Komunat i Afrohen e-Qeverisjes (TV)

Në shërbim të e- qeverisjes që nga prilli i vitit 2012 është vënë në funksion platforma elektronike Kallxo.com.

Në këtë platformë qytetarëve u mundësohet raportimi i rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar, mashtrimit, konfliktit të interesit si dhe rasteve e tjera të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, neglizhencës, mospunës, rrezikimit të të drejtave të qytetarëve dhe gjithçka për çka ata janë të shqetësuar.

Platforma si e tillë, ka për qëllim edhe rritjen e kulturës për e-qeverisje.

Për një vit që nga futja në funksion të kësaj platforme, janë raportuar rreth një mijë raste, nga të cilat kanë dalë si publikime artikuj, reportazhe dhe emisionetë ndryshme.

Raste të raportuara janë dorëzuar edhe në prokurori të shtetit.

Të gjitha rastet e paraqitura në kallxo.com hulumtohen dhe verifikohen nga ekipi hulumtues i cili bën verifikimin e informatave të raportuara.

Baneri i kallxo.com pas një marrëveshje me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal është vendosur në internet faqet zyrtare të të gjitha komunave, duke përhapur edhe më shumë jo vetëm mundësinë e raportimit të korrupsionit dhe ngritjes së nivelit të e-qeverisjes, por edhe komunikimin më të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe zyrtarëve komunalë në lidhje me shërbimet komunale dhe pjesëmarrjen më të lartë në qeverisje lokale.

Pikërisht e-qeverisja, interneti në komuna, kultura e e-qeverisjes komunale, përmbajtjet në internet, faqet e komunave dhe aplikacionet e mediave, janë disa nga pikat që shtjellon raporti mbi transparencën elektronike të Komunave në Kosovë, i titulluar “e-transparenca në komunat e Kosovës”.

Raporti, nxjerr në pah nevojën për presion në komuna nëpërmjet shoqatave dhe Minsitrisë së Adminsitrimit të Pushtetit Lokal në transparencën e komunave për implementim të e-qeverisjes.

 Ky raport po ashtu identifikon se ueb faqet zyrtare të komunave deri më tash nuk ofrojnë transparencë të mjaftueshme për projektet dhe alokimin e parasë publike.

Aktualisht këto ueb faqe janë në shërbim të promovimit të aktiviteteve të Kryetarit të Komunës, kurse planet dhe buxhetet janë të prezantuara dobët.

Raporti thekson se interaktiviteti është i limituar dhe se sfidë konsiderohet mungesa e kulturës për pjesëmarrje në e-qeverisje.

Edhe pse dy të tretat e popullsisë janë të konektuara në internet, sipas raportit kërkesa për e-shërbime është shumë e vogël.

Internews Kosova, botues i këtij raporti ka organizuar një konferencë  javën e kaluar me rastin e publikimit.

Drejtori ekzekutiv i Internews Kosova, Faik Ispahiu, tha se shumica e projekteve të e-qeverive dështojnë, për shkak të mungesës së kulturës së aplikimit të saj, ndërsa theksoi domsodshmërinë e funskionalitetit të e-qeverisjes.

Ai më tutje shpjegoi gamën e gerë të rasteve të raportuara në kallxo.com.
 
“Kallxo.com, përpos mundësisë për raportim të korrupsionit dhe dukurive tjera negative ofron edhe mundësinë që qytetarët të lajmërojnë probleme të natyrës së shërbimeve publike, domethënë është prishë kjo pjesë e kanalizimit, është prishë ujësjellësi, rruga nuk është në rregull, ndriçimi publik, mbeturinat dhe të gjitha gjërat të cilat ne si shoqëri i konsiderojmë që janë përgjegjësi komunale”- tha Ispahiu.

Raporti për e-qeverisje thotë se ajo që shumë komuna nuk e kanë, është një sistem i rregulluar i rrjedhës së informatave në faqen e internetit.

Steliana Nedera përfaqësuese e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuar në Kosovë (UNDP) që është mbështetës i këtij projekti ka folur për ndryshimin e mënyrave të komunikimit dhe nevojën e përshtatjes në format e reja të tij.

“Bota rreth nesh na bën edhe ne që të ndryshojmë, kemi nevojë të përdorim mjetet më të reja në mënyrë që të jemi në lidhje me të rinjtë të dimë çfarë kërkojnë nga ne… të jemi të lidhur me botën”, tha Nedera.

Ispahiu tha se edhe aplikimi i këtyre platformave ka rreziqet e veta si ç’është mundësia e ngulfatjes së iniciativave të tilla nga autoritetet komunale si dhe vandalizmi elektronik, duke hapur llogari të rrejshme elektronike.

Përfaqësues komunalë të pranishëm në këtë konferencë kanë ngritur shqetësim për deklarim të rrejshëm të mundshëm në këtë platformë.

Por Ispahiu shpjegoi se çdo e dhënë që arrin nëpërmjet kësaj platforme ka një filtër në mes, e që janë stafi i Internews Kosovës dhe BIRN-it.

Ai ka shtuar se sfida të tjera për implementim e-qeverisjes është pranueshmëria dhe qëndrueshmëria e kësaj infrastrukture.

Publikimi i këtij raporti është bërë me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNDP) dhe Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë ( Swiss Cooperation Office Kosova).

Kurse, platforma online www.kallxo.com është projekt i përbashkët i organizatave Internews Kosova, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, OJQ-së “LENS” dhe Agjensionit Kundër Korrupsion.