Roli i Grave në Polici dhe FSK (TV)
Gratë kosovare kanë marrë një rol të rëndësishëm në institucionet e sigurisë në Kosovë, sipas asaj që u tha gjatë një konference të organizuar nga Grupi i Grave deputete të Kosovës në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI).
Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës tha se gratë në Kosovë kanë tejkaluar ndasitë partiake dhe ideologjitë e ngurta për t’u bashkuar rreth një agjende të përbashkët për të vazhduar fuqizimin e grave, veçanërisht në sektorin e sigurisë.
“Pas luftës, gratë në Kosovë u bënë ndërtuese të urave në mes komuniteteve që u ndanë nga konflikti, ato ishin të përfshira në politikën ditore dhe në shërbimet publike”, tha Jahjaga.
Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, tha se “gjinia femërore në Kosovë, ka një mendje të mprehtë”.
Kolonelja e Policisë së Kosovës Taibe Canolli, tha që Policia e Kosovës, ka implementuar standarde të avancuara për përkrahjen e femrës.
“Gratë ndihmuan në krijimin e një kulture organizative për respektimin dhe promovimin e barazisë gjinore”, tha Canolli.
Irfete Spahiu e cila është shërbyese në Forcën e Sigurisë së Kosovës, tha se barazia gjinore në sektorin e sigurisë është element i rëndësishëm për plotësimin e standardit që është kusht për integrimit europiane.
Në Policinë e Kosovës shërbejnë 1278 gra, derisa në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 183 sosh.