Gjykohen në Kosovë të Kërkuarit nga Drejtësia e Maqedonisë

Të hënën pasdite në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritej të niste procesi gjyqësor kundër Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit, dy shqiptarëve të kërkuar edhe nga drejtësia maqedonase, si të dyshuar për vrasjen e shumëfishtë pranë Shkupit, në prillin e vitit 2012.

Seanca është shtyrë, pasi të pandehurit Alil Demiri i mungonte avokati, ndërsa pyetjes së kryetares së trupit gjykues Hava Haliti se a dëshironte t’i caktohej një mbrojtës sipas detyrës zyrtare, Demiri iu përgjigj me jo.

Ismailoviq e Demiri, shtetas të Maqedonisë me etni shqiptare, në Kosovë po akuzohen për armëmbajtje pa leje në bashkëkryerje, veprim për të cilin mund të dënohen nga 2 deri në 10 vjet.

Demirin në këtë proces është duke e mbrojtur avokati Besnik Berisha, ndërsa trupi gjykues të hënën nuk ishte i sigurt nëse Berishës i është dërguar në mënyrë të rregullt ftesa nga gjykata.

Për këtë arsye seanca e së hënës u shty.

Ismailoviq e Demiri u kapën gjatë muajit mars nga policia e Kosovës, në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i thanë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë.

Banesat ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit, tash të akuzuar, policia gjeti një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i arsyetoi me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi sipas tij ndiqeshin nga shërbime sekrete.

Te Ismailoviqi e Demiri policia zbuloi dy armë automatike, një pistoletë, dy bomba dore, dy siguresa detonatorësh dhe 31 fishekë.

Për Afrim Ismailoviqin dhe Alil Demirin, drejtësia maqedonase nisi në shkurt procedurat e ekstradimit, ndërsa pasi këta dy po gjykohen në Kosovë, ekstradimi mund të vonohet.

Për Maqedoninë, Ismailoviq dhe Demiri janë të dyshuar për vrasjen e shumëfishtë pranë hekuranës së Shkupit, të ndodhur në vitin 2012.

Atëherë qenë gjetur të vrarë 5 persona të etnisë maqedonase, ndërsa më pas ishte tensionuar gjendja në shtetin me probleme ndëretnike.

Kundër të dyshuarve për këtë vrasje të shumëfishtë në Maqedoni është duke u mbajtur proces gjyqësor, i njohur me emrin “Monstrum”.

Në këtë proces janë duke u gjykuar në mungesë edhe Ismailoviqi e Demiri, bashkë me Agim Ismailoviqin, Fejzi Azirin, Rami Sejdiun dhe Haki Azirin.

As autoritet kosovare, por as ato maqedonase, armët e gjetura te Ismailoviqi dhe Demiri nuk i kanë lidhur me vrasjen e shumëfishtë të ndodhur pranë Shkupit.

Seanca e radhës kundër Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit do të mbahet më 25 qershor.