Zhugolli Prapë me Padi Kundër “Zërit”

Kompania I&A me pronar Bejtush Zhugollin pretendon se e përditshmja Zëri, përmes shkrimit “Zëri paraqet faktet” të botuar më 27 maj 2012, ka shpifur ndaj saj dhe i shkaktuar dëm prej 33 mijë e 688 eurosh. 

Shuma e kompensimit e cila fillimisht ishte 300 mijë euro është zvogëluar nga kompania I&A për dhjetë herë një vit pas parashtrimit të padisë kundër gazetës Zëri.

Kështu ka bërë të ditur avokati i paditësit Xhevat Bici në seancën gjyqësore të mbajtur të martën. 

Shkrimi kontestues i autores Selvije Bajrami ishte raportim nga gjykata për rastin Pejton kundër gazetës Zëri, ku kjo e fundit ishte paditur për shpifje në një rast tjetër.

Në këtë rast Bejtush Zhugolli, pronar i kompanisë Pejton, pretendonte se gazetarja e Zëri-t Arbana Xharra kishte shpifur në artikullin “Baballarët e tendervë në Kosovë”.

Xharra në  shkrim shkruante se kjo kompani ishte financuese e Partisë Demokratike të Kosovës dhe përfituese e tenderëve publik. Në janar të këtij viti Gjykata Ekonomike vendosi se Zëri nuk kishte bërë shpifje. 

Derisa po zhvillohej gjykimi në rastin e kompanisë Pejton, gazetarja Selvije Bajrami pas njërës prej seancave gjyqësore kishte shkruar se “Gazeta Zëri ka prezantuar në Gjykatën Ekonomike faktet, ku bëhet e ditur se Bejtush Zhugolli ka financuar PDK-në në fushatën e vitit 2009 dhe njëkohësisht kompania e tij I&A ka fituar tenderë nga KEK-u dhe se është në listën e zezë të kësaj të fundit, të cilat i kishte mohuar Zhugolli”.

Kjo është fjalia që kontestohet nga kompania I&A.

Në padi thuhet se “për këtë artikull e paditura nuk ka dhënë sqarim se ku e ka marrë këtë burim” dhe se “nuk është e vërtetë se paditësja [I&A] gjendet në listën e zezë të KEK-ut”.

Si rezultat i këtij shkrimi “subjekte të ndryshme kanë filluar që të reagojnë në mënyrë negative dhe kjo shihet me dyshime të ndryshme rreth afarizmit të paditëses”, thuhet në padi. 

Lidhur me dëmin financiar është bërë ekspertiza financiare, sipas së cilës kjo kompani për shkak të publikimit të këtij artikulli gjatë 2012-ës ka lidhur vetëm dy kontrata, kurse partneri i saj nga Gjermania ka ndërprerë bashkëpunimin. 

Sipas ekspertit financiar Ali Gagica kompensimi në vlerë prej 33.688,40 euro do të ishte real.

Avokati i gazetës Zëri, Bajram Sherifi, kundërshtoi në tërësi ekspertizën dhë kërkoi që eksperti të ftohet në gjykatë në mënyrë që t’i bëhen pyetje direkte rreth ekspertizës.

Gjykatësi i rastit Asllan Krasniqi aprovoi kërkesën e avokatit Sherifi dhe seanca e rradhës do të mbahet më 11 korrik 2013.

Seanca, në të cilën nuk kishte pothuajse fare publik, u mbajt në objektin e ish gjykatës për kundërvajtje.