Po Numërohen Kutitë. Prin e Majta

(E plotësuar)

Aleanca për Shqipërinë Europiane e drejtuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë është duke prirë në njëmbëdhjetë nga dymbëdhjetë qarqet zgjedhore të Shqipërisë, duke ia lënë epërsinë Aleancës për Punësim, Mirëqenie e Integrim të të djathtëve vetëm në qarkun e Kukësit, pjesë e së cilit është edhe Tropoja, vendlindja e kryeministrit Berisha.

Sipas të dhënave të dala nga KQZ-ja para një ore të majtët kanë një epërsi prej 12-14 për qind në nivel vendi, nga kutitë dhe qendrat e votimit që janë numëruar deri tash.

Befasi konsiderohet përparësia që socialistët dhe aleatët e vegjël të tyre kanë në qytetin e Shkodrës që tradicionalisht konsiderohet bastion i të djathtëve.

Në qarkun e Shkodrës sipas KQZ-së, deri tash janë numëruar votat e 82 nga 417 qendrat e votimit, ndërsa aleanca e majtë ka fituar 56.53 për qind të votave të numëruara, e të djathtët vetëm 41.47 për qind të tyre.

Një përparësi të ngjashme Aleanca për Shqipërinë Europiane ka në qarqet e Tiranës, Elbasanit e Durrësit, ndërsa epërsia e kësaj aleance në qarqet e jugut të Shqipërisë është edhe më e lartë.

Në Vlorë ku deri tash janë numëruar votat e 86 vendvotimeve nga 432 qendra të tilla sa ka kjo zonë, për koalicionin e majtë kanë votuar 64.34 për qind, ndërsa për të djathtët vetëm 30. 84 për qind.

Njësoj si në Vlorë, në epërsi të lartë për kutitë dhe qendrat e votimit të numëruara deri tash, socialistët ndodhen edhe në qarqet e Beratit, Fierit dhe Gjirokastrës.

Këtë përparësi të të majtëve duket se e ka shkaktuar Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës që ka shënuar rritje të votuesve në krahasim me zgjedhjet e 2009-ës, ndërsa deri në muajin prill ishte në koalicion me PD-në e Berishës.

Exit Poll-e të Përziera Ndërsa Blloqet Deklarojnë Fitoren

IPR Marketing në bashkëpunim me “Ora News” ka dhënë rezultatet e para të Exit Poll-it të cilat nxjerrin Aleancën për një Shqipëri Europiane, që është një koalicion i 37 partive të opozitës të bazuara në Partinë Socialiste, fituese me 52-56 për qind të votave. Edhe kreu socialist Edi Rama e ai i LSI-së Ilir Meta shpallën fitoren e së majtës. Por, Civitas Albania nxjerr të djathtët fitues. Fitoren e deklaroi edhe Partia Demokratike.

Sipas Exit Poll-it Aleanca për Prosperitet, Punësim dhe Integrim, që është një koalicion i 25 partive të qendrës dhe të qendrës së djathtë në bazë të Partisë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha, merr 39-43 për qind të votave.

Kryetari i Partisë Socialiste tha se qeveria e ardhshme do të jetë e aleancës së majtë dhe e quajti Sali Berishën “Kryeministër në largim”.

Pohimet i hodhi poshtë menjëherë aleanca e djathtë, përmes Majlinda Bregut, e cila tha se në fakt “Edi Rama ka pësuar humbje spektakolare”.

“Ai është një kopje e keqe e vehtes”, tha Bregu. “Ka bërë kësi deklarimi më parë dhe e bëri sërish, por e vërteta është se e djathta është votuar masivisht”.

Disa minuta më vonë, një Exit Poll tjetër, i kryer nga Civitas Albania, pohoi se koalicioni i djathtë fitoi 48 për qind të votave në krahasim me 46 për qind të të majtës.

Por kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta që i është rikthyer së majtës shqiptare, pasi deri në muajin prill bashkëqeverisi me Sali Berishën, pas sondazhit që i nxori fitues të djathtët, doli publikisht e tha se e majta ka shënuar fitore të thellë.

Meta shprehu bindjen e tij se e majta ka fituar më së paku tetëdhjetë mandate, nga 140 sa ka Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa sipas tij LSI-ja në parlamentin e ri do të ketë 15-20 deputetë.

Procesi zgjedhor është karakterizuar me një tension brenda vendvotimeve, konstatojnë në Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë, derisa raportimet nga ky koalicion, platforma “Za’lart” dhe mediat për parregullsi kanë qenë të vazhdueshme.

Incidenti më i rëndë që karakterizoi këto zgjedhje ishte ai në Laç, ku te vendvotimi në shkollën “At Shtjefën Gjeçovi” gjeti vdekjen 53-vjeçari Gjon Gjoni, përkrahës i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa Mëhill Fufi, kandidat i Partisë Demokratike ka mbetur i plagosur. Po ashtu është lënduar edhe një tjetër person, i afërt me kandidatin e PD-së.

Dita është karakterizuar me votime familjare, lëshim demonstrativ të pozitave të komisionarëve në disa vend-votime, ndikim të njerëzve nga jashtë vendvotimeve kundrejt votuesve që t’ja hedhin votën një partie të caktuar.

Është paraqitur edhe fenomeni i fotografimit të votës, që kryesisht bëhet për ta dëshmuar se për kë votoi. Këto fotografi votuesit shqiptarë kanë filluar t’i shpërndajnë edhe nëpër rrejte sociale.

Po në rrejte sociale është “thyer” edhe heshtja zgjedhore. Si nga Edi Rama, ashtu dhe nga Sali Berisha. Ata në faqet e  tyre zyrtare në “Facebook” kanë bërë fushatë.

“Fitoreeeeeeeee! Nr. 44 ju pret të gjitheve! Nr. 44 pret çdo votë! Përpara drejt fitores!”, shkruajti Berisha rreth orës 17 pasdite.

“Votoni votoni votoni! Rilindja është tek pragu. Shtrojani rrugën e mbetur me sa më shumë vota akoma. Kjo është edhe mbrojtja më e sigurt e votës. Dyfishimi, trefishimi, shumëfishimi i votës tënde!”, shkroi Rama jë orë e gjysmë më vonë.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë tha se deri në orën 18:00 kanë votuar rreth 51 për qind e votuesve shqiptarë.

E plotësuar 17:55:
Shqipëri – Votoi 44.7% e Trupit Elektoral. Një Person i Vrarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se deri në orën 16:00 në zgjedhjet në Shqipëri kanë dalë 44.7 % e votuesve. Një aplikacion për telefonat mobil i lansuar nga International Foundation Reference mundëson marrjen e të dhënave për pjesëmarrjen e votuesve katër herë në ditë. Vëmendje e madhe në këtë proces i është kushtuar një incidenti në Laç, ku mbeti i vrarë një  përkrahës i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërsa një kandidat i Partisë Demokratike ka mbetur i plagosur. Platforma “Za’ Lart” ka publikuar gjatë ditës disa raporte për incidente e parregullsi.

Pjesëmarrja në votime në qëndrat e votimit të cilat kanë dërguar të dhëna sipas KQZ-së deri në orën 16:00 është 44.7%.

E plotësuar më 13:30 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se deri në orën 13:00 votoi 34 për qind e trupit elektoral shqiptar.

(E plotësuar më 23.06.2013 12:50:35)

Sipas Koalicionit Vëzhgues Vendor të zgjedhjeve në Shqipëri, i përbërë nja një grup organizatash jo-qeveritare, dalja e votuesve në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në nivel vendi ka qenë e lartë. Deri në mesditë ka votuar 23 % e trupit elektoral.

Drejtues të këtij koalicioni kanë thënë se “Klima duket si e qetë, por ka presion të brendshëm, presion i provokuar nga grupet që qëndrojnë afër qendrave të votimit”.

Ata kanë thënë edhe se vëzhguesit e tyre kanë vërejtur se ka pasur qendra që nuk janë hapur me kohë dhe kryesisht kanë të bëjnë me parregullsi në sistemonin e materialit zgjedhor, por nuk përjashtohen edhe raste kur fajtorë kanë qenë tërheqjet e komisionevrëve të PS-së.

Po ashtu ka pasur raste kur jashtë qendrës së votimit persona kanë ndikuar në votues duke i orientuar se për cilën parti të votojnë. Shqetësuese për koalicionin kanë qenë rastet kur është votuar pa kartelë identiteti.

Për të ofruar të dhëna për numrin e votuesve në kohë reale, International Foundation Reference ka lansuar në “App-Store” dhe për telefonat “Android” një aplikacion ku mund të merren këto të dhëna të plotësuara katër herë brenda kësaj dite.

Në ndërkohë, incidenti më i rëndë në pjesën ë parë të ditës së votimeve në Shqipëri është shënuar në Laç. Siç raporton “News 24”, jashtë qendrës së votimit në shkollën “At Shtjefën Gjeçovi”, 53-vjeçari Gjon Gjoni, përkrahës i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa Mëhill Fufi, kandidat i Partisë Demokratike ka mbetur i plagosur. Po ashtu është lënduar edhe një tjetër person, i afërt me kandidatin e PD-së. 

Në Laç pas incidentit kanë shkuar edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

“Kjo është një përpjekje për të trembur njerëzit dhe për të ndryshuar vullnetin e popullit shqiptar. Ne do të garantojmë votën e vullnetit të popullit. Policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe zgjedhjeve”, tha Rama.

Ndërsa Meta kërkoi marrjen e masave për të ndaluar përgjegjësit, kurse bëri një akuzë të rëndë për policinë, që po mbështet kriminelët.
“Policia e shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve në favor të Partisë Demokratike. Sali Berisha nuk ikën dot nga pushteti pa gjak. Do të mbrojmë votën në Laç, Mamurras dhe gjithë Shqipërinë”, tha Meta.

Ndërkohë, parregullsi në vazhdimësi po raportohen në platformën “Za’Lart”.

Aty janë publikuar një sërë lajmesh të verifikuara që flasin për akte të natyrës si keqpërdorim i institucioneve dhe aseteve publike, dëmtim i materialeve të komisioneve zgjedhore, cenim i të drejtës së votës dhe fshehtësisë së saj duke vendosur kamera sigurie në kabinat e votimit, keqpërdorim i policisë së shtetit etj.

Botuar më: 23.06.2013 08:42:35

Shqipëria Nis Votimet

Qendrat e votimit në Shqipëri janë hapur në ora 7:00 ndërsa u bë thirrje për votime sa më masive. Në këto zgjedhje, të tetat pas rënies së komunizmit, garojnë 66 subjekte politike. Blloqet dominuese janë Aleanca për një Shqipëri Europiane që është një koalicion i 37 partive të opozitës rreth Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe koalicioni i 25 partive të qendrës dhe të qendrës së djathtë rreth Partisë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha.

Vendvotimet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, të tetat që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, siç ishte planifikuar, janë hapur në orën shtatë.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Lefterie Lleshi, hapi në mënyrë simbolike një qendër votimi në Tiranë ku bëri thirrje për dalje sa më masive.

Në këtë garë po marrin pjesë 66 subjekte politike të regjistruara dhe dy subjekte të pavarura. 

Blloqet kryesore Aleanca për një Shqipëri Europiane është një koalicion i 37 partive të opozitës të bazuara në Partinë Socialiste të Edi Ramës, ku përfshihet edhe Lëvizja Socialiste për Integrim e cila u nda nga socialistët në vitin 2004 dhe mbështeti qeverinë e Sali Berishës deri në prill të këtij viti. Si dhe Aleanca për Prosperitet, Punësim dhe Integrim që është një koalicion i 25 partive të qendrës dhe të qendrës së djathtë nën drejtimin e Partisë Demokratike të Kryeministrit aktual Berisha.

Gjithashtu në garë merr pjesë edhe Aleanca Kuq e Zi, një parti nacionaliste e themeluar në mars 2012, e udhëhequr nga Kreshnik Spahiu, dhe Fryma e Re Demokratike, një parti e qendrës së djathtë e udhëhequr nga ish-Presidenti Bamir Topi (2007-12).

Sipas International Foundation for Electoral Systems numri i peronave me të drejtë vote në Shqipëri është mbi 3.2 milionë, derisa votues të rinj janë 150 mijë. Sipas rregullave elektorale në Shqipëri për zgjedhjet në këtë vend mund të votojnë edhe personat me nënshtetësi të dyfishtë – mjafton të kenë pasaportën shqiptare.

KQZ-ja nuk ka dhënë ndonjë shifër por besohet se numri i kosovarëve me të drejtë vote sillet në rreth 20 mijë.

Janë gjithsej 5508 qendra të rregullta votimi. Vendi është i ndarë në 12 qarqe dhe secili ka garuesit e vetë. Qarku i Tiranës do të nxjerrë 32 deputetë, kurse ai i Kukësit, qarku më i vogël shqiptar, do të nxjerrë 4 sosh.

Sivjet janë hapur edhe 19 qendra ad-hock të votimit nëpër burgjet e Shqipërisë.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga rreth 8 mijë vëzhgues vendas dhe rreth 1 mijë ndërkombëtarë, derisa numri i policëve që janë  angazhuar të ofrojnë siguri dhe rend në vendvotime është 6200.
Shqipëria është një republikë parlamentare, në të cilin kryeministri kontrollon ekzekutivin. Ajo ka një dhomë të vetme-parlamentare (Kuvendi i Republikës së Shqipërisë) me 140 ulëse. Parlamenti zigjet për mandat katër vjeçar.

Zgjedhjet po mbahen edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka përfaqësues të opozitës.

Ky komision shtatë-anëtarësh  është zgjedhur nga parlamenti në vitin 2012, duke e përfshirë edhe tre propozime nga koalicioni qeverisës, tre nga opozita, dhe një karrige të pavarur, por pasi Lëvizja Socialiste për Integrim tërhoqi mbështetjen e saj për qeverinë në prill, parlamenti ka zëvendësuar përfaqësuesin e saj në komisionin me një nga koalicioni qeverisës.

Opozita argumentoi se kjo lëvizje ishte e paligjshme dhe tre përfaqësues të saj dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, por ajo vazhdoi garën elektorale.

Komisioni aktualisht ka vetëm katër anëtarë – më pak sesa kërkesat minimale të funksionimit, prej pesë anëtarësh.

Opozita gjatë fushatës gjithashtu ka vënë në pikëpyetje saktësinë e listave të zgjedhësve.

Socialistët kanë thënë se ajo përfshin 25,874 dublikime dhe se 352,237 votues janë regjistruar pa një adresë të saktë.