67 Mijë Euro për Range Rover-in e Bashotës (TV)

Komuna e Klinës bleu para tre vjetësh më 2010 një veturë për kryetarin Sokol Bashota e cila kushtoi mbi 67 mijë euro.
 
Komuna specifikoi në kërkesën e saj tenderuese se automjeti duhet të jetë i papërdorur dhe me zero kilometra të kaluara. 

Komuna përzgjodhi për kryetarin Bashota makinë të tipit Range Rover sport 3.6.

Bazuar në procesverbalin e hapjes së tenderit që mban datën 15 shkurt 2010, ishin në konkurrencë tri kompani veturash, nga të cilat fituese kishte dalë kompania “Vali”, nga Prishtina. Kompania kishte pasur ofertë prej 67 mijë e 777 eurosh që është më e lirë se e dy konkurrentëve tjerë.

Ofertë për veturën e Bashotës kishin bërë edhe Kompania “Baholli” e Prishtinës dhe “Profi Auto” e Gjakovës.

E para mori pjesë në tender me 69 mijë e 987 euro, ndërsa e dyta me 71 mijë e 500. 

Kjo blerje e komunës e kërkuar nga kryetari Bashota po kritikohet nga zyrtarë të lartë të Klinës.

Drejtori i Buxhetit dhe Financave në Komunën e Klinës, Refki Krasniqi, për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se që në vitin 2009 ishin zotuar mjetet nga ana e drejtorisë së tij në shumën e lartpërmendur, për blerjen e veturave (në shumës).

“Pas një kërkese të bërë nga ana e kryetarit Bashota, ishte vendosur që këto mjete të shpenzoheshin për blerjen e një veture të vetme për të”, thotë Krasniqi. 

Ai  thotë se komuna shpenzon rreth 2 mijë euro në vit për servisimin e kësaj veture.

“Kjo është një shumë e madhe për buxhetin e vogël të kësaj komune”, thotë ai.
 
Për blerjen e kësaj veture ka qenë kundër edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Klinës Fadil Gashi, partia e të cilit (LDK) është në koalicion me PDK-në në këtë komunë. Po ashtu edhe Krasniqi drejtor i financave vjen nga radhët e LDK-së në koalicion me PDK-në.

“Nuk kam qenë asnjëherë i pajtimit me atë pazar që është bërë nga ana e kryetarit Bashota, për të blerë një veturë kaq luksoze, duke marrë parasysh se kushtet e kërkuara për një zyrtar komunal ose edhe kryetar, do të mund t’i plotësonte edhe një veturë me një çmim prej 30 mijë eurosh”, ka thënë Gashi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar kryetarin Bashota por ai nuk ka dashur të komentojë duke sugjeruar se një përgjigje mund të japë Zyra për Informim.

Samije Gjergji zyrtare informimi konfirmoi se komuna në vitin 2010 bleu vetëm veturën për kryetarin nga buxheti i ndarë për vetura.

Por, sipas saj, komuna vitin e ardhshëm më 2011 ka blerë tri vetura nga buxheti i ndarë për vetura të cilat shërbejnë për nevoja të administratës komunale.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit Komunal të Klinës Fadil Gashi mendon se me një shumë të tillë mjetesh të dhëna për vetëm një zyrtar të komunës, do të mund të bëheshin intervenime tjera në shumë drejtime, pasi që sipas tij komuna e Klinës ka një shifër të qytetarëve prej rreth 50 për qind të papunë.

Lëvizja “Vetëvendosje”, dega në Klinë, pohon se shpenzimi i pakontrolluar i parasë publike nga ana e Komunës së Klinës është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të keqpërdorimeve të njëpasnjëshme të saj.

Fadil Destani sekretar i VV-së në Klinë, thotë se në këtë komunë ka qytetarë, dhe ish luftëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë duke luftuar për ekzistencë dhe luksi i tepruar i komunarëve të Klinës është një gjë e papranueshme për çdo individ dhe institucion në Kosovë.

“Zyrtarët komunalë nuk e kanë interesimin për mirëqenien e qytetarëve të kësaj komune, por vetëm për luksin e vazhdueshëm të tyre”, shprehet Destani i VV-së.