Veçohet Procedura në Rastin e Komunarëve të Prizrenit (TV)

Në seancën e së premtes, në rastin gjyqësor kundër zyrtarëve komunalë të Prizrenit dhe të tjerëve, mungoi automekaniku Islam Morina, i akuzuar për veprën penale të shmangies nga tatimi. Prezent nuk ishte as mbrojtësi i tij avokati Et’hem Rogova.

“Kam pritur që në këtë seancë të jetë prezent avokati i Islam Morinës, për të na dhënë sqarime se ku ndodhet i akuzuari, a është jashtë Kosovës, për trajtim mjekësor, ose ku”, pyeti prokurori i shtetit Mehdi Sefa.

Pas deklarimit të prokurorit, trupi gjykues u tërhoq për 10 minuta, në mënyrë që të kontaktojë me mbrojtësin, gjë që sipas këtij trupi, ishte e pamundur.

Në ndërkohë në sallë të gjykimit, erdhi avokati Qazim Xharra  përfaqësuesi i zyrës së avokatit Rogova.

Avokati Xharra, i ofroi gjykatës dëshmi se i akuzuari Islam Morina ka probleme shëndetësore dhe se i njëjti gjendet për trajtim në ShBA.

Pas kësaj mbrojtja insistoi që kjo lëndë të veçohet, për shkak të zhagitjes së madhe të saj dhe për siç thanë ata, ekonomizimit të procedurës. Prokurori i shtetit Mehdi Sefa e kundërshtoi veçimin e lëndës.

Më pas trupi gjykues në seancën e së premtes vendosi që procedura ndaj Islam Morinës, të ndahet nga ajo e të tjerëve.

Pas dy orësh zvarritjeje, gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve, njëri prej të cilëve blerës i veturave të konfiskuara, të shitura nën çmimin real nga të akuzuarit.

Ai konfirmoi blerjen e veturave, por mohoi të kenë pasur përfitime nga ato.

Të akuzuarit Hasan Hasani dhe Sadik Paçarizi, njëri drejtor i Shërbimeve Publike e tjetri i Urbanizmit në komunën e Prizrenit akuzohen se në dy raste kanë shpërdoruar detyrën e tyre zyrtare dhe autorizimin.

Sipas aktakuzës këta ngarkohen se duke falsifikuar procesverbale, kanë shitur disa automjete të konfiskuara nga komuna, me vlerë më të vogël sesa vlera e tyre reale, duke e dëmtuar kështu komunën.

Bashkë me Hasanin e Paçarizin, po akuzohen edhe dy zyrtarë të tjerë komunalë të Prizrenit: Zekë Tejeci dhe Sokol Hadri të dy inspektorë komunalë të komunikacionit në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.

Të akuzuar janë edhe Gëzim Gashi menaxher i parkingut “Auro- AG”, Islam Morina mekanik, Lulzim Thaçi tregtar dhe Bujar Berisha menaxher i kompanisë “Sigal”.

Seanca e radhës do të vazhdojë më 21 qershor 2013.