Komuna e Prizrenit në Kaosin e Projekteve (TV)

Ramadan Muja gjatë fushatës së tij parazgjedhore nën flamurin e PDK-së në vitin 2009 i kishte premtuar ndër të tjera Prizrenit se nëse do të fitonte në zgjedhjet lokale të po atij viti, ai do të rregullonte shtratin e Lumbardhit, do t’u siguronte prizrenasve ujë të pijes për 24 orë në ditë dhe se do të krijonte hapësira të mjaftueshme për parkingje.

Nderim Gashi sekretar i degës së LDK-së në Prizren, thotë se të gjitha këto premtime kanë mbetur në letër dhe se gjendja përkundrazi vetëm sa është përkeqësuar.

“Këto premtime si shumica e premtimeve tjera kanë mbetur pa u realizuar dhe janë premtuar vetëm për fushatë zgjedhore”, thotë Gashi.

Por Hasan Hasani, drejtor i drejtorisë së Shërbimeve Publike në komunën e Prizrenit nuk pajtohet me mendimin e opozitës duke thënë se këto premtime janë realizuar dhe se është duke u punuar në përmbushjen e punimeve.

Rregullimi i shtratit të Lumbardhit, projekt 25 milionë eurosh

“Rregullimi i shtratit të Lumbardhit ka qenë premtim edhe i qeverisë qendrore”, thotë Gashi i LDK-së.

Ai thotë se herë pas here qeverisja lokale ka marrë iniciativa për pastrimin e shtratit të Lumbardhit, vetëm pas kritikave të opozitës.

“Por asnjë investim tjetër nuk është bërë në këtë drejtim”, thotë sekretari i LDK-së.

Zafir Berisha kryetar i Bashkimit Demokratik shprehet se ky premtim ka qenë shumë i madh për mundësitë e kësaj qeverisjeje.

Drejtori i Shërbimeve Publike Hasan Hasani, pranon se ishte premtuar rregullimi i shtratit të Lumbardhit dhe se vlera e këtij projekti është paraparë të jetë 25 milionë euro.

Ai thotë se tek këtë vit kanë filluar lëvizjet në realizimin e këtij projekti.

“Qeveria e Kosovës, Komuna e Prizrenit dhe banka Gjermane KWE, kanë nënshkruar një marrëveshje që së pari të rregullohen ujërat e zeza që derdhen në Lumbardh, e pastaj të fillohet me rregullimin e shtratit të lumit”, shpjegon Hasani katër vjet pasi që ky premtim ishte bërë.

Sipas tij KWE ka ofruar 13 milionë euro.

Ndërsa ai premton se edhe impianti i ujërave të zeza do të ndërtohet.

“Në vitin 2014 do të fillojë procedura e shpronësimit për ndërtimin e këtij impianti. Ky projekt nuk ka filluar ende, por do të fillojë në vitin 2014”, thotë Hasani.

Projekti i rregullimit të shtratit të Lumbardhit përfshin gjatësinë prej Marashit e deri në dalje të qytetit.

Ndërsa projekti për trajtimin e ujërave të zeza në Prizren, përmban ndërtimin e fabrikës së ujërave të zeza në fshatin Vlashnje, ndërtimin e kolektorit të ri dhe rehabilitimin e kolektorit tjetër ekzistues, si dhe përfshin investime në rehabilitimin e rrjetit të ujërave të zeza në pikat kryesore në qytetin e Prizrenit.

Ujë të pijes për 24 orë?

Po ashtu edhe premtimi i dytë më i madh elektoral, ai i sigurimit të ujit të pijes, ka dalë të jetë jo aq i kalkuluar me kujdes.

Opozita mendon që ka qenë vetëm premtim elektoral dhe as që është menduar ndonjëherë të bëhet një gjë e tillë, pasi sipas tyre komuna nuk ka punuar për sigurimin e ujit të pijes.

Por sipas Hasan Hasanit, Komuna e Prirenit gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës ka investuar mbi 400.000 euro në shtimin e sasisë së ujit.

Hasani mendon se kritikat e opozitës se qeveria komunale nuk ka investuar dhe përmisuar gjendjen e ujit të pijes në këtë komunë, nuk qëndrojnë.

“Mbi 100.000  euro kemi investuar në riparimin e rrjetit të ujësjellësit, ndërsa 300.000 euro kemi investuar në malësi të Vrrinit, për rritjen e sasisë së ujit , po ashtu edhe në Has kemi investuar mbi 100.000 euro në sigurimin e ujit dhe shpimin e puseve”, thotë drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit.

Megjithë këto investime, reduktimet mbesin përjetim i përditshëm i prizrenasve.

Instituti GAP ka shkruar në raportin e vet “Letërnjoftimi i Komunës së Prizrenit 2012”, se mungesa e ujit është problem jo vetëm për qytetin, por edhe për fshatrat e kësaj komune.

Sipas këtij raporti pjesët më të prekura të qytetit nga ky problem janë ato në periferi. Në lagjen “Arbana” ka shumë pak ujë gjatë ditës, kurse në lagjen “Tusus” reduktimet janë tejet të gjata, thotë raporti.

Hapësira të mjaftueshme për parkingje?

Njëra ndër problemet tjera që i preokupon qytetaret e Prizreni dhe ngasësit e makinave është edhe mungesa e parkingjeve në këtë qytet.

Kjo nuk është shqetësuese vetëm për banoret e Prizrenit, por edhe për vizitoret e shumtë të këtij qyteti që ka një rritje të vazhdueshme të të dy këtyre kategorive.

Kryetari Muja, kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore 2009 hapësira të mjaftueshme për parkingje, si parkingje nëntokësore dhe mbitokësore, ndonëse nuk kishte përcaktuar lokacione të sakta.

Çështjen e parkingjeve e ka trajtuar si problematikë edhe GAP-i në raportin për Prizrenin, ndërsa drejtori i shërbimeve publike, Hasan Hasani, e ka pranuar se komuna nuk ka bërë asnjë investim në këtë drejtim.

“Projekte ka për të liruar hapësira për parkingje, por për shkak të mungesave të hapësirave publike nuk kemi mundur t’i realizojmë këto projekte. Komuna është munduar përmes bizneseve private të krijojë hapësira për parkingje”, thotë Hasani.

Megjithatë Hasan Hasani thotë se parkingje ka, por qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm ku i parkojnë veturat.

Nderim Gashi nga LDK-ja dhe Zafir Berisha nga BD-ja ia numërojnë Ramadan Mujës si një dështim të radhës mungesen e parkingjeve.

Raporti i OJQ-së “Ec ma ndryshe”

Kritika për punën e qeverisë komunale të Prizrenit, përpos opozitës kanë edhe organizatat joqeveritare që e monitorojnë punën e kësaj komune.

Organizata “Ec ma ndryshe” në raportin e saj të fundit për këtë komunë kishte kritikuar qeverisjen në disa pika të veçanta.

Sipas Elmedina Baxhakut, koordinatore e projektit, mosrespektimi i kritereve të ndërtimit nuk ndëshkohet nga institucionet.

“Gjendja e krijuar në fushën e urbanizmit dhe planifikimit hapësinor në Qendrën Historike të Prizrenit është alarmante, pasi që ndërtimet vazhdojnë me shpërfillje të lejeve të ndërtimit të dhëna nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor”, thotë Baxhaku.

Ajo cek si rast të veçantë ndërtesën e kompanisë “EuroCenter”, e cila sipas raportit të kësaj organizata ka tejkaluar lejet e dhëna nga komuna.
 
Sa i përket, ndërtimit të “EURO CENTER”, në zonën e mbrojtur, zëdhënësi i komunës Ymer Berisha thotë se ky kompleks e ka lejen për ndërtim dhe nëse vërtetohet që i ka tejkaluar lejet e ndërtimit, kjo ndërtesë do të rrënohet dhe se komuna me qejf do ta kryente këtë punë.

Po ashtu raporti i organizatës “Ec ma ndryshe”, ka nxjerrë në pah praktikën e komunës së  Prizrenit, që kushtëzon qytetarët me pagesën e borxhit ndaj ndërrmarrjeve publike me rastin e regjistrimit të veturave, edhe pse kjo nuk ka bazë ligjore.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal  iu kishte dërguar një shkresë komunave të Kosovës, përmes së cilës sqarohet se kushtëzimi i shërbimeve të komunës ndaj qytetarëve me pagesën e borxheve ndaj ndërmarrjeve publike rajonale e lokale, nuk kanë bazë ligjore dhe se si të tilla nuk mund të aplikohen.

Ndonëse sqarimi i MAPL-së është bërë katër muaj më parë, kryetari i komunës së Prizrenit dhe kryesuesi i KK-së nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për anulimin e vendimit të KK-së që parasheh aplikimin e këtij kushtëzimi.

Lidhur me këtë zëdhënësi i komunës Ymer Berisha, mendon se shfuqizimi i këtij vendimi, do të kishte efekte negative, në kryerjen e shërbimeve publike nga ndërmarrja e pastrimit.

Komuna e Prizrenit sipas raportit të “Ec ma ndryshe” sfidon edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetues duke mos zbatuar vendimet e tyre.

Si rrjedhojë qytetarët e lagjes “Dardania” edhe pse kanë dalë fitues nga një betejë e gjatë ligjore, që ka përfunduar me vendimin e instancës më të lartë për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës, ende nuk kanë arritur që të realizojnë të drejtën e tyre, respektivisht të gëzojnë zonën e gjelbër në lagjen e tyre.

Në këtë lokalitet vazhdon të qëndrojë i paprekur objekti që ishte nisur nga komuna e Prizrenit, edhe pse në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se kjo është në kundërshtim me nenin 52.2 të Kushtetutës dhe kërkohet nga KK-ja që brenda gjashtë muajve nga data e shpalljes së aktgjykimit, t’i dorëzohen Kushtetueses informata për masat e ndërmarra për zbatimin e këtij aktgjykimi.

Kanë kaluar afër dy vjet nga shpallja e Aktgjykimit të Kushtetueses, ndërsa organet komunale nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e tij.

Ymer Berisha, zëdhënës i komunës së Prizrenit, nuk pajtohet me konstatimin se komuna e Prizrenit shpërfill kërkesat e institucioneve më të larta.

Sipas Berishës është e vërtetë që Gjykata Kushtetues e ka urdhëruar që ta kthejnë në gjendje të mëparshme vendin ku ka filluar të ndërtohet objekti në lagjen Dardania, por sipas tij janë në konsultime me qytetarët dhe Gjykatën Kushtetuese që të mos rrënohet objekti, pasi kështu krijohet dëm i madh për komunën, por të ridestinohet ai.

Rruga e Transitit

Sipas opozitës disa projekte janë zgjatur me qëllim që të nisen me afrimin e zgjedhjeve, edhe pse janë premtuar dhe kanë mundur të  kryhen para 2-3 vjetësh.

Sipas Nderim Gashit nga LDK-ja, rruga e transitit ka nisur në kohën e qeverisjes së LDK-së, kur sipas tij është kryer puna me kanalizimet dhe ka mbetur vetëm trasimi dhe asfaltimi.

“Por qeverisja komunale tani ja ka nisur rrugës për ta asfaltuar, me qëllim që qytetaret të shohin kinse po punojnë”, thotë Gashi.

Drejtori i Shërbimeve Publike Hasan Hasani, thotë se rruga e tranzitit është njëra prej projekteve më të rendësishme kapitale të komunës së Prizrenit. Sipas tij edhe ky projekt do të mbetet për vitin 2014.

“Vlera e rrugës është 3 milion e 500 mijë euro dhe gjatësia e saj është 3.5 km. Kjo rrugë ka nisur këtë vit dhe pritet të përfundohet në vitin 2014”, thotë Hasani.

 “Dhe kjo nuk është duke u bërë për fushata zgjedhore, ashtu si na akuzon opozita”, thotë Hasan Hasani

Një projekt i mirë

Sipas Hasan Hasanit, drejtor i drejtorisë së Shërbimeve publike, vepra më kapitale dhe më modrne që është bërë në komunën e Prizrenit, nga qeveria komunale, është rregullimi i rrugës në lagjen e Trimave në Tusus.

Kjo rrugë ka qenë në një gjendje të mjerueshme dhe qeveria komunale përpos asfaltimit ka rregulluar edhe ujërat e zeza dhe të gjitha kablot e rrymës dhe të telefonisë që kanë qenë të vendosura në ajër, janë futur nën tokë
 
Për këtë projekt nuk kanë kanë pasur kritika as opozita dhe as shoqëria civile.

Në Bankën e të Akuzuarve

Përveç opozitës, kryetari i komunës me disa udhëheqës drejtorishë ballfaqohen edhe me drejtësinë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja,  akuzohet se me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, përkundër një vendimi të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës pa përfillur procedurat ligjore.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në komunën e Prizrenit përveç kryetarit Muja, akuzohen edhe, Nexhat Çoça- drejtori i Drejtorise Komunale te Arsimit, Reshit Kushaj- zyrtar për tri nivelet e arsimit në DKA, Nezir Osmani- zyrtar për buxhet në DKA, Minir Krasniqi- drejtor i Administratës Publike, Sadik Paçarizi- drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Hasan Hasani- Drejtor i Shërbimeve Publikedhe Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci që në periudha të ndryshme kohore për të cilat akuzohen, drejtuan Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Komunës së Prizrenit, ose ishin ushtrues detyre të saj.

Komuna e Prizrenit qeveriset që dy mandate nga Ramdan Muja. Koalicioni i tashëm qeverisës përbëhet nga PDK, AAK dhe AKR.

Partia më e madhe opozitare në komunën e Prizrenit është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përfaqësohët me 10 asambleistë në kuvendin komunal.