Shkolla “Rasim Kiqina” më e Pastra në Kosovë (TV)

Ministri i arsimit Ramë Buja uroi mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle për ambientin e krijuar në shkollën e tyre, e sidomos nxënësit për kujdesin e treguar.

“Ju sot jeni të veçantë në Kosovë, pasi që keni fituar çmimin e parë për shkollën më të rregulluar dhe më të gjelbëruar”,  u tha ministri Buja të pranishmëve.

Për këtë ditë nxënësit e shkollës “Rasim Kiqina” kishin përgatitur një program kulturoro-artistik.

Buja shkollën më të pastër në Kosovë e vizitoi në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, të mërkurën.

Ndërkohë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor pikërisht në këtë ditë lëshoi një Udhëzim Administrativ me qëllim eliminimin e përdorimit të qeseve të plastikës që nuk zbërthehen në natyrë.

Me këtë udhëzim ndalohet prodhimi i qeseve të deridjeshme, pa aditivin që i bën ato të zbërthyeshme brenda 12 – 48 muajve.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mjedisit ky udhëzim është përgatitur në bashkëpunim konstant me bizneset që merren me këtë veprimtari.

Ministria në njoftim falënderon prodhuesit dhe shpërndarësit e qeseve për kontributin e tyre në përpilimin e udhëzimit.

Qeset që kanë qenë në përdorim deri më tani, në mungesë të aditivit, kanë ndotur mjedisin në Kosovë, duke marrë parasysh jetëgjatësinë e tyre prej qindra vjetësh.

Shefi i operimeve nga Zyra Ndërlidhëse e Bashkimit Europian në Kosovë, Christof Stock, pjesëmarrës në aktivitetet e MMPH-së, premtoi ta mbështesë këtë projekt, duke subvencionuar materialin aditiv për zbërthimin e qeseve të plastikës.

Sipas udhëzimit, qeset që do të jenë në treg do ta kenë edhe shenjën identifikuese që tregon se ato janë të biodegradueshme (zbërthyeshme), të cilat në kontakt direkt me dritën ose dheun, zhduken tërësisht nga natyra.

Me këtë rast u bë edhe promovimi i vëllimit të parë të përmbledhjes së legjislativit mjedisor 2007-2013.

Drejtori i Departamentit për mbrojtjen e mjedisit, Muhamet Malsiu tha se ky publikim do të ndihmojë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës t’i njohin më mirë të drejtat e tyre, sa i përket aspektit mjedisor dhe të kenë mbrojtje institucionale që u takon me ligjet në fuqi.

Aktivitetet për këtë ditë vazhduan edhe në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, ku fillimisht u hap ekspozita e fotografisë me temë “Ta mbrojmë mjedisin, të veprojmë kundër krimit mjedisor”.

Në këtë ekspozitë u shfaqën fotografi nga natyra e bukur e Kosovës, por u panë edhe pamje të shëmtuara që tregojnë gjendjen e mjedisit në vend.

Policia e Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit me parakalimin e Njësitit të Biçiklistëve, për të promovuar përdorimin e mjeteve alternative dhe ekologjikisht të pranuara të transportit në Kosovë.

Ndërkaq, Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës do të organizojë rok-koncert, për mbrojtjen e ambientit me moton: “Me rock kundër krimit mjedisor”.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë rock grupe të njohura në Kosovë, si “Na”, “Troja”, etj.