t’u bërë vend duhanxhinjve, që nuk mund ta shtyjnë kafenë pa cigare.

Një gjë të tillë po e bëjnë restorant-bari “Orchide” dhe lokali “Academy”, por pronarët e tyre  ankohen se hapja e një pjese të hapësirës mund të ndikojë negativisht në punë. 

Ismet Hajdari, pronar i një lokali në Ferizaj tregon se u ka bërë vend duhanxhinjve në verandën e lokalit të tij.

“Na ka ra me investu pak ma shumë në verandë, për shkak të ligjit të ri të duhanit. Qytetarët po  e respektojnë ligjin, brenda nuk pihet duhani”, thotë Hajdari.

Ligji për kontrollin e duhanit u miratua nga Kuvendi i Kosovës në seancën e katër prillit të këtij viti, pa asnjë votë kundër të deputetëve, ndërsa u nënshkrua nga presidentja Jahjaga më 26 prill.