Shtetet e Ballkanit Duhet të Pajtohen

Mbështetësit e iniciativës së RECOM-it u mblodhën për konferencën e nëntë të përvitshme për drejtësinë tranzicionale në malin e Jahorinës, mbi Sarajevë, në fundjavë dhe u bënë thirrje politikanëve të kthenin në realitet komisionin e propozuar rajonal për të vërtetën dhe pajtimin.

RECOM-i është një rrjet i organizatave joqeveritare rajonale që dëshiron themelimin e një komisioni për pajtim mes shteteve të dala nga ish-Jugosllavia që u përfshinë në luftërat e viteve 1991-2001, pasi më parë të dihet e vërteta për këto luftëra.

“Kemi arritur majën. Shoqëria civile nuk ka ku të shkojë më tej nga këtu. Çfarë ka mbetur është që të lobojmë te krerët e shteteve dhe të pranojnë këtë iniciativë”, tha Zdravko Grebo, avokues i RECOM-it nga Sarajeva.

“Nëse e pranojnë, ka shpresë për fëmijët tanë se do të pajtohemi për faktet më bazike të luftës, që do ta bëjë më të lehtë për ta për të jetuar së bashku”, tha ai.

Konferenca bëri bashkë pothuajse 200 përfaqësues të organizatave të viktimave, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë ligjorë për të diskutuar progresin e bërë për pajtimin e pasluftës.

Profesori Zoran Pajiq nga Universitetit i Sarajevës tha se pavarësisht fushatës së RECOM-it, politikanët nuk kanë bërë mjaftueshëm.

“Kemi parë se kërkesa e ndjesës për krimet e luftës nga krerët e shteteve janë pranuar me skepticizëm, pse? Thjesht sepse nuk janë krijuar parakushtet për pajtim. Duhet të diskutojmë për të shkuarën, të merremi me të dhe të sigurojmë se janë themeluar mekanizma të drejtësisë tranzicionale para se të pranojmë faljet”, tha Pajiq.

Konferenca e RECOM-it u hap nga anëtari kroat i presidencës tripartiake të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komsiq, i cili tha se rajoni ishte “fatkeqësisht më i ndarë se asnjëherë më parë”.

“Kemi pasur trazira në komunikim mes krerëve të shteteve. Ka pasur momente kur duhet të mbanim qëndrim, por kemi gjithashtu momente të mira tani kur mund të ofrojmë dorën e pajtimit. Procesi i pajtimit ka zgjatur shumë gjatë, për shumë arsye- lufta ishte e përgjakshme dhe ndali lidhjet dhe na i theu zemrat”, tha Komsiq.

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq së fundi kërkoi falje për masakrën në Srebrenicë që ndodhi në korrik të vitit 1995. Sidoqoftë, para kësaj, ai mohoi se vrasjet në Srebrenicë ishin gjenocid, duke nxitur Komsiqin të refuzonte të merrte pjesë në inaugurimin e tij si president.

Konferenca diskutoi gjithashtu ritmin e gjykimeve të krimeve të luftës dhe trashëgiminë e Tribunalit të Hagës,  që pritet të mbyllet në fund të vitit të ardhshëm dhe përfundoi se është e nevojshme të përshpejtohen gjyqet në rajon, veçanërisht duke qenë se mandati i gjykatës në Hagë po i afrohet fundit.