Helmohen 17 Kadetë të Policisë (TV)

Mjeku kujdestar Bahtir Visoka tha se njëri prej tyre është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm, për shkak se gjendja e tij ka qenë më e rëndë, ndërsa 16 të tjerët janë në gjendje më të lehtë dhe janë kthyer në konvikte.

“Rreth orës 21:00 në emergjencë kanë kërkuar trajtim mjekësor disa kadetë të Policisë së Kosovës që dyshohet se kanë probleme të helmimit. Të njëjtit janë nën kujdes mjekësor dhe u është dhënë terapi orale që ka të bëjë kryesisht me kompensimin e lëngjeve të humbura”, ka deklaruar  doktor Visoka rreth mesnatës ndërmjet së martës dhe së mërkurës.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë, Ismail Smakiqi, tha se ky helmim është i lehtë dhe mund të thuhet se është një aksident që u ka ndodhur kadetëve të kësaj gjenerate.

“Pas ofrimit të ndihmës së parë kadetët janë nën kujdes të shtuar në konviktet e kësaj akademie, dhe brenda kësaj jave sipas këshillave mjekësore pritet që të gjithë t’u kthehen trajnimeve bazë për cilat kanë ardhur”, tha Smakiqi.

Ai tha se ky helmim ka ardhur nga ushqimi i mensës që vepron në kuadër të këtij institucioni dhe se edhe më herët ka pasur ankesa nga kadetët për nivelin e ushqimit.

Kompania Ben-af e ka fituar para dy vjetësh tenderin për ushqyeshmërinë e kadetëve të Policisë së Kosovës.

“Ne konform përgjegjësisë kemi marrë masa duke i shqiptuar vërejtje gojore, por edhe me shkrim”, tha Smakiqi.

Drejtori tha se sipas konsultave të para mjekësore bëhet fjalë për helmim nga ushqimi, por se janë në pritje të rezultateve të analizave përfundimtare.

“Pastaj do dalim me qëndrime se si do të veprohet lidhur me këtë situatë”, thotë ai.

Gjenerata e 45-të e kadetëve të Policisë së Kosovës ka filluar trajnimin në fillimin e këtij viti dhe numri i pjesëtarëve të kësaj gjenerate është rreth 150.

AKSP-ja vepron si agjencion ekzekutiv i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ofron trajnime themelore dhe të specializuara për Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave si dhe për institucione tjera të sigurisë publike.