Ligjvënësit Kërkojnë Sqarime për Marrëveshjen e Brukselit

Me propozimin e anëtarëve të komisionit, Halit Kraniqi (PDK) dhe Ardian Gjini (AAK), Komisioni për legjislacion, të martën në takimin e jashtëzakonshëm morri vendim që Qeverisë së Kosovës t’i kthehet  për sqarime të mëtejshme Projektligji për ratifikim të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë përfshirë edhe planin për zbatim të saj.

Vërejtjet kryesore për të cilat ky komision vendosi të kërkojë sqarime nga Qeveria janë unifikimi i gjuhës së dokumenteve si dhe të sqarohet nëse është e domosdoshme që në projektligj të përfshihet edhe plani i zbatimit.

Anëtarët e Komisionit kërkuan që njëra prej gjuhëve zyrtare-shqip, anglisht ose serbisht të caktohej si gjuhë e parë e dokumenteve, në mënyrë që të mos ketë mundësi të ndryshme interpretimi  për shkak të gjuhëve. Po ashtu disa prej deputetëve kërkuan që projektligji për ratifikimin e marrëveshjes të procedohet në Kuvendin e Kosovës ndaras prej planit të zbatimit të marrëveshjes.

Deputeti Halit Krasniqi (PDK) tha se nuk bën të vendoset ngutshëm për një çështje të rëndësishme, duke theksuar se ky projektligj është i pari i një natyre të tillë.

“Më mirë të shtyjmë një vendim të rëndësishëm, sesa të marrim një vendim të gabuar” tha Krasniqi.

Anëtari tjetër Ardian Gjini (AAK) propozoi që sot komisioni t’i drejtohet qeverisë me një letër.

“Propozoj që prapë sot ne t’ia shkruajmë një letër qeverisë dhe t’i kërkojmë në mënyrë eksplicite që përkthimi edhe i marrëveshjes edhe i aneksit (Plani i Zbatimit të Marrëveshjes), të jetë i saktë, ashtu qysh është në gjuhën angleze, e cila është gjuhë e punës për shkak se në atë gjuhë është nënshkruar”, tha Gjini.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu njësoj si në mbledhjen e djeshme, i ka bërë thirrje komisionit që në këtë fazë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar nëse kjo marrëveshje është anti-kushtetuese.

Por, kryetari i komisionit Arben Gashi (LDK), tha se në komision nuk ka një disponim të tillë. Gashi tha se këtë të drejtë deputetja Haxhiu mund ta ushtrojë me Grupin parlamentar të VV-së në kuvend.

Deputetja Haxhiu në anën tjetër, tha se çdo ditë e shtyrjes së ratifikimit të kësaj marrëveshje është e rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Më duhet të them se vendimet e Qeverisë për miratim të projektligjeve mund të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese. Pra objekti është vendimi i Qeverisë për miratim e këtij projektligji” tha ajo.

Anëtari tjetër i komisionit, Behar Selimi (PDK) fillimisht ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia e votimit të këtij projektligji, pa përfshirë pjesën e planit të zbatimit të saj.

Por, ai më vonë është pajtuar që projektligji t’i kthehet Qeverisë.

Por, deputeti Armend Zemaj (LDK), tha se projektligji bashkë me planin e zbatimit ose duhet të votohen në pako, ose duhet të kthehen në Qeveri.

Kryetari i Komisionit Arben Gashi (LDK) ripërsëriti qëndrimin e tij të së hënës kundër propozimit që plani i zbatimit të votohet në pako me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjës për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi.

Sipas tij plani i zbatimi është plan operacional i Qeverisë që nuk ka nevojë për miratim nga parlamenti. 

Komisioni pritet që në mbledhjen e rregullt  të së hënës pasi t’i ketë marrë sqarimet nga Qeveria ta procedojë për miratim në Kuvendin e Kosovës.