Qyteti i Vushtrrisë i Ndërtuar Mbi Mbetje Mortore (TV)

Gjatë gërmimeve për ngritjen e konviktit të studentëve të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në oborrin e kësaj akademie të dielën, janë zbuluar mbetje mortore që supozohet të jenë të viktimave të Luftës së Dytë Botërore.

Zëdhënësi i komunës Bahri Bivolaku, thotë se me të kuptuar lajmin, komuna është mobilizuar.

“Kemi ftuar Mjekësinë Ligjore të EULEX-it dhe punonjësit e Institutit Arkeologjik të Kosovës”, thotë Bivolaku për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pas përfundimit të punimeve dhe mbledhjes së atyre eshtrave, përkatësisht përfundimit të gërmimeve në atë lokacion, të gjeturat ose mbetjet mortore do të varrosen në një lokacion që do ta caktohet ditëve të ardhshme nga një komision komunal”, shton më tutje Bivolaku.

Kjo nuk është hera e parë që në nëntokën e Vushtrrisë hasen mbetje mortore të Luftës së Dytë Botërore

Në tetor të vitit të kaluar në qendër të Vushtrrisë, përkatësisht në rrugën “Dëshmorët e Kombit” përballë objektit të PTK-së, pasi punëtorët e kësaj të fundit hapën një gropë mbi dy metra për t’i sanuar disa defekte, hasën në disa mbetje mortore përfshirë këtu kafka njerëzish, e disa eshtra të cilat dyshohej se i përkisnin periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Sipas historianit Burim Rexhepi qyteti i Vushtrrisë njihet edhe për shumë lokacione të tilla, ku janë gjetur mbetje mortore edhe më herët.

“Jo vetëm në këtë lokacion, por edhe në shumë lokacione tjera janë varrosur shumë kufoma shqiptarësh të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thotë Burim Rexhepi që njëherit është edhe bashkëpunëtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas tij në qytetin e Vushtrrisë ka edhe shumë rrugë, parqe, sheshe, godina institucionale, spitale, monumente kulturo-historike, stadiume sporti etj, në nëntokën e të cilave gjenden mbetje mortore të njerëzve të vrarë para shumë viteve.

“Sipas dëshmitarëve ose gojëdhënave në qytetin e Vushtrrisë, përkatësisht në disa rrugë apo lokalitete në qendër të qytetit,  gjenden shumë mbetje mortore, ose eshtra-njerëzish që llogaritet të jenë së paku të para 60 vjetëve, ose para Luftës së Dytë Botërore”, thotë historiani vushtrrias, Burim Rexhepi.

Ai mendon se me një trajtim me serioz të këtyre mbetjeve mortore, do të pasqyrohej e vërteta e krimeve të asaj kohe dhe njëkohësisht do të pasurohej historiografia me argumente të së kaluarës”, thotë historiani Rexhepi.

Në Luftën e Dytë Botërore (1941-1945) Vushtrria me rrethinë i takonte zonës së pushtuar nga gjermanët, ndërsa më 21 nëntor 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave.