Frika Nga Autoritarizmi Në Turqi

Protestat në Turqi filluan kur policia turke në Stamboll tentoi t’i largonte protestuesit nga parku Gezi, afër sheshit Taksim, në mënyrë që aty të fillonin punimet për ndërtimin e një qendreje tregtare.

Përplasje në mes protestuesve dhe policisë pati edhe të marten anembanë qyteteve kryesore të Turqisë, përfshirë edhe kryeqytetin turk Ankaranë, raportojnë mediat e huaja.

Deri më tani 4 persona humbën jetën si pasojë e këtyre përleshjeve: 3 protestues dhe një polic. 

Kryeministri turk Rexhep Tayyip Erdogan të martën i quajti “plaçkitës” protestuesit duke shtuar se të gjithë ata që i mbështesin janë të familjes së njëjtë. “Ne jemi të durueshëm dhe po vazhdojmë të jemi të tillë, por durimi ynë ka kufi” deklaroi kryeministri turk.

Në mbështetje të protestuesve doli edhe shkrimtari i njohur turk Orhan Pamuk. Nobelisti Pamuk në shkrimin e tij dedikuar ngjarjeve të fundit në Turqi kujtoi kohën kur ai gjithashtu kishte marrë pjesë në manifestimet e 1 Majit në sheshin Taksim viteve të 70-ta.

 “Qeveria ndaloi protestat pikërisht me 1 maj të këtij viti. Në anën tjetër vendosi që të ndërtojë një qendër tregtare në parkun Gezi.  Të gjitha këto ndryshime janë bërë pa pyetur qytetarët e Stambollit dhe ky është një gabimi i madh”, shkroi shkrimtari.

Komisionari i lartë për zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule kritikoi mënyrën se si Turqia po menaxhon protestat e fundit në këtë vend. Fule deklaroi se protestuesit në shoqëritë demokratike kanë të drejtë të organizojnë demonstrata paqësore dhe se brutaliteti policor është i papranueshëm.

“Përdorimi i tepërt i forcës policore kundër këtyre demonstratave nuk ka vend në një demokraci të tillë” tha Fule.

Që disa dekada Turqia vazhdon të jetë vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Puthjet në metronë turke dhe protesta kundër puthjeve

Në maj të këtij viti parlamenti turk, i prirë nga kryeministri Erdogan, miratoi ligjin për ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike në vende publike prej orës 22 deri 06 të mëngjesit. Ligji ka hyrë në fuqi më 10 qershor pasi është nënshkruar nga presidenti turk Abdullah Gul.

Kryeministri Erdogan i cili njihet për admirimin e tij ndaj fesë islame deklaroi më pas se jogurti i kripësuar, ajrani, është pija “kombëtare” e turqve.

Një vendim tjetër kontrovers i marrë gjatë muajit maj nga autoritetet e Ankarasë ndaloi puthjen e çifteve në vende publike.

Mediat në Turqi raportuan se autoritetet e transportit nëntokësor në Ankara vendosën njoftime që kërkonin nga pasagjerët të “sillen në parim me rregullat morale”.

Si reagim dhjetëra çifte protestuan në Ankara duke u puthur brenda sistemit të transportit nëntokësor me qëllim që të sfidojnë rregulloren e re mbi “moralin”.  Protestues tjerë pro islamit, protestuan gjithashtu kundër mbajtjes së këtij tubimi.

Një vendim i ngjashëm kishte ekzistuar edhe në Angli nga mbreti Henry IV në vitin 1439.

Ekin Gayretli, mjek dhe pjesëmarrës në protestat e fundit në Stamboll, thotë për gazetën Jeta në Kosovë se protestuesit nuk po demonstrojnë  për shkak se është rrezikuar sekularizimi, por për shkak të frikës nga autoritarizmi.

“Erdogani erdhi në pushtet duke premtuar më shumë demokraci. Megjithatë, ai vazhdoi me traditën e shtetit turk, me kulturën e pushtetit të koncentruar te ‘një njeri’”, shton ai. 

“Thënë shkurt…problem i qëndrimit të kësaj qeverie është që po injoron çdo kërkesë të adresimit përmes demokracisë pjesëmarrëse e cila zhgënjeu komunitetet që mbështeten Erdoganin i cili kishte qene i dënuar për shkak të leximit të poezive,” thotë Gayretli për gazetën.

Erdogan ishte dënuar me 4 muaj burgim nga një gjykatë e shkallës së dytë në vitin 1999 për “nxitje të urrejtjes bazuar nga përkatësia fetare” , një vit e gjysmë pas fjalimit të tij të mbajtur në Siirt.