BE: Marrëveshja e 19 Prillit Neutrale Ndaj Statusit

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, tha se plani mbi zbatimin e dokumentit 15 pikësh “paraqet një hap përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Plani i zbatimit është disenjuar për të zgjidhur problemet në terren dhe për të siguruar progres të shpejtë në rrugën e Serbisë e të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Ashton në një komunikatë për media. 

Komenti i shefes së diplomacisë evropiane erdhi në kohën e dyshimeve që u ngritën në Beograd për pasojat politike në rast të jetësimit në terren të marrëveshjes së prillit.

Ndonëse ka zbutur dukshëm qëndrimin e saj ndaj Prishtinës zyrtare që kur nisi dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja në vjeshtën e vitit të kaluar, mbetet i gjallë rezistimi i Serbisë për të pranuar shtetësinë e Kosovës ose elemente të saj.

Parlamenti i Serbisë miratoi gjatë së dielës marrëveshjen e arritur me Prishtinën dhe planin për zbatimin e saj, ndërsa theksoi vendosmërinë për mbajtjen e qëndrimit neutral ndaj statusit të Kosovës në këtë proces.

Në një letër dërguar baroneshës Ashton nga kryeministri serb, Ivica Daçiq, u theksua se qeveria serbe “vë në pah se me përcaktimin e planit të zbatimit, sikurse me arritjen e zbatimin e marrëveshjeve paraprake dhe të ardhshme, nuk shkelet parimi i vendosur i neutralitetit ndaj statusit, në të gjitha fazat e zbatimit”.

Por, Ashton garantoi se plani për zbatimin e marrëveshjes “është pa paragjykim për qëndrimet e të dyja palëve ndaj statusit të Kosovës”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se kur dhe si do të bëhet zbatimi i marrëveshjes “historike” ndërmjet të dyja palëve dhe se cilat do të jenë efektet eventuale të këtij procesi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi shumë të rëndësishëm përshpejtimin e procesit të zbatimit të marrëveshjes.

“Zbatimi i marrëveshjes është në interes të perspektivës evropiane të të dy vendeve dhe të rajonit në tërësi, të bashkëpunimit rajonal dhe në këtë drejtim Qeveria dhe të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës janë të vendosura për zbatimin e plotë të saj”, theksoi kryeministri Thaçi të dielën.

Pas konsultimeve që u zhvilluan në disa raunde për zbatimin e marrëveshjes së lëhtësuar nga Brukseli, kryeministrat e të dyja palëve u pajtuan javën e kaluar “në parim” që kjo të ndodhë sa më parë.

Marrëveshja e arritur në muajin e kaluar kryesisht rregullon shqetësimet dhe të ardhmen e bashkësisë serbe në Kosovë.

Marrëveshja garanton që serbët e veriut do ta zgjedhin një komandant lokal të policisë, ndërsa përbërja e policisë në veriun e Kosovës do të jetë në përputhje me strukturën etnike të popullsisë në atë pjesë.

Marrëveshja propozon që të ketë më shumë gjyqtarë në veri, nga pakica serbe.

Që nga fundi i konfliktit në Kosovë, pjesa veriore e vendit ka qenë jashtë kontrollit të qeverisë në Prishtinë, derisa Serbia ka financuar sistemin e sigurisë, gjyqësisë, shëndetësisë dhe edukimit.

Me marrëveshjen e 19 prillit parashihet mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri nën ombrellën e institucioneve shtetërore të Kosovës, për të zgjedhur liderët “legjitimë” në zonat me shumicë serbe të asaj pjese të vendit.