“Çarshia e Vjetër”, Lak në Qafën e Pal Lekajt (TV)

Premtimi Kryesor i Parealizuar

Njëri nga premtimet kryesore të Pal Lekajt, dhënë në fushatën zgjedhore  të vitit 2009, ai i punësimit të 8 mijë të rinjve në komunën e Gjakovës ka mbetur vetëm premtim.

Këtë premtim të të parit të komunës, këshilltarja e LDK-së Agneta Bytyqi dhe opozitari tjetër, Dritan Meqa, këshilltar komunal i AKR-së, e kanë cilësuar si dështimin më të madh të qeverisë së Pal Lekajt.

Këtë Pal Lekaj e ka pranuar, duke kërkuar ndjesë prej qytetarëve të tij dhe duke shtuar se ky nuk është problem vetëm i qytetit të Gjakovës, por i tërë vendit.

“Shifra që e kam përmend vetë unë nuk është realizuar. Ndoshta më kanë shtyrë oponentët e mij politikë që kanë përmendur shifra marramendëse dhe unë kam shkuar me shifrën diku 7 mijë të punësuar”, thotë ai.

Megjithatë ai thotë se ka një tregues pozitiv në punësimin e të rinjve në komunën e Gjakovës.

“Askund nuk kam dështuar përpos kësaj shifre dhe kërkoj falje nga qytetarët”, thotë Pal Lekaj.

Mosmarrëveshjet për Çarshinë e Vjetër ua Mbyllin Derën Bizneseve

Një projekt tjetër që kishte bërë bujë të madhe ishte edhe ai i rregullimit të Çarshisë së Vjetër të qytetit, i cili kishte përplasur mes vete të parin e Gjakovës Pal Lekajn, me Ministrinë e Kulturës, ku ministri Memli Krasniqi kishte dhënë urdhër që Çarshisë së Vjetër të mos i ndërrohen kubëzat e vjetra me rrasa Gllareve, duke u vlerësuar si tjetërsim i Trashëgimisë Kulturore të Vendit.

Projekti për ristrukturimin e çarshisë është paraparë të kushtojë mbi 1 milion euro dhe vjen në kohën kur shumë zona të qytetit kanë nevojë për investime esenciale në infrastrukturë, vlerësuan disa organizata që merren me Trashëgimi Kulturore.

Ky projekt vlerësohet të ketë dëmtuar rëndë bizneset në atë pjesë të qytetit, për arsye se rruga e Çarshisë së Vjetër ka një kohë të gjatë që ka mbetur e pakalueshme për vetura.

Sa i përket kësaj çarshie, kryetari Lekaj deklaron se edhe  ne atë pjesë është duke u punuar, por për momentin ai thotë se mbizotëron një pauzë për shkak te disa problemeve me kompanitë qe e kanë fituar tenderin për kryerjen e punimeve atje.

“Do të fillojë shumë shpejt edhe realizimi i atij projekti, por pasi qe ty kryhen disa procedura”, premton Pal Lekaj.

Ankesën e bizneseve se hapja e punimeve për ndërrimin e kubëzave të “Çarshisë së Vjetër”, ka bërë që shumë biznese të mbyllen si pasojë e heqjes se kalldrëmit dhe pastaj ndaljes së punimeve, Lekaj e ka hedhur poshtë, duke thënë se është e kundërta e saj.

“Në kohën kur kam ardhur unë në krye të komunës, kanë qenë te mbyllura ne atë pjesë përafërsisht 170 lokale, ndërsa ne kemi arritur t’i aktivizojmë ato”, thotë i pari i Gjakovës.

Sa i përket përplasjes me Ministrinë e Kulturës rreth kësaj çarshie, Lekaj thotë se kjo nuk është problem, sepse tash ka një bashkëpunim të mirë me këtë Ministri dhe me ministrin Krasniqi.

“Komuna ka dështuar në shumë projekte, mirëpo ndër projektet më të dhimbshme për tërë qytetarët e Gjakovës është projekti i “Çarshisë së Vjetër”.  Komuna këtu nuk ka arritur ta menaxhojë si duhet”, thotë Agneta Bytyqi këshilltare e LDK-së.

Si projekt tjetër i mbetur përgjysmë është edhe ndërtimi i varrezave të dëshmorëve në “Çabrat”, dhe rregullimi i varrezave te dëshmoreve në qytet dhe fshatrat e komunës.

Sipas Agneta Bytyqit, komuna ka dështuar në këtë fushë.

Në Çabrat është vënë gurthemeli para 3 vjetësh dhe ende nuk është ndërmarrë asgjë më tutje.

Kur bëhet fjalë për varrezat e dëshmorëve të Çabratit, dhe atyre në qytetin e Gjakovës, kryetari deklaron se nuk është mirë për askënd të luajë me këtë çështje.

 “Unë vetë kam qenë pjesë e luftës, dhe unë jam ai që më së shumti prioritet u jap këtyre projekteve, mirëpo aty ka qenë një moskoordinim i familjarëve të dëshmorëve, sepse shumë nga ta nuk kanë dëshirë qe t’i zhvendosin të dashurit e tyre në një vend tjetër”, shpjegon Lekaj.

Edhe Artan Nimani, nënkryetar i PDK-së në Gjakovë, mendon se qeverisja në këtë qytet ka dështuar në një numër te madh projektesh, mirëpo sipas tij si dështime që ia vlen të ceket është moskoordinimi i komunës me nivelin qendror, gjegjësisht projekti i Çarshisë së Vjetër.

“Infrastruktura e dobët ne Komunën e Gjakovës, dëmtimi dhe lënia pas dore e projektit të Çarshisë së Vjetër, ikja e investitorëve për shkak të mos krijimit të një ambienti te favorshëm për investime, e shumë të tjera gjëra, janë si pika të dobëta të këtij ekzekutivi”, ka vlerësuar Nimani.

Drejtoria e Kulturës “Dinosaur” i Buxhetit Komunal

Mosrealizimin e shumë projekteve të premtuara nga ana e kryetarit Pal Lekaj gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2009, siç është rimëkëmbja ekonomike e kësaj komune, dhe shumë të meta të tjera i ka nxjerrë në një raport Instituti për Studime të Avancuara (GAP), duke e vlerësuar si pikën më të dobët të kësaj komune shpenzimin e lartë dhe të pakontrolluar të parasë publike.

Sipas raportit të GAP-it të titulluar “Letërnjoftimi i Komunës së Gjakovës 2013”, kjo komunë gjatë tri viteve të fundit (2010-2012) ka treguar vullnet për t’i adresuar nevojat dhe kërkesat e banorëve të kësaj komune, ndonëse akoma disa probleme mbesin evidente.

Gjatë tre vjetëve të fundit, progresi i shënuar në disa fusha është përcjellë edhe me shkelje të normave ligjor, siç është shpërfillja e rregullave në fushën e prokurimit publik.

“Gjatë tre vjetëve të fundit, Komuna e Gjakovës ka rritur nivelin e transparencës komunale si dhe të investimeve kapitale, por mbetet i pashpjegueshëm niveli i lartë i shpenzimeve të parasë publike në disa kategori dhe nga disa drejtori. Nga të dhënat zyrtare rezulton se Drejtoria e Kulturës shpenzon para shumëfish më shumë se Zyra e Kryetarit dhe disa drejtori të tjera”, thuhet në këtë raport të GAP-it.

Sipas këtij raporti, Drejtoria e Kulturës për mirëmbajtjen e objekteve gjatë vitit 2011 ka shpenzuar 62.789 euro, përderisa Drejtoria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit së bashku kanë shpenzuar 25.379 euro.

Ky shpenzim rezulton të jetë i pashpjegueshëm, edhe kur krahasohet me shpenzimet e Zyrës së Kryetarit.

10.169 euro ka shpenzuar Zyra e Kryetarit për derivate për automjete gjatë vitit 2011, ndërsa Drejtoria e Kulturës 17.825 euro, thotë “Letërnjoftimi i Komunës së Gjakovës 2013”.

“Drejtoria e Kulturës rezulton me shpenzime enorme edhe për mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare, ku 5, 897 euro janë shpenzuar nga Drejtoria e Kulturës në këtë drejtim, përderisa Drejtoria e Shërbimeve Publike brenda së cilës bëjnë pjesë edhe automjetet e zjarrfikëseve ka shpenzuar 3.784 euro, apo 2.113 euro më pak”, nënvizon raporti i GAP-it.

Shpenzimet e larta të Drejtorisë së Kulturës Lekaj i ka arsyetuar duke thënë se kjo drejtori ka në menaxhim një numër te madh të objekteve që merren me kulturë, si dhe numër të madh të stafit që merren me punë kulturore në këtë komunë

Mirëpo me punën e kësaj drejtorie kanë qenë të pakënaqur vazhdimisht punëtorët e teatrit të Gjakovës, teatër ky që më nuk ka as trupë rezidente, por vepron në bazë të projekteve.

Instituti GAP më pas ka cituar edhe shumat e shpenzuara nga zyrtarët komunalë të Gjakovës, të cilët gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2012, për dreka dhe darka zyrtare kanë shpenzuar 49.144 euro, për karburant për vetura zyrtare 181.768 euro, për naftë për ngrohje 146.590 euro, për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare kanë shpenzuar 23.049 euro, ndërsa për mëditje për vizita jashtë vendit 10.365 euro.

“Shikuar në tërësi gjatë tre vjetëve të fundit (2010-2012), Komuna e Gjakovës rezulton me shpenzime të larta në disa kategori. Për tre vjet për dreka dhe darka zyrtare janë shpenzuar hiq më pak se 152.304 euro, për karburant për automjete janë shpenzuar 394.425 euro, kurse për telefona mobilë dhe fiks janë shpenzuar mbi 148.000 euro”, ka precizuar në raportimin e tij për Komunën e Gjakovës Instituti GAP.

Pusetat dhe Rrugët e Papërfunduara

Edhe dëmtimi dhe vjedhja e pronës publike kishte zënë vend në raportin e GAP-it.

Brenda vitit 2012, vetëm në rrugën “Gjon Nikollë Kazazi” janë hequr dhe vjedhur dhjetra kapakë pusetash si dhe shenja komunikacioni gjithandej komunës.

Kjo dukuri përveç që dëmton buxhetin e Komunës, vë në rrezik edhe ngasësit e automjeteve dhe qytetarët në përgjithësi.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për këtë dukuri në qytetin e Gjakovës më herët gjatë muajit maj. Pas kësaj Drejtoria e Shërbimeve Publike ka njoftuar gazetën se ishte kontraktuar një operator ekonomik për rivendosjen e këtyre kapakëve.

Pal Lekaj thotë se me gjithë angazhimin në këtë drejtim suksesi ka munguar.

“Sidomos kur flitet për vjedhjen e pusetave, ne kemi pasur bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës për kapjen e personave te cilët po i vjedhin këto puseta, por nuk kemi pasur sukses”, arsyetohet Lekaj.

Projekt tjetër i dështuar sipas opozitares Agneta Bytyqi, është edhe mospërfundimi i 5 kilometrave rrugë të asfaltuar në drejtimin Rogovë – Dedaj, punimet e së cilës rrugë, sipas Bytyqit kishin filluar para 4 vjetësh, pikërisht më 6 shtator te vitit 2009.

Pohimet e këshilltares Bytyqi Gazeta Jeta në Kosovë i ka konfirmuar edhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës, gjegjësisht në Raportin Vjetor për vitin 2011 të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, në të cilin thuhet se në listën e punëve të ndërprera është edhe ndërtimi – asfaltimi i rrugës Rogovë – Dedaj.

Për projektin e kësaj rruge, Lekaj pranon që ka pasur ngecje, mirëpo e fajëson për këtë Komunën e Prizrenit me të cilët kanë qenë në bashkëpunim për këtë rrugë, duke e akuzuar këtë komunë se nuk e ka kryer pjesën e vet. Për më keq, vazhdon Lekaj, edhe kompania që kishte fituar tenderin ka falimentuar. 

Sipas tij tash është zgjedhur një punëkryes tjetër dhe “edhe ky problem do të zgjidhet shumë shpejt”.

Centrali Termik

Në mbledhjen e fundit për vitin 2012, atë të mbajtur në muajin dhjetor, me kërkesën e kryetarit Lekaj, nga këshilltarët komunalë ishte mirëpritur propozimi i kryetarit Lekaj për ndërtimin e një termocentrali për prodhim të energjisë termike, si dhe realizimin e projektit për riciklim mbeturinash.
Për këtë edhe ishte aprovuar dhënia e lokacionit kompanisë “TCG GREEN ENERGY” nga Prishtina, për ndërtim të tij.

Atë kohë kryetari i Gjakovës Pal Lekaj pati deklaruar se ky investim do të kapë shumën prej 143 milionë dollarësh dhe nga ky projekt do te përfitojnë vende të reja pune nga 178, deri në 385 persona.

Realizimi i këtij projekti kur ishte miratuar në kuvend, ishte premtuar të kryhej për 187 ditë pune, por përveç gurthemelit të vënë me 19 dhjetor të 2012-ës, asgjë më shumë nuk është bërë.

Këshilltarja Agneta Bytyqi  edhe projektin e Centralit Termik e ka quajtur si dështim të radhës së Komunës së Gjakovës.

“Komuna e Gjakovës ka bërë një matematikë të gabuar në këtë projekt, sepse për funksionimin e një projekti të tillë, së paku tërë mbeturinat e Kosovës duhet të derdheshin në Gjakovë”, ka thënë ajo.

Pal Lekaj thotë se Fabrika e Riciklimit të mbeturinave do të fillojë këtë vit dhe premton se do të kryhet brenda 15 muajve.

Sa i përket mundësisë së furnizimit të kësaj fabrike ai thotë se Komuna e Gjakovës ka për detyrë që t’i sigurojë vetëm 70 tonë, të cilat sipas një studimi të fizibilitetit që sipas tij është bërë do të mund të sigurohen, ndërsa për pjesën tjetër është përgjegjese vetë fabrika.

Lekaj thotë se ka informacione se udhehëqësit e fabrikës në fjalë tashmë kanë zhvilluar negociata me komunat përreth për sigurimin e këtyre mbeturinave.

Telashet me Qendrën Inovative

Ndonëse MTI-ja me 18.10.2012, kishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës, ku parashihej ndërtimi i Qendrës Inovative që kishte për qëllim mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Gjakovës, ajo ishte penguar nga komuna duke thelluar hendekun në mes të Kusari-Lilës, dhe Lekajt.

Me 7 dhjetor të vitit të kaluar nga Komuna e Gjakovës ishte kundërshtuar fillimi i realizimit të projektit të Qendrës Inovative nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë projekt ky i 200 mijë eurove.

Ky projekt ishte kundërshtuar nga kryetari Lekaj, me arsyetimin se ky nuk ishte ftuar në një forum të mbajtur për projektin në fjalë, por vetëm në ngjarjen kryesore të fillimit të punimeve.

MTI-ja udhëhiqet nga Mimoza Kusari Lila zëvendëspresidente e AKR-së dhe ish-konkurrente e Pal Lekajt për kryetar komune në zgjedhjet e fundit.

Këshilltari i AKR-së në Gjakovë Dritan Meqa, ka thënë se  përplasjet në mes të Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari Lila, kanë ndikuar në bllokimin e iniciativave nga ana e kësaj ministrie në Gjakovë, gjë e cila jo që po ul numrin e premtuar të të papunëve gjakovarë, por po i rritë ata çdo ditë e më shumë.

Mosmarrëveshjet me MTI-në kishin gjetur një zgjidhje dhe punimet rreth Qendrës Inovative kanë vazhduar pa bërë shumë zhurmë.

Problemet me ndërtime

Ndërkaq edhe pse në Gjakovë deri vonë nuk kishin filluar ndërtimet e larta pa iu përmbajtur planit urbanistik, sikurse në shumë qytete tjera të Kosovës, kohëve të fundit situata ka ndryshuar.

Sipas Institutit “GAP” territori i Gjakovës në tre vjetët e kaluara është mbërthyer nga nisja e ndërtimeve të larta (banesave). Shumica nga to nuk kanë hapësirë për parking, hapësirë gjelbërimi si dhe kënde për fëmijë, ani pse të gjitha këto janë kushte për marrjen e lejes së ndërtimit.

Kurse në anën tjetër një konstatim të tillë nga GAP-i e ka hedhur poshtë drejtoresha e Urbanizimit në Gjakovë Leonora Raci, duke thënë se këto pohime nuk qëndrojnë të vërteta.

“Të gjitha lejet e ndërtimit që janë lëshuar në Komunën e Gjakovës, janë lëshuar atëherë kur janë plotësuar kushtet me përjashtim të ndonjë rasti, ku së pari është lëshuar leja e urbanizmit, e mandej leja e ndërtimit”, ka thënë drejtoresha Rraci, duke vlerësuar me bindje të plotë se në Komunën e Gjakovës nuk ka ndërtime pa leje.

Në anën tjetër e përditshmja “Zëri” muaj më parë pati botuar një shkrim përmes të cilit pati thënë se Gjakova po kryen krim me prona.

“Janë më shumë se 130 prona të paluajtshme në Gjakovë e rrethinë që dyshohen se janë tjetërsuar që nga paslufta në Kosovë. Shumica nga ato prona që dikur i kanë takuar ish-ndërmarrjes banesore BVI dhe shumë ndërmarrjeve tjera shoqërore të Gjakovës, dyshohet të jenë tjetërsuar tek persona privatë, ose në emër të Komunës së Gjakovës”, pati shkruar Zëri, gjë të cilën Pal Lekaj e ka kundërshtuar kategorikisht, duke e quajtur shpifje dhe duke thënë se të gjitha pronat në Gjakovë janë të rregulluara me ligj.