Qeveria Reagon në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Drejtori i qendrës së paraburgimit të Prizrenit Miftar Ziba dhe zëvendësi i tij Shaban Kamberaj, janë degraduar në pozitën e udhëheqësit për vizita përkatësisht udhëheqësit për pranimin dhe lirimin e të burgosurve. 

Vendimi është konfirmuar nga zëvendëministri i drejtësisë, Daut Xhemajli. 

“Inspektorati ka kryer hetime në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe nga rezultatet e përgjithshme kemi ardhur në përfundim që të nërrohet menaxhmenti kryesor”, tha Xhemajli.

Resmi Hoxha, drejtor i përgjithshëm i burgjeve të Kosovës, tha se zyrtarët (Miftar Ziba dhe Shaban Kamberaj) janë sistemuar në “punë dhe detyra adekuate në përputhje me kualifikimet dhe aftësitë profesionale”.

Ziba dhe Kamberaj nuk kanë pranuar të deklarohen për gazetën.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se në Qendrën e Paraburgimit në Prizren janë gjetur raste të futjes së drogës, përdorimit të celurarëve dhe hyrjës së gjënsendeve të tjera siç janë kartela e bankës dhe gjërave ushqimore etj. Raportimet ishin bërë nga oficerë korrektues nën kushtin e mbrojtjes së identitetit. 

Zëvendësministri i drejtësisë, Daut Xhemajli, thotë se hetimet për këtë rast kishin filluar pas raportimit të gazetës. “Pavarësisht që hetimet dhe kontrollet e brendshme janë permanente, veçmas pas raportimit tuaj, ne kemi reflektuar”. 

“Unë besoj që ajo ka bërë që stafi të vetëdijësohet për pozitat e veta, të jenë të kujdesshëm dhe të mos jenë vetë akterë të këtyre dukurive”, tha Xhemajli.

Aktualisht, postin e drejtorit të burgut të Prizrenit e ushtron Hamit Ademi ndërsa të zëvendësdrejtorit, Ilir Gutaj. Lajmërimi për përzgjedhjen e Gutajt në këtë pozitë figuron në faqen zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. 

Hetimi i filluar nga komisioni i burgjeve, i bërë pas raportimit të gazetës, ka vërtetuar se ka pasur raste të hyrjes së narkotikëve, telefonave dhe kartelave, tha Xhemajli.

Zëvendësministri i drejtësisë, Daut Xhemajli

Sipas tij, kryesit e këtyre shkeljeve nuk janë identifikuar për shkak të “kalimit të periudhës së gjatë kohore”.

“Për shkak se nuk kemi mundur të identifikojmë kryersit e saktë, ne kemi marrë masa dhe kemi bërë shtrëngimin e pozitave kyçe”, shtoi Xhemajli.

Zëvendësministri i drejtësisë thotë se janë dhënë vërejtje, qortime me shkrim dhe degradime për një zëvendësdrejtor, një mbikqyrës si dhe për dosa oficerë korrektues.

Në anën tjetër, drejtori i burgjeve të Kosovës Resmi Hoxha tha se tre zyrtarë kanë kaluar nëpër procedura disiplinore ndërsa katër kanë qenë në procedura të organeve të drejtësisë.

Hoxha nuk ka dhënë më shumë detaje për zyrtarët e suspenduar dhe për ata që janë përballur me organet e drejtësisë.

Prokuroria Themelore e Prizrenit gjithashtu është duke hetuar keqpërdorimet në burgun e Prizrenit.

“Prokuroria është duke punuar akoma në këtë drejtim dhe presim që të dalim me përfundime rreth rasteve që janë raportuar në Gazetën Jeta në Kosovë”, tha kryeprokuroria i prokurorisë themelore në Prizren Sylë Hoxha.