MTI Mposht “Gorenjen...” Në Gjyq

Pas një ripërtëritjeje të trefishtë të seancës përgatitore, si rezultat i ndërrimit të gjyqtarëve, Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti Ekonomik solli përfundimisht vendim lidhur me rastin “Gorenje Elektromotorin.”

Gjykata me aktgjykim të martën refuzoi në tërësi si të pabazuar kërkesëpadinë e “Gorenje Elektromotorit” lidhur me kompensimin e dëmit material për fitimin e humbur, të cilin  kompania kërkonte t’ia kompensonte Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Një vendim të tillë gjykata e bazoi në Ligjin për marrëdhënie të detyrimeve të vitit 1978, duke theksuar se nga provat e administruara rezulton se në rastin konkret “Gorenje Elektromotori” nuk ka qenë e penguar në ndërmarrjen e aktiviteteve për ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.

Kështu pala paditëse sipas vendimit të gjykatës edhe pse kishte statusin e pronarit të padefinuar nuk pati pengesa për punë nga organet e shtetit si dhe zhvilloi aktivitet ekonomik për periudhën e pretenduar, sado i vogël të ketë qenë ai.

“Gorenje Elektromotori”, një shoqëri aksionare gjakovare me rreth 320 punëtorë që merret me prodhim të motorëve të teknikës së bardhë, e kishte paditur Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë (MTI), sepse pretendonte se MTI e ka dëmtuar materialisht, duke mos e regjistruar fabrikën si person juridik, pas shqyrtimit të aplikacionit të saj.

Dëmi, sipas padisë i ishte shkaktuar kompanisë në periudhën 2003-2006.

“Gorenje Elektromotori” pretendonte se si rezultat i mosregjistrimit nga MTI-ja, është detyruar që ta ndërpresë aktivitetin prodhues, ndërsa ka pësuar një dëm material të pariparueshëm.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) rrezikonte të gjobitej me 16 milionë e 442 mijë e 445 euro, sa ka kërkuar paditësja, në emër të dëmit material, kamatës ligjore dhe shuarjes së perspektivës së ndërmarrjes.

Gorenje ishte një nga shtatë ndërmarrjet gjakovare që i kishin hyrë transformimit në shoqëri aksionare herët gjatë viteve 90’, në kohën kur kryeministër i ish-Jugosllavisë ishte Ante Markoviqi, i njohur për përkrahjen e reformave drejt ekonomisë së tregut.

Gjakovarët pretendojnë se rreth 7 mijë e 100 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve, të cilët kanë punuar aty prej vitit 1990 deri më 1998, kanë pronësinë mbi aksionet përkatëse dhe se kjo duhej t’u njihet nga autoritetet vendëse.

“Gorenje Elektromotori ” paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi.